Kontrolli vertikal dhe ekuilibri i humbur: Si ‘Zona e Parë Operative’ drejton rendin…
Në ka në Shqipëri një organizëm apo institucion që është dominues dhe më me pushtet real në vend, në çdo aspekt, është Policia e Shtetit.
Kjo organizatë ka në borderonë e saj plot 12 mijë persona, që e bën faktikisht një armatë në kuptimin e plotë të fjalës. Një armatë, me të cilën një pushtet politik mund të kryejë çdo punë në territor, që nga kontrolli e deri tek menaxhimi i gjendjes në të gjithë vendin.
Pikërisht duke u nisur nga pushteti shumë i fuqishëm që ka në dorë kjo armatë, në vendet demokratike, drejtimi dhe kontrolli i saj ka një balancë permanente, të hequr nga butonat që ndodhen në sirtaret e pushtetit politik.
Ndërsa në Shqipëri, Policia e Shtetit është organizata më e centralizuar, më e politizuar dhe e përqendruar në pushtetin e një njeriu të vetëm.
Kreun e Policisë e emëron kryeministri, ndërkohë që çdo emërim drejtuesi tek kjo armatë vjen me firmën e drejtorit të Policisë së Shtetit.
Të gjitha agjencitë brenda Policisë varen direkt nga kreu i saj, çdo formacion special apo elitë i saj kanë lidhje vertikale. Natyrisht kjo nuk ka ardhur sot, pasi ka qenë një trashëgimi e kohës së diktaturës, e implementuar me rënien e komunizmit me vetëm një koracë tjetër.
Si e tillë armata 12 mijëshe e Policisë së Shtetit është organizmi më i polarizuar prej frymës dhe ndikimit të piramidës, duke ofruar kështu edhe panoramën e vullnetit apo dëshirës që vjen nga lart për ta orientuar këtë armatë të fuqishme në cementimin e pushtetit.
Është folur shumë këto vite për inkriminimin e uniformave blu, politizimin e tyre, korrupsionin endemik, por edhe për sjelljen harbute ndaj qytetarëve, fenomene që nuk janë spontane, por efekt i sistemit të ndërtimit të kësaj skeme ose më mirë pasojë e saj.
Në këtë polarizim të nivelit të lartë, Policia në kohën e qeverisjes së Edi Ramës është organizmi më i njëanshëm në shumë aspekte, megjithatë një tregues i rëndësishëm është mospërfaqësimi real si polici e Shqipërisë, e territorit, komuniteteve, e natyrisht rajoneve që përbëjnë vendin.
Është një aksiomë fikse në Shqipërinë e pas rrëzimit të komunizmit që kur në pushtet është Partia Socialiste, kreu i qeverisë dhe kreu i policisë do të jenë pa tjetër nga Zona e Parë Operative- shkurt boshti Vlorë-Gjirokastër-Fier-Tepelenë-Mallakastër. Dhe kur në pushtet është PD-ja, kryeministri dhe kupola e Policisë, do të jenë nga veriu.
Kjo mënyrë mesjetare e tribale e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit shqiptar e ka kthyer vendin në një shoqëri të polarizuar, të pa integruar, ku mungon kohezioni dhe besimi reciprok.
Kjo radiografi bie në sy shumë në organizatën e Policisë, ngaqë është institucioni më i rëndësishëm dhe me ndikimi më të madh në jetën e qytetarëve.
Socialistët e post 1997-ës, pikërisht kur vendi vinte nga një gjëmë traumatike e në prag të një lufte civile, e mbushën kupolën e Policisë me oficerë “gjysmë opinge”, domethënë nga Zona e Parë Operative. Gjë që shkaktoi debate, polemika, kritika e trauma të rëndësishme, që më pas polli në kohën e qeverisjes së Sali Berishës panoramën e përmbysur tropojane të armatës së policisë.
Dhe tani, në qeverisjen 13 vjeçare të Edi Ramës, u përmbys sërish piramida, e cila u konfirmua edhe këto ditë. Të gjithë krerët e policisë së Edi Ramës, përjashtuar Muhamet Rrumbullakun, kanë përfaqësuar Zonën e Parë Operative.
