TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi11 Maj 2026, 10:24

Bordi i Bankës së Shqipërisë i mangët; pazaret mbajnë peng emrin që duhet ta propozojë Kuvendi

Shkruar nga Pamfleti
Bordi i Bankës së Shqipërisë i mangët; pazaret
Banka e Shqipërisë /

Pesë muaj pas afatit ligjor, Këshilli Mbikëqyrës mbetet i paplotë, ndërsa procedura që formalisht i takon Kryetarit të Kuvendit po mbahet pezull nga pazaret politike për kontrollin e Bankës së Shqipërisë...

Kryeministri Edi Rama vazhdon negociatat për plotësimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, një proces që duhej të përfundonte brenda dhjetorit 2025.

Përplasja e interesave politike për kontrollin e drejtimit të Bankës e bllokoi dhe e shtyu procesin e zgjedhjes së anëtarëve për në muajin shkurt 2026.

Më 15 dhjetor u përfundoi mandati 6 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Tre prej tyre propozohen nga kryeministri, ndërsa tre nga Kryetari i Kuvendit.

Deri tani janë përzgjedhur dhe emëruar 5 anëtarë, ndërsa 1 vend mbetet bosh, megjithëse kanë kaluar 5 muaj nga afati i detyrueshëm ligjor.

Përzgjedhja e anëtarit për vendin bosh është kompetencë e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Por procedura nuk po ecën dhe nuk ka ende informacion publik për aplikimet apo për emrin që do t’i propozohet Kuvendit.

Sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, vendimi real për këtë emër pritet të merret nga Edi Rama, pavarësisht se formalisht kompetenca i takon Kuvendit.

Në procedurën e parë, Niko Peleshi futi si kandidate Frosela Filon, bashkëshorten e kryebashkiakut të Korçës, Sotiraq Filo. Por kandidatura nuk avancoi dhe ajo dha dorëheqje ditën e paraqitjes në komisionin parlamentar.

Tashmë procesi mbetet i bllokuar. Pyetja kryesore është pse Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vijon të funksionojë me vend bosh dhe kush po e mban peng emërimin e anëtarit të fundit. /Pamfleti

bordi i bankës pazaret kuvendi

Lini një Përgjigje