TAGS-AT E JAVËS

Editorial31 Dhjetor 2024, 14:36

Mos i lexo letrat e politikës Santa!

Shkruar nga Fadil Lepaja

Mos i lexo letrat e politikës Santa!

Sido që ta ketë punën të gjithë baballarët e lagjeve, qyteteve, krahinave, republikave, kontinenteve shqiptare tashmë janë dehur, nuk kanë forcë të përsërisin përrallat e vitit, por thjesht janë lëshuar në krahët e adhuruesve dhe sonte do të flenë në rrjet duke lexuar reflektimin e ëndrrave që i shpërndanë në popull

Në parim, një baba dimër duhet të jetë i hareshëm, të përhapë atmosferën festive kudo që të rrëshqasë me sajën e tij, dhe mbi të gjitha të përvidhet oxhaqeve deri te bredhat. Me patjetër aty duhet të lerë diçka, çka do që mund ta lumturojë fëmijën apo të rriturin që ende ka ëndrra dhe beson se Laplandi ekziston.

E pra, edhe nëse kemi harruar të ëndërrojmë, të besojmë në përralla, vera, birra dhe rakia e fortë na e resetojnë trurin dhe për disa ditë jo vetëm se do besojmë në përralla, por do besojmë edhe në politikë. Fundja, politika atë punë bën, tregon përralla. Marrin ca imazhe nga subkoshienca jonë kolektive dhe ja hedhin pak sheqer të bardhë apo miell të bardhë dhe gatuajnë ëmbëlsirën e cila na bën të ndihemi të veçantë, të privilegjuar, më të mirë se të tjerët. Epo, u rritëm...

Por, a besojnë në përralla ata që na i tregojnë vetë?

Në çka besojnë liderët tanë të cilët jo vetëm se na duan ushtarë, por duan edhe të besojmë se ato uniformat andej linjës së frontit janë jonjerëzore, pak a shumë alien, e jo bashkëfshatarë, njerëz nga lagja jonë, familjarë, njerëz të një gjaku e një gjuhe. Por përralla thotë se ata janë ata e ne jemi ne.

Kush jemi ne? Çfarë ka lënë Santa te bredhi ynë? Ta ketë lexuar letrën tonë të cilën ja dërguam fshehurazi? Ku mund të dërgohet fshehurazi një letër sot? Nuk e dërgon dot, pasi serverët e Santa-s janë të survejuar 24 orë në ditë e shtatë ditë në javë, pastaj vazhdon kështu javë pas jave.

Pra, ëndrrat, besimet, kontrollohen, mos gabo të rrëfehesh në rrjet. E di babadimri vetë. Edi Baba, Albin baba..., dikush e ka babën në burg, dikush në opozitë, e dikush është politikisht jetim. Sido që ta ketë punën të gjithë baballarët e lagjeve, qyteteve, krahinave, republikave, kontinenteve shqiptare tashmë janë dehur, nuk kanë forcë të përsërisin përrallat e vitit, por thjesht janë lëshuar në krahët e adhuruesve dhe sonte do të flenë në rrjet duke lexuar reflektimin e ëndrrave që i shpërndanë në popull, qiellin, yjet, diellin, hënën, ylberin (jo atë që po mendoni), dhe të gjitha fenomenet e bukura të natyrës që i kishin përdorur si metafora për të përshkruar realitetin që po krijojnë.

Pastaj, pas natës së parë, të dytë, e besa edhe të tretës, popullin do ta lëshojë paksa dehja, do të ketë kokëdhimbje kolektive, mpirje gjymtyrësh, trashje gjuhe, fishkëllimë në vesh nga decibelët e shumtë.

Por jo të gjithë do të flenë. Të pagjumë janë prodhuesit e armëve dhe barotit, dronëve, dhe arsenalit luftarak para festiv. Nuk u shitën? Mendojnë luftën e radhës mediatike, pasi veç ajo i shet armët plastike, piroteknikën përderisa njerëzit ta përjetojnë ngufatjen nga ajri i përlyer nga shpërthimet ideologjike, politike, stresi, ankthi i një viti që e përcollëm deri në dimensionin ku ndërrohen ëndrrat kolektive. Viti i vjetër ikën i kërrusur, shpresojmë të na i marrë me vete krejt gajlet tona, krejt helmet që na u mblodhën në shtat e në neurone nga vrapi për të arritur objektiva, për të arritur në cak, për të fituar gara, për të mundur dikë, këdo qoftë në rreshtin e gjatë të atyre për të cilët mendojmë se “nuk na duan” për ndonjë arsye të cilën subkoshienca jonë e ka lokalizuar.

Kush do të vishet si baba dimër këtë vit, në Lapland? Lëre, të lutem, e kemi kuptuar tashmë, duke i parë me dhjetëra baba dimër të dehur nëpër rrugët e (krye)qyteteve, nëpër taksi, metro, stacioneve të autobusëve, lypësve skaj rruge, nëpër sheshe, të cilët duhet arrestuar të gjithë, sepse po na e vrasin ëndrrën. Punë e madhe do të kalojnë disa net në paraburgim bashkë me të gjithë ata që po na i vrasin ëndrrat, natyrën tonë njerëzore. Aty do të gjesh më së shumti politikan, analist, hoxhallarë, priftërinj dhe të gjithë ata që në emër të idealeve apo zotit shpërndajnë urrejtje nëpër familje, lagje, qytete, nëpër planet thuaj...

Por, nuk do flenë të gjithë, se hasmi nuk fle. Të gjithë do festojmë me roje, të cilët prapëseprapë do pinë tinëz disa gota sa për të besuar në misionin e tyre: ata do të sulmojnë kur jemi të dehur, duke fjetur, në gjirin e partisë, kobit, krijuesit...ata, nuk kanë festë, baba dimri te ata vjen tjetër ditë dhe nga tjetërkund...

Gëzuar, e ngrita gotën para pasqyrës, për të ngritur dollinë më të ëmbël, më shpresëdhënës më mashtruese, me veten... eh, ku ta besosh veten? Nuk e ka me dredhi thua? Çfarë dhurate do na bëjë Santa? Kush është Santa këtë vit? Do të sjellë paqen? Paqen na e sill, në lagje, i dashur Santa! Kur them lagje, e ke parasysh...? Për të tjerat ja bëjmë disi! Të besojmë? Të shohim nën bredh?

Epo, dikur poeti ynë këndonte: Asgjë nuk duam nuk, veç armë dhe pak bukë!

Epo, nëse rastis të jetë i dehur, Santa, edhe mund të na e sjellë paqen! Edhe pak bukë...

Mos i lexo letrat e politikës, Santa!/Pamfleti

Lini një Përgjigje

Editorial