Mandati absolut i Albin Kurtit në zgjedhjet e dhjetorit, e vendos Kosovën përballë sfidës së rikthimit të besimit amerikan. Marrëdhëniet me SHBA-në, dikur shtylla kryesore e mbështetjes, kërkojnë ringritje për të shmangur izolimin dhe për të rifilluar dialogun strategjik…
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, i dhanë fund një viti bllokade politike, duke i dhënë Vetëvendosjes një mandat të rrallë, pothuajse absolut. Me mbi 51 për qind të votave dhe mbi 400 mijë vota për listën e udhëhequr nga Albin Kurti, partia siguroi 57 nga 120 ulëset parlamentare, mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbetën shumë prapa. Pak e prisnin që Kurti të përsëriste, dhe aq më pak të përmirësonte rezultatin e vitit 2021. Megjithatë, ky rezultat shënon një konsolidim vendimtar të pushtetit pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, të cilat e lanë Kosovën pa qeveri funksionale për gati një vit.
Votimi i dhjetorit e çau atë bllokadë dhe i dha Vetëvendosjes një dorë të fortë jo vetëm në formimin e qeverisë, por edhe në zgjedhjet presidenciale të planifikuara për mars të këtij viti, një çështje që kishte paralizuar politikën e vendit gjatë gjithë vitit 2025.
Tani Kosova hyn në një fazë të qeverisjes potencialisht më të shpejtë dhe koherente. Megjithatë, nëse kjo do të sjellë stabilitet apo tensione të reja, do të varet nga mënyra se si Vetëvendosje e përdor dominimin e saj.
Fitorja e thellë nuk ishte thjesht produkt i entuziazmit të votuesve. Ajo ishte edhe rezultat i një viti të menaxhuar me kujdes politikisht nga Kurti. Pas fitores në zgjedhjet e shkurtit pa siguruar shumicë qeverisëse, Kurti udhëhoqi një qeveri kujdestare përmes muajve të ngërçit politik dhe institucional.
Në vend që të nxitonte drejt krijimit të një koalicioni të brishtë, ai lejoi që vakumi politik të vazhdonte, ndërsa gradualisht dhe strategjikisht formësoi narrativën në favorin e tij.
Edhe pse Vetëvendosje, si partia fituese, kishte përgjegjësinë formale për të kërkuar partnerë, Kurti arriti ta paraqiste opozitën si fajtorin kryesor për bllokimin. PDK dhe LDK u mbështetën pothuajse ekskluzivisht te vetoja, manovrat procedurale dhe refuzimet për të negociuar, duke e kthyer bllokimin në identitetin e tyre politik.
Me kalimin e kohës, kjo strategji u bë e pamundur të fshihej. Opozita, pa një drejtim të qartë politik, përfundoi duke i dhënë Kurtit një avantazh. Koha e zgjedhjeve e forcoi më tej avantazhin e Vetëvendosjes.
Duke e caktuar 28 dhjetorin si ditën e votimit, Kurti rriti pjesëmarrjen e diasporës e cila është kryesisht pro Vetëvendosjes - ndërsa mbajti kontrollin e qeverisë kujdestare dhe shpërndau ndihma për pensionistët, familjet në nevojë, krahas premtimeve për rritje pagash dhe një pagë të 13-të për sektorin publik.
Këto masa e forcuan popullaritetin dhe e theksuan profilin e majtë të Vetëvendosjes.
Dinamika mediatike e thelloi pabarazinë. Fushatat e opozitës u fokusuan te akuzat për korrupsion dhe sulme personale ndaj Kurtit.
Por në vend që ta dobësonin, kjo e rriti dukshmërinë e tij, ndërsa ai mbeti kryesisht i munguar në media. Në fakt ishin kundërshtarët ata që bënë fushatë për të. Më e dëmshmja ishte mungesa e një vizioni alternativ.
Mesazhi i tyre u kufizua në pohimin se Kurti ishte “po aq i keq” sa qeveritë e mëparshme dhe “po bënte lëshime ndaj Serbisë”, pa ofruar një ripërtëritje të lidershipit, inovacion në program apo reforma të besueshme.
Edhe zhvillimet ndërkombëtare punuan në favor të Vetëvendosjes. Pezullimi i Dialogut Strategjik SHBA-Kosovë dhe masat ndëshkuese të BE-së për tensionet në veri, u paraqitën nga partitë opozitare si kërcënime ekzistenciale.
Megjithatë, kjo retorikë alarmiste nuk i mobilizoi më votuesit kundër Kurtit. Për dekada, zgjedhjet në Kosovë u formësuan nga imazhet e liderëve partiakë pranë zyrtarëve të SHBA-së ose BE-së.
