Pas 3 emrave të përzgjedhur nga Kuvendi dhe 2 nga Kryeministria, sot është hapur gara për vakancën e fundit...
Kryeministria ka hapur sërish procedurën e aplikimeve për përzgjedhjen e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në një kohë kur institucioni prej gati dy muajsh funksionon pa kuorum.
Sipas njoftimit zyrtar, personat e interesuar duhet të kenë arsim të lartë ekonomik ose juridik, përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare, si dhe mbi pesë vjet eksperiencë pune në administratën publike ose në institucione financiare. Afati për dorëzimin e aplikimeve është 11 mars 2026.
Në muajin dhjetor 2025 përfunduan mandatet shtatëvjeçare të gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, të zgjedhur në fund të vitit 2018. Luljeta Minxhozi, Artan Hoxha dhe Violeta Staka ishin kandidatë të propozuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa Edlira Luçi, Ridvan Bode dhe Suela Popa ishin kandidatë të propozuar nga Këshilli i Ministrave. Rrjedhimisht, Kryeministria dhe Kuvendi nisën edhe procedurat për përzgjedhjen dhe propozimin e anëtarëve të rinj.
Mazhoranca në Kuvend ka vendosur të mbështesë ish kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj dhe pedagogët Matilda Shehu e Selami Xhepa. Ndërkohë pak ditë më parë qeveria depozitoi vetëm dy kandidatura, Ervin Meten dhe Jonida Priftin, duke mos dhënë shpjegime publike për mungesën e emrit të tretë. Kjo ngjalli dyshime se Rama ishte duke bërë pazar me Sali Berishën për mandatin e Ridvan Bodes. Por me shpalljen sot, gjithmonë nëse ajo plotësohet, duket se pazaret janë prishur dhe Bode do të duhet të largohet.
Mungesa e anëtarëve ka sjellë paralizimin faktik të Këshillit Mbikëqyrës. Dy mbledhjet e planifikuara në janar dhe shkurt dështuan për mungesë kuorumi. Në mbledhjen e shkurtit pritej të miratohej raporti i Politikës Monetare për tremujorin e parë të vitit dhe të merrej vendimi për normat bazë të interesit.
Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” kërkon që mbledhjet të zhvillohen me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të emëruar, përfshirë kryetarin ose zëvendëskryetarin.
Procesi i rinovimit të Këshillit është shoqëruar me kritika për vonesa dhe mungesë transparence. Ndërkohë, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë një takimi në Kuvend, theksoi rëndësinë e një procesi përzgjedhjeje transparent dhe të bazuar në meritë për pozicionet vakante në Këshillin Mbikëqyrës, duke e cilësuar këtë thelbësore për ruajtjen e pavarësisë së Bankës dhe besimit të publikut. /Pamfleti
Duhete hetuare keshille mbijeqyres