
Importet e frutave për vitin 2025 tregojnë një kontrast të fortë mes çmimit ekstrem për kilogram dhe realitetit të tregut masiv. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme nga INSTAT, frutat më të shtrenjta për kilogram janë importuar nga Belgjika, me rreth 2,319 lekë/kg. Pas saj renditen Mbretëria e Bashkuar me 2,181 lekë/kg, Rusia me 2,087 lekë/kg, Austria me 2,007 lekë/kg dhe Sllovenia me 2,007 lekë/kg.
Por këto janë rekorde statistikore. Nga Belgjika janë importuar vetëm 3 kilogramë, nga Mbretëria e Bashkuar 70 kilogramë dhe nga Austria 118 kilogramë. Pra, bëhet fjalë për sasi simbolike, që mund të jenë produkte specifike, varietete premium apo dërgesa të veçanta. Në këto kushte, një faturë e vogël e ndarë në pak kilogramë e rrit artificialisht çmimin mesatar.
Furnizuesit realë të tregut: çmime të ulëta, volum i lartë
Struktura reale e tregut dominohet nga vendet me volum të madh importi. Greqia kryeson me mbi 38 milionë kilogramë, me një çmim mesatar rreth 74 lekë/kg. Ekuadori dhe Italia ndjekin me volume shumë të larta dhe pothuajse të njëjtin nivel çmimi. Edhe Kolumbia dhe Argjentina lëvizin në intervalin 75-78 lekë/kg.
Janë pikërisht këta furnizues që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin final që paguan konsumatori. Sasitë e mëdha të importuara u japin avantazh në negocim, ulin koston për kilogram dhe krijojnë stabilitet në marrëdhëniet tregtare, çka përkthehet në çmime më të përballueshme në treg.
Segmenti me çmim të lartë
Ka edhe vende me volum relativisht të kufizuar, por me çmime dukshëm më të larta për kilogram si SHBA me 417 lekë/kg, Spanja me 403 lekë/kg, Vietnami me 706 lekë/kg. Në të njëjtin segment renditen edhe India me 349 lekë/kg, Sri Lanka me 331 lekë/kg, Indonezia me 312 lekë/kg, Rumania me 303 lekë/kg, Franca me 236 lekë/kg dhe Jordania me 239 lekë/kg. Këtu ndikojnë distanca, transporti, sezonaliteti dhe natyra e produkteve (shpesh fruta tropikale ose jashtë sezoni).
Pra, teknikisht frutat më të shtrenjta i kemi blerë nga Belgjika. Por realisht, çmimi i frutave që konsumohen në masë përcaktohet nga Greqia, Ekuadori dhe Italia./SCAN


Lini një Përgjigje