Por kjo qasje po e humbet ndikimin. Votuesit po e shohin gjithnjë e më shumë presionin ndërkombëtar si një konstantë dhe jo si një variabël vendimtar, dhe përpjekja e opozitës për t’i përdorur këto çështje si armë u kthye në bumerang.
Me shumicën e mjaftueshme parlamentare, Vetëvendosje është e pozicionuar të formojë një qeveri njëpartiake dhe të kontrollojë kryesisht zgjedhjet presidenciale të marsit. Kjo e zvogëlon aftësinë e opozitës për të bllokuar institucionet pa kosto të larta politike.
Kurti ka sinjalizuar tashmë se si synon të qeverisë, duke e përshkruar opozitën jo si partner, por si domosdoshmëri numerike, dhe duke paralajmëruar se çdo përpjekje për të bllokuar votimin presidencial do të sillte zgjedhje të reja, ku Vetëvendosje do të ishte sërish e mirë-pozicionuar për të fituar.
Kjo krijon një paradoks: paraliza institucionale ka gjasa të marrë fund, dhe një ekzekutiv i unifikuar, shumicë parlamentare dhe presidencë mund të lejojnë efikasitet më të madh, legjislacion më të shpejtë dhe avancimin e Axhendës së Rritjes, nëse opozita nuk e pengon sërish.
Në të njëjtën kohë, ky përqendrim pushteti rrezikon të dobësojë mbikëqyrjen parlamentare dhe balancën demokratike, veçanërisht ndërsa opozita mbetet e fragmentuar. Zgjedhjet e dhjetorit ishin një tronditje për PDK dhe LDK dhe një provë mbijetese.
PDK po hyn në një periudhë ristrukturimi të lidershipit, por mbetet e ankoruar në të kaluarën, duke u përcaktuar përmes lidhjeve historike me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe duke u kapur pas shpresës për rikthimin e Hashim Thaçit nga Haga.
Ky fokus në të kaluarën dhe shpresën për të ardhmen e pozicionon lidershipin aktual si tranzitor dhe kufizon kapacitetin e partisë për t’u rindërtuar. LDK, nën Lumir Abdixhikun, përballet me një sfidë ekzistenciale edhe më të thellë.
Duke shmangur një përballje serioze të brendshme, partia rrezikon të mbetet në periferi për vite me radhë. Rruga e vetme e qëndrueshme për të dyja partitë është rishpikja: reformë e brendshme, lidership i qartë, alternativa të besueshme politike dhe angazhim konstruktiv parlamentar.
Vazhdimi i strategjive obstruksioniste të vitit 2025 do t’i bënte edhe më të parëndësishme partitë kryesore të opozitës. Rikonfigurimi politik i Kosovës zhvillohet në një sfond ndërkombëtar shumë më të paqëndrueshëm.
Rendi global i pasluftës po fragmentohet. Mbështetja e SHBA-së, veçanërisht nën një qasje të tipit Trump, është bërë transaksionale dhe jo e bazuar në vlera. BE është e shpërqendruar, gjithnjë e më shumë e fokusuar në Shqipëri dhe Mal të Zi në rajon, ndërsa Kosova mbetet e bllokuar, duke sinjalizuar dyshime për trajektoren e saj evropiane.
Kostot e paralizës së vitit 2025 në Kosovë ishin të larta: u ndal zbatimi i Axhendës së Rritjes, ngriu dialogu me Serbinë, u humb mbështetja financiare dhe u zbeh pozita diplomatike e vendit.
Dialogu me Serbinë mbetet i bllokuar për shkak të krizës së brendshme në Kosovë dhe trazirave të brendshme në Serbi, ndërsa BE-ja ka treguar se ka pak ndjenjë urgjence për të ndërhyrë.
Kosova është e bllokuar në një sistem ku partnerët strategjikë janë më pak të angazhuar dhe më pak të gatshëm të investojnë kapital politik, ndërkohë që ende i mungon njohja e konsoliduar ndërkombëtare.
Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më i vështirë, pasi SHBA një partnere e vjetër e Kosovës në këto procese po tërhiqet nga mekanizmat shumëpalësh të bazuar në rregulla.
Megjithatë, ekziston hapësirë për veprim strategjik. Një qeveri e qëndrueshme mund të riangazhohet me shtetet e BE-së dhe Brukselin, të miratojë Axhendën e Rritjes, të kërkojë njohje të reja dhe të rindërtojë marrëdhëniet me SHBA-në për të rifilluar dialogun strategjik mes dy vendeve.
Mënyra se si Vetëvendosje do ta përdorë mandatin e saj do të përcaktojë epokën politike të Kosovës, duke vendosur nëse kjo periudhë dominimi do të shndërrohet në themel për reforma apo në një burim të destabilitetit të ri në vend./Përshtati "Pamfleti", nga “BiEPAG”
Lini një Përgjigje