Protestat “No Kings” nuk janë thjesht revoltë kundër një presidenti; ato janë dëshmi se demokracia amerikane prodhon kundërpeshë, se shoqëria nuk është dorëzuar dhe se Shtetet e Bashkuara mbeten më të mëdha se çdo lider i përkohshëm...
Ka një gabim që po përsëritet gjithnjë e më shpesh në leximin e krizës amerikane: identifikimi i Amerikës me Donald Trumpin. Është një ngatërrim i rrezikshëm, politikisht i cekët dhe diplomatikisht i gabuar. Amerika mund të ketë zgjedhur Trumpin President, mund ta tolerojë, mund të përçahet prej tij, por Amerika nuk është Trumpi.
Valët e fundit të protestave “No Kings”, të zhvilluara më 28 mars 2026 në të 50 shtetet, me mbi 3,300 aktivitete të planifikuara dhe me jehonë edhe në qytete europiane si Parisi, Roma dhe Berlini, e rrëzojnë pikërisht këtë tezë të thjeshtuar. Këto protesta nuk tregojnë vetëm zemërim ndaj një administrate. Ato tregojnë se në zemër të sistemit amerikan ekziston ende një refleks kundërshtimi qytetar ndaj çdo prirjeje për ta trajtuar pushtetin si kurorë dhe republikën si prone.
Simbolika e emrit “No Kings” është vetë mesazhi. Në një republikë të ndërtuar mbi refuzimin e monarkisë, të dalësh në rrugë me këtë slogan do të thotë të thuash se problemi nuk është vetëm një program qeverisës, por një kulturë pushteti. Do të thotë, të thuash se shqetësimi i madh i një pjese të Amerikës nuk është thjesht Trumpi si individ, por tundimi trumpist për ta shndërruar presidencën në spektakël force, ligjin në mjet presioni dhe shtetin në zgjatim të vullnetit personal.
Kjo është arsyeja pse protestat në SHBA nuk duhen lexuar si episod folklorik i polarizimit amerikan, por si sinjal politik me peshë për vetë cilësinë e demokracisë amerikane.
Minnesota u bë epiqendra më e fortë e kësaj vale jo rastësisht. Shteti u kthye në pikë përplasjeje pas operacionit federal të emigracionit “Metro Surge”, ku më shumë se 3,000 agjentë zbritën në zonën e Twin Cities dhe u akuzuan për përdorim force të tepruar; më pas, në janar, u raportua vrasja e dy qytetarëve amerikanë, Alex Pretti dhe Renee Nicole Good, duke ndezur zemërim kombëtar dhe procese gjyqësore. Kur protesta lidhet me perceptimin e abuzimit shtetëror, ajo pushon së qeni kundërshtim i zakonshëm partiak dhe merr karakterin e një alarmi demokratik.
Edhe rënia e mbështetjes publike për Trumpin e vendos këtë valë në një kontekst më të gjerë. Duke iu referuar një sondazhi Reuters/Ipsos, miratimi për presidentin amerikan ka rënë në 36 për qind, i goditur nga pakënaqësitë për kostot e jetesës dhe kundërshtia ndaj luftës kundër Iranit. Kjo nuk provon fundin politik të Trumpit; por provon se energjia e kundërshtimit nuk është më e kufizuar te establishmenti demokrat apo te mediat liberale. Ajo po shtrihet në rrugë, në shtete, në komunitete dhe në vetë psikologjinë publike të një vendi që nuk do të tërhiqet lehtë drejt normalizimit të autoritarizmit.
Pikërisht këtu duhet bërë dallimi themelor: Trumpi mund të jetë produkt i Amerikës së sotme, por ai nuk është përkufizimi i saj. Ai përfaqëson një pjesë të fortë, zhurmuese dhe elektoralisht efektive të Amerikës; nuk përfaqëson tërësinë e saj morale, institucionale dhe historike. Amerika është edhe Gjykata që sfidon, edhe shtypi që ekspozon, edhe universiteti që kundërshton, edhe sheshi që brohoret, edhe qytetari që ngrihet kur ndjen se republika po shtyhet përtej vijës së kuqe. Protestat “No Kings” janë prova se kjo Amerikë jo vetëm ekziston.
Për Europën dhe për aleatët e SHBA-së, ky është një detaj vendimtar. Do të ishte gabim strategjik që Amerika të lexohej vetëm përmes figurës së presidentit aktual. Po aq gabim do të ishte të mendohej se çdo lëkundje e Shtëpisë së Bardhë është shndërrim i pakthyeshëm i vetë Amerikës. Historia amerikane ka treguar tjetër gjë: se vendi lëkundet fort, polarizohet ashpër, prodhon figura radikale, por njëkohësisht reflekton edhe reagim ndaj tyre. Në këtë kuptim, protestat nuk janë shenjë dobësie e Amerikës. Janë, paradoksalisht, një provë e mbijetesës së mekanizmit të saj demokratik.
Kjo nuk është arsye për romantizim. Amerika po kalon një krizë reale të tonit, të balancave dhe të besimit publik. Kur në një demokraci rritet perceptimi se pushteti po sillet si sovran e jo si mandat, atëherë problemi është serioz. Por pikërisht sepse problemi është serioz, duhet parë edhe gjysma tjetër e tablosë: fakti që miliona njerëz dalin në rrugë, që organizohen në të gjithë territorin, që e artikulojnë kundërshtinë jo me gjuhën e nënshtrimit, por me gjuhën e Kushtetutës. Kjo do të thotë se nervi demokratik i Amerikës nuk ka vdekur.
Prandaj, fraza më e saktë politike sot nuk është “Amerika e Trumpit”. Fraza e saktë është: Amerika po lufton me Trumpin brenda vetes. Dhe kjo është një diferencë thelbësore. Sepse një vend që proteston kundër pushtetit, një vend që i vë kufi simbolik idesë së “mbretit”, një vend që i kujton presidentit se mbi të qëndron Kushtetuta, nuk është një vend i dorëzuar. Është një vend në konflikt me veten, por ende jo i humbur.
Në fund, kjo është çështja kryesore: presidentët vejnë e vinë, por karakteri i një republike matet nga aftësia e saj për të mos u dorëzuar para kultit të tyre. Protestat “No Kings” thonë pikërisht këtë. Dhe përtej Trumpit, përtej zhurmës, përtej frikës dhe propagandës, mesazhi më i fortë që po ushtinë në rrugët e Amerikës është i thjeshtë: Amerika nuk është Trumpi!/Pamfleti
Amerika nuk është pirgu me plehë ku këndezi Izraelit këndon dhe bënë gëlasën e radhës. Burg për Netanjahun.
Më pëlqeu shkrimi
The Americans are brave people and always in crisis situations have shown themselves. The problem this time is that American people is smelling bad odour, the fascism dictature, which is dangerous not for America but, for all the world. The motto of demonstrations is No King, means a lot.
shkrim ipjekur bravo .
Ty Dema të vjen goja ere peshk e hudhra si ajo e grave.