Analiza e The Economist tregon se rishpërndarja fiskale ka kompensuar në masë të madhe rritjen e pabarazisë në dekadat e fundit. Rritja e pabarazisë para taksave ka shtyrë shtetet e pasura të forcojnë progresivitetin fiskal dhe të rrisin varësinë nga të ardhurat e shtresave më të larta...
Nuk është sekret që pabarazia u rrit në pjesën më të madhe të botës së pasur gjatë viteve 1980 dhe 1990 dhe ka mbetur relativisht e lartë që prej asaj kohe. Në vitin 1980, 1%-shi më i pasur i amerikanëve përfitonte 9% të të ardhurave para taksave; deri në vitin 2022 kjo shifër arriti në 16%. Gjatë së njëjtës periudhë, 1% më i pasur në Europë e rriti pjesën e vet nga 8% në 12%.
Në fakt, rritja e pabarazisë së të ardhurave dhe pasojë e saj, stagnimi i të ardhurave të klasës së mesme, ka qenë aq e dukshme dhe e përhapur sa shpesh paraqitet si një shpjegim i mundshëm për rritjen e populizmit në mbarë botën.
Megjithatë, ekziston një prirje tjetër, më pak e vërejtur, që vepron në drejtim të kundërt: ndërsa të ardhurat para taksave janë bërë më të pabarabarta, sistemet tatimore janë bërë më progresive. Në pjesën më të madhe të botës së pasur, efekti i kësaj rishpërndarjeje ka tejkaluar rritjen e pabarazisë, ndërsa në Amerikë pothuajse e ka mbajtur hapin me të. Në fund rezulton se administrata tatimore e sotme ngjan më pak me Sherifin e Notingamit dhe më shumë me Robin Hood-in. Ajo në masë të madhe ka ndaluar që të pasurit të bëhen edhe më të pasur dhe të varfrit edhe më të varfër. Por rishpërndarja në një shkallë të tillë është një proces joefikas, që krijon shumë tensione ekonomike dhe politike. Sa më shumë të zgjerohet ajo, aq më i madh bëhet rreziku që “mbledhësit e gëzuar të taksave” të mos kenë më burime për të taksuar.
Barazimi përmes taksave
Një mënyrë e thjeshtë për të matur progresivitetin është krahasimi i shpërndarjes së të ardhurave para dhe pas taksave. Sipas kësaj mase, Amerika sot rishpërndan rreth dyfishin e asaj që rishpërndante në vitet 1960 .
Gjermania dhe Japonia, dy ekonomitë e tjera të mëdha të pasura, gjithashtu rishpërndajnë shumë më tepër se më parë. E njëjta gjë vlen për Britaninë dhe Kanadanë. Sipas vlerësimeve tona, shtatë nga dhjetë vende kanë sisteme tatimore dhe përfitimesh më progresive sesa në vitin 1990. Ato që janë bërë më pak progresive priren të jenë vende me sisteme jofunksionale (Bjellorusia, Eritrea, Haiti) ose vende që fillimisht kishin nivele jashtëzakonisht të larta rishpërndarjeje (Norvegjia, Suedia).
Pjesa më e madhe e rritjes së pabarazisë brenda vendeve të pasura në fund të shekullit XX ndodhi gjatë viteve 1980. Që prej asaj kohe, qeveritë janë angazhuar më shumë për zbutjen e dallimeve. Nga viti 1990 deri në vitin 2023, koeficienti mesatar Gini për të ardhurat para taksave në vendet e G7 u rrit mesatarisht me 4 pikë përqindjeje. Megjithatë, falë rishpërndarjes më të madhe, koeficienti mesatar Gini për të ardhurat pas taksave në G7 ka rënë lehtë.
Intensiteti i “shtetit Robin Hood” ndryshon nga vendi në vend. Në Amerikë, rishpërndarja më e madhe thjesht ka kompensuar rritjen e pabarazisë para taksave. Sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit, viti 2022, viti më i fundit për të cilin ka të dhëna të detajuara, ishte i katërti më i pabarabartë në histori sipas koeficientit Gini për të ardhurat e tatueshme, pas viteve 2021, 2020 dhe 2012. Megjithatë, pabarazia pas taksave dhe transfertave ishte më e ulët se në vitet 2000, 2005-07, 2012, 2014, 2017-18 dhe 2021. Ajo ishte gjithashtu vetëm pak më e lartë se në vitin 1986. Edhe pse pjesa e të ardhurave të tatueshme që shkon për 1% më të pasur është rritur ndjeshëm, pjesa e tyre në të ardhurat pas taksave është rritur vetëm lehtë.
Në pjesën tjetër të G7, “Robin Hood-i” është edhe më energjik. Në Britani, Francë dhe Japoni, 1%-shi më i pasur ka parë pak rritje të të ardhurave pas taksave që nga vitet 2000, ndërsa 50%-shi më i varfër ka përfituar rritje të konsiderueshme. Në Britani, pabarazia pas taksave, sipas koeficientit Gini, ka rënë me tre pikë që nga viti 1990. Në Francë ka rënë me katër pikë. Në Kanada, 1% më i pasur ka pasur performancë të dobët vitet e fundit. Në Itali, si shumë të pasurit ashtu edhe shtresa e mesme kanë ecur dobët. Vetëm në Gjermani të pasurit janë shkëputur qartë nga pjesa tjetër.
