TAGS-AT E JAVËS

Editorial13 Shtator 2024, 08:01

Seminari erdoganist i Elbasanit për deputetët e PS

Shkruar nga Pamfleti
Seminari erdoganist i Elbasanit për deputetët e PS
Edi Rama dhe Regep Tayyip Erdogan /

Sot, ustallarët nga Anadolli, do tu shpjegojnë deputetëve si të flasin në publik, duke recituar me pak fjalë atë që kërkojnë grupet ku PS synon votat...

Nuk është fare rastësi përzgjedhja e Elbasanit, qytetit që e krijoi një sulltan i rëndësishëm i Perandorisë osmane.

Nuk ishte dosido pasi bëhet fjalë për Mehmetin e Dytë, atë që turqit e thërrasin me emrin Fatih- pushtuesi, ngaqë arriti të marrë Konstandinopojën. E një nga njerëzit që u shquan në sulmin ndaj kryeqytetit të Bizantit ishte shqiptari Ballaban Pasha, një nga gjeneralët më të rëndësishëm të Mehmetit.

Ish- jeniçer nga Mati, i afërt me Skënderbeun, u kthye në armikun më të madh dhe në mallkimin e tij.

Ishte Ballaban Basha që ngriti dhe pagëzoi Elbasan qytetin që lidhte rrugën me Stambollin, për të siguruar prapavijat që i sulmonte me egërsi Skënderbeu.

Sot pas afro 6 shekujsh, një dost i sulltanit të ri të Turqisë, Erdoganit, do të trajnojë deputetët prej ustallarëve të komunikimit nga një fondacion i AK, Parti e Erdoganit.

E gjithë meseleja konsiston se si të mësohen deputetët e Partisë Socialiste, që të mos kenë siklet për të shpjeguar në publik pushtetin shumë të gjatë të tyre dhe oreksin që nuk i mpaket dostit të Erdoganit.

Tashmë PS-ja duket se nuk ja merr më shërbimet Tony Blairit dhe ish-zëdhënësit të tij legjendar Alaistar Kambellit.

Për çdo perëndimor, mandati i tretë konsiderohet pak si tepër, e vetë Tony Blair, mandatin e tretë e ndau në dysh me kolegun e tij dhe rivalin në parti, Gordon Brown.

Ndërsa për anadollakët e AKP, jo vetëm që mungon sikleti për qeverisjen e gjatë që në vitin 1999, por këtë sëmundje do ja mësojnë edhe kardeshlerëve arnautë të mikut të sulltanit.

Në të vëtetë nuk është hera e parë që PS-ja merr leksione nga spin doktorat nga Anadolli. Shpesh herë punonjës dhe deputetë të PS-së, kanë frekuentuar Akademinë e AK në Bursa dhe Ankara.

Ka të paktën që në zgjedhjet e vitit 2021 që PS trajtohet nga ustallarët e partisë së Erdoganit, i cili akademinë e përgatitjes politike e ka gjë serioze. AK ka arritur që të mbajë prej vitesh një grupim zgjedhësish besnikë, që e kanë kthyer partinë në një pushtet të palëvizshëm.

Praktikisht elektorati i Erdoganit është më shumë një “xhemat” besimtarësh, që mban lidhje gati religjoze me sulltanin dhe partinë e tij. Të gjithë të tjerët konsiderohen si “qafira” që punojnë kundër.

Njësoj siç ndodh edhe këtu tek ne, ku PS kërkon të mbajë 700 deri 800 mijë votues pa lëvizur, e kështu është e sigurtë që nuk lëviz nga pushteti.

Vetë Edi Rama e ka deklaruar disa herë se ka marrëdhënie të ngushtë me AKP. Madje në zgjedhjet presidenciale turke, Rama postoi në rrjetet sociale se ekipi i sondazheve të PS-së gjeti rezultatin më të saktë të votimeve atje, përpara ekpit të sulltanit.

Që do të thotë se marrëdhënia mes PS-së dhe AKP është më shumë se e ngushtë; është organike.

Sot, ustallarët nga Anadolli, do tu shpjegojnë deputetëve si të flasin në publik, duke recituar me pak fjalë atë që kërkojnë grupet ku PS synon votat.

Filozofia e tyre është e thjeshtë; mos u merrni me ekzigjencat apo kërkesat e atyre që votojnë kundër, por tu drejtohen vetëm grupeve të interesit që votojnë PS-në./Pamfleti

seminari erdoganist elbasan deputetët e ps

Lini një Përgjigje