TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi17 Shkurt 2026, 16:15

Eksportet e mallrave bien 4.5% në janar, largimi i kompanive tkurr biznesin fason

Shkruar nga Pamfleti
Eksportet e mallrave bien 4.5% në janar, largimi i kompanive tkurr biznesin
Biznesi fason

Katër vite rënie: struktura e brishtë e eksporteve thellohet në 2026

Eksportet e mallrave e kanë nisur vitin 2026 me rënie, duke zgjatur një trend tkurrës që vazhdon prej katër vitesh. Sipas INSTAT, në janar 2026 eksportet arritën në 26,7 miliardë lekë, me ulje 4,5 për qind krahasuar me janarin e një viti më parë dhe 0,3 për qind krahasuar me dhjetorin 2025. Rënia konfirmon vështirësitë strukturore të sektorëve kryesorë eksportues dhe ekspozimin e lartë ndaj kërkesës së jashtme.

Në tkurrjen vjetore prej 4,5 për qind ndikuan kryesisht grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,8 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0,4 pikë përqindje. Rritja e grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,4 pikë përqindje dhe e “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,1 pikë përqindje zbuti pjesërisht efektin negativ.

Ecuria shumëvjeçare mbetet e paqëndrueshme. Gjatë vitit 2025 eksportet arritën në 346 miliardë lekë, me rënie 6,1 për qind. Në vitin 2024 ato ranë me 16,2 për qind dhe në 2023 me 9,5 për qind. Të dhënat historike tregojnë se që nga viti 2015 eksportet kanë rënë në shtatë vite dhe janë rritur vetëm në periudhat 2017–2018 dhe 2021–2022, kryesisht si efekt rikuperimi pas krizave të mëparshme.

Sektori i tekstileve dhe këpucëve, që përfaqëson rreth 30 për qind të totalit të eksporteve, realizoi 8 miliardë lekë në janar, me rënie 5,8 për qind në bazë vjetore. Sipas përfaqësuesve të industrisë, kërkesa e dobët në tregjet europiane, zhvendosja e investitorëve drejt vendeve me kosto më të ulët dhe pasiguria në industrinë gjermane kanë ndikuar negativisht në porosi. Ky sektor mbetet i ndjeshëm ndaj kursit të këmbimit dhe kostove të brendshme të punës.

Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji” eksportoi 5,4 miliardë lekë, me rënie 13,2 për qind. Tkurrja lidhet me aktivitetin e kufizuar të një prej eksportuesve kryesorë të naftës, në një kontekst çmimesh ndërkombëtare të paqëndrueshme dhe çështjesh fiskale të pazgjidhura. Ky grup përbën rreth 20 për qind të totalit të eksporteve, çka e rrit ndikimin e tij në shifrën agregate.

Eksportet e “Ushqime, pije dhe duhan” arritën në 3,7 miliardë lekë, me rënie rreth 2 për qind, të ndikuara nga përmbytjet e janarit që prekën prodhimin bujqësor në sera. Ndërkohë, “Materiale ndërtimi dhe metale” regjistruan 3,8 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë, duke ndalur përkohësisht rënien e thellë të vitit 2025, e lidhur me pezullimin e aktivitetit të një prodhuesi të madh çeliku.

Në kahun pozitiv, grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit me rreth 13 për qind, në 3,4 miliardë lekë. Industria mbështetëse automotive ka raportuar rritje të porosive që nga fundi i vitit të kaluar. Megjithatë, kompanitë përballen me presion nga mungesa e fuqisë punëtore, zhvlerësimi i euros në raport me lekun dhe rritja e kostove të pagave.

Edhe importet shënuan rënie. Në janar 2026 ato arritën në 57,9 miliardë lekë, me ulje 4 për qind në bazë vjetore dhe 27,5 për qind krahasuar me dhjetorin 2025. Tkurrja u ndikua kryesisht nga grupet “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” dhe “Produkte kimike dhe plastike”, ndërsa “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kontribuoi pozitivisht.

Si rezultat, deficiti tregtar arriti në 31,1 miliardë lekë, me rënie 3,6 për qind krahasuar me janarin 2025 dhe 41,3 për qind krahasuar me dhjetorin 2025. Përmirësimi i deficitit lidhet me tkurrjen e importeve në një masë të ngjashme me eksportet, jo me një zgjerim të bazës eksportuese.

Në aspektin gjeografik, eksportet drejt Italisë dhe Kosovës ranë, ndërsa u rritën ndjeshëm drejt Gjermanisë dhe Greqisë. Importet u ulën kryesisht nga Italia dhe Greqia, ndërsa u rritën nga Kina dhe Turqia. Vendet e Bashkimit Europian përbëjnë 55,4 për qind të tregtisë totale. Në janar, 74,1 për qind e eksporteve u drejtuan drejt BE-së dhe 46,8 për qind e importeve erdhën prej saj, çka konfirmon varësinë e lartë të tregtisë shqiptare nga cikli ekonomik europian.

 

fason eksporte importe

Lini një Përgjigje