Është e vështirë që këto prirje të pajtohen me narrativën popullore për politikën fiskale. Sipas saj, rritja e “neoliberalizmit” shkatërroi kompromisin e pasluftës, kur normat margjinale për shumë të pasurit ishin jashtëzakonisht të larta. Ka një element të vërtetë në këtë histori. Për vite me radhë, norma më e lartë e tatimit mbi të ardhurat në Britani ishte 83%, dhe 98% për “të ardhurat e pafituara” si dividentët. Nga viti 1951 deri në 1963, norma më e lartë në SHBA ishte të paktën 91%. Në Suedi, në vitet 1970, norma margjinale reale tejkaloi 100% për disa individë. Edhe taksat mbi trashëgiminë ishin të larta në botën e pasur. Kjo duket më radikale se sistemi aktual.
Megjithatë, në atë kohë të pasurit gjenin mënyra për të mos paguar. Shumë prej tyre kalonin shpenzime personale, si ushqimi dhe transporti, në llogaritë e kompanive, duke ulur të ardhurat e tatueshme. Në vitet 1950, norma efektive federale e tatimit mbi të ardhurat për 1% më të pasur në SHBA ishte rreth 20%, dhe ra në 13,8% në vitet 1960.
Sot shmangia e taksave është më e vështirë dhe normat efektive për të ardhurat e larta janë rritur ndjeshëm. Në Britani, 1% më i pasur paguan pothuajse 40% normë efektive, nga 34% në vitet 2000. Në Kanada norma arrin në 39%. Në Spanjë është rritur nga 30% në 34% gjatë 20 viteve të fundit. Në Itali dhe Japoni, norma mesatare efektive për fituesit e lartë është më e lartë se një dekadë më parë.
Në SHBA, megjithëse administratat e Ronald Reagan, George W. Bush dhe Donald Trump miratuan reforma tatimore që konsiderohen si të favorshme për të pasurit, norma mesatare federale për 1% më të pasur sot është 27,6%, jo larg nivelit më të lartë historik prej 28,9% në vitin 2000. Rënia më e theksuar ka ndodhur në taksat mbi korporatat, përfitimet e së cilës mbeten objekt debati.
Një studim i vitit 2023 nga Thomas Coleman dhe David Weisbach i Universitetit të Çikagos arrin në përfundimin se sistemi tatimor amerikan është bërë më progresiv dhe më rishpërndarës në dekadat e fundit. Thomas Piketty dhe kolegët e tij konstatojnë se reduktimi i pabarazisë përmes rishpërndarjes ka qenë i konsiderueshëm në Francë dhe SHBA dhe është rritur gjatë gjithë shekullit XX.
Edhe ulja ose heqja e taksave mbi trashëgiminë ka pasur ndikim më të vogël sesa mendohet shpesh. Në vitin 1990, vendet e OECD-së mblodhën 100 herë më shumë të ardhura nga tatimi mbi të ardhurat sesa nga taksat mbi trashëgiminë dhe dhuratat së bashku.
Megjithatë, ekziston mundësia që individët jashtëzakonisht të pasur, 0,01% më i lartë, të kenë përfituar nga norma më të ulëta efektive, për shkak të trajtimit të fitimeve kapitale apo strategjive të tjera financiare. Studime të ndryshme japin rezultate të ndryshme për këtë grup. Një analizë e publikuar në Journal of Political Economy konkludon se 0,01% më i pasur në SHBA paguan rreth 50% të të ardhurave të veta në taksa dhe se normat efektive për këtë grup janë më të larta sot sesa në vitet 1960 apo 1970.
Varësia e qeverive nga të ardhurat e shtresave më të pasura është rritur ndjeshëm. Në Britani, 1% më i pasur kontribuon me gati 27% të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat, nga 22% në vitin 2000. Në SHBA, kjo shifër arriti në 40% në vitin 2022, nga 33% në vitin 2001.
Qeveritë përdorin këto të ardhura për të ulur taksat për pjesën tjetër të popullsisë dhe për të financuar përfitime sociale. Në vendet e pasura, transfertat sociale përbëjnë rreth 22% të PBB-së, nga 17% në mesin e viteve 1990.
Pensionet shtetërore janë bërë më bujare dhe subvencionet për sigurimet shëndetësore janë zgjeruar. Sot, një amerikan në kuintilin më të ulët të të ardhurave përfiton ndihma të testuara sipas të ardhurave që barazohen me 100% të të ardhurave të tij nga puna, nga 50% në fund të viteve 1970.
Debati tani përqendrohet nëse sistemi është bërë tepër progresiv. Shumë politikanë propozojnë rritje të mëtejshme të taksave për më të pasurit. Disa shtete amerikane shqyrtojnë taksa shtesë për milionerët, ndërsa në Britani dhe Francë janë hapur debate për rregulla më të ashpra për të pasurit dhe taksa mbi pasurinë.
Pyetja kryesore është nëse, në përpjekje për barazi, qeveritë po rrisin taksat në një nivel që mund të dëmtojë investimet dhe punën. Deri tani, në shumë vende nuk ka shenja të qarta se normat më të larta efektive kanë ulur angazhimin e fituesve të lartë.
Disa ekonomistë argumentojnë se taksat për të pasurit duhet të rriten edhe më tej. Një studim i Thomas Piketty, Emmanuel Saez dhe Stefanie Stantcheva arrin në përfundimin se norma optimale për më të pasurit mund të kalojë 80%. Nëse kjo qasje do të zbatohet, mbetet për t’u parë. /Përshtatur nga The Economist/
Lini një Përgjigje