TAGS-AT E JAVËS

Editorial27 Dhjetor 2024, 13:37

Edi Rama si Kronos*: po i ha të gjithë këlyshët e vet

Shkruar nga Gjergj Zefi

 

Edi Rama si Kronos*: po i ha të gjithë këlyshët e vet
Edi Rama /

Edi Rama e përsërit shpesh, se “liderët janë gjithmonë vetëm”. Por në të vërtetë të vetëm janë vetëm faraonët, sulltanët, diktatorët, tiranët, që e përqëndrojnë të gjithë pushtetin në duart e tyre...

Deklarimi i Erion Veliajt dje nga Këshilli Bashkiak, për ekzistencën e një personi fantazmë që e ka paditur në SPAK, duket një zhvillim i rëndësishëm i një loje që tani po i hapen letrat.

Gjithnjë e më shumë, po qartësohet se nuk kemi të bëjmë me një grup hetimesh spontane ndaj zyrtarëve të lartë, por me një plan të përcaktuar, detajuar dhe me një ‘timing’ të mirëmenduar, për të goditur të gjithë ata që Edi Rama i konsideron të rrezikshëm për pushtetin e tij.

Duke qenë se SPAK ka punuar që në fillim me denoncime që vijnë nga jashtë, edhe hetimet e zhvilluara deri më tani kanë pasur si indicie pikërisht denoncimet që në pjesën më të madhe janë elaboruar nga politika.

I pari ndër të parët, që hapi siparin e hetimeve, ishte denoncimi i Monika Kryemadhit në vitin 2021, i dërguar me postë, për çështjen e inceneratorëve. Më pas ishin denoncimet e nismës Thurje për koncensionin e sterilizimeve dhe PPP-ve të tjera në Shëndetësi.

Edi Rama, i ka përjetuar keq këto denoncime, pasi ka parë tradhtarë nga brenda, duke u përfshirë nga paranoja dhe mania e persekutimit.

Pikërisht pas kësaj, nisi një aksion, me anë të ekipit të tij të juristëve që të hartonte denoncime, për të krijuar një axhendë, e cila në vijimësinë e saj u kthye në një plan pune hetimesh. Ndaj, njerëzëve që Edi Rama i ka piketuar prej kohësh si objektiv për planin e largimit nga enturazhi i tij, i të gjithë personazheve të njohura.

Një metodë pune e marrë ‘copy paste’ nga axhendat e Erdoganit, i cili eleminoi të gjithë njerëzit më të rëndësishëm që e sollën në pushtet. Që nga Abdullah Gyl, njeriu që i ruajti të ngrohtë poltronin e kryeministrit kur Erdogan ishte në burg, te Fetullah Gyleni, e deri tek ideologu i lëvizjes neotomane, Ahmet Davutoglu. I cili ishte ministër i Jashtëm dhe Kryeministër i Erdogan gjatë kohës së ngritjes dhe rritjes së reputacionit politik.

Edhe Rama, ka vepruar ekzaktësisht në të njëjtën skenar, duke mos bërë asnjë shpikje. Për të mbajtur e zgjatur pushtetin e tij, ka larguar me metoda nga më të ndryshmet, të gjithë politikanët potencialë në PS, duke i zëvendësuar me të tjerë, pikërisht kur karriera dhe investimi i tyre, ishte pjekur dhe profili i tyre ishte krijuar.

Në fillim Saimir Tahiri, më pas Ditmir Bushati, Arben Ahmetaj, loja me listat me Pandeli Majkon, Fatmir Xhafajn e Mimi Kodhelin. Largimi nga butonat e  pushtetit të Blendi Klosit e Niko Peleshit. Për të ardhur në ditët e sotme me afrimin e Blendi Gonxhes, goditjen e Veliajt dhe Ballukut, duke përdorur denoncimet e fshehta, në mënyrë që të dëmtojë karrierën e tyre politike.

Për të ardhur në atë ide që Edi Rama e përsërit shpesh, kur thotë se “liderët janë gjithmonë vetëm”. Por në të vërtetë të vetëm janë vetëm faraonët, sulltanët, diktatorët, tiranët, që e përqëndrojnë të gjithë pushtetin në duart e tyre. Duke bërë që një komb i tërë të vritet nga mendja, dëshirat, epshet, huqet, veset, problemet, sëmundjet e një personi.

Luigji XIV, i cili është themeluesi i autoritarizmit në botën perëndimore, kur dy nga njerëzit më të zgjuar në kabinet, ministri i Financave, përkatësisht taksambledhësi dhe ministri i Drejtësisë, i shpjeguan se disa çështje janë “Punë të Shtetit”, sovrani u ngrit në këmbë dhe deklamoi: “Shteti jam Unë”!

Të dy ministrat e Luigjit vijuan punën deri në fund, duke ju qëndruar besnik sovranit të tyre, deri sa vdekja u erdhi natyrshëm. Kurse sulltanët otomanë, e kishin praktikë pune që të gjithë vezirëve e gjeneralëve u priste kokat dhe u merrte pasurinë, edhe sikur të kishin qenë besnikë të përbetuar.

Thjesht për të mos i lënë mundësinë e trashëgimisë së pushtetit. Si legjenda e vjetër greke kur Kronosi hante këlyshët e vet, për të mos e zëvendësuar. Kështu po bën edhe Edi Rama./Pamfleti

*Kroni(greqisht Kronos), figurë mitologjike, i biri i Uranit dhe i Gjeas. Ishte at i shumë fëmijëve, të cilët i hante porsa lindnin. I vetmi fëmijë që shpëtoi nga Kroni ishte Zeusi.  

edi rama kronos ha këlyshët e vet

Lini një Përgjigje