Emërimi i Rrumbullakut i cili vinte nga Tirana, krijoi një ndjesi të përgjithshme se Edi Rama po shkrin akujt e “diktaturës krahinore” në Polici, për të vendosur një standard të ri përfaqësimi. I cili ka treguar se ka dhënë efekt edhe në paqtimin dhe rënien e paragjykimeve apo steriotipeve që tek shoqëria jonë nuk mungojnë.
Kur Fatos Nano, në fund të mandatit të tij si Kryeministër emëroi Bajram Ibrajn si Drejtor të Përgjithshëm të Policisë, kjo organizatë në atë mandat pati edhe kohën e saj të artë.
Në rezultate konkrete po e po, të cilat janë njohur edhe ndërkombëtarisht, por në radhë të parë në një besim të rritur mes efektivëve dhe publikut në përgjithësi.
Natyrisht që rezultati nuk erdhi se Bajram Ibraj nuk vinte nga Zona e Parë Operative, pasi ky është naivitet. Erdhi në radhë të parë nga aftësia profesionale dhe humane e Drejtorit që impelemtoi një strategji gjithëpërfshirëse dhe jo sektare në drejtim e menaxhim.
Në zgjedhjet e vitit 2005, kur policia menaxhoi zgjedhjet parlamentare të korrikut të atij viti, armata e saj mori për herë të parë dhe të vetme “medaljen” e menaxhimit të suksesshëm dhe pa u kontestuar të procesit zgjedhor. Madje duke marrë komplimente nga të gjitha palët e brendshme e të jashtme.
Natyrisht fshati, qyteti apo krahina nga vjen Kreu i Policisë së Shtetit nuk është kriter vlerësimi, është një klishe, një steriotip, i cili në radhë të parë dëmton vetë efektivët e policisë që mbajnë në shpinë këtë “hije” krejt të padrejtë.
Po pikërisht për këtë, politika nuk duhet ta trajtojë shtetin, e në këtë rast organizatën më të rëndësishme të tij, si një “çetë bajraku”, por si një institucion ku përfaqësohen të gjitha ngjyrat, nuancat por edhe komunitetet që përbëjnë kombin.
Kështu ndodh në të gjitha vendet e botës, ku edhe pse logjika krahinoriste nuk kthehet në qëllim në vetvete, shikohet me kujdes për të ekuilibruar në mënyrë të barazvlefshme komunitetet, për të ruajtur unitetin e kohezionin social të vendit.
Duket qartë se logjika enveriste e Edi Ramës për të ruajtur dominimin e Zonës së Parë për arsye politike do të vijojë të mbizotëojë si një instrument për të ruajur pushtetin e posaçërisht dominimin politik në Jug.
Megjithatë, i takon kreut të ri të Policisë së Shtetit, të sapo emëruar, i cili mund të bëjë pjesën e tij në mënyrë që kupola e kësaj organizate të ekuilibrohet sa më shumë, duke u nisur që nga klisheja krahinore. E cila e mban peng vendin në mentalitetet mesjetare e tribale, duke penguar modernizimin e një shoqërie. Vendet e tjera në rajonin tonë, këtë fazë e kanë kaluar, e sëmundje të tilla thuajse i kanë shëruar plotësisht./Pamfleti
Po Met Rrumbullaku nga ishte...???
Degjoni djema plakun, ne tere boten policet jane shume koketrashe, dembele e parazite. Nje person me aspirata nuk shkon te vishet polic e tu zere njerezve rrugen e te gerricet me ta. Po marr vetem nje shembull te thjeshte. Keni pare videot me police qe ndjekin "kriminelin" qe ka shkelur rregullat e qarkullimit, ose dyshohet se ka kaq e aq droge me vehte dhe e ndjekin si te cmendur me shpejtesira te papara e perplasen duke lene nje ose disa viktima per vdekje? Ja e kape e cfare do kapesh tere rrjetin, bullshit. Sa kushton nje jete njeriu gjithe Tiranen, gjithe Planetin e Universin per te afermit? Ku eshte mendjemprehtesia ketu? Nuk behet fjale per ndjekje qe rrezikojne jete e siguri kombetare. Edhe ne lufte behen llogari me jete njerezish, pamvaresisht parimit, nje per te gjithe e te gjithe per nje.