TAGS-AT E JAVËS

Editorial24 Janar 2025, 10:24

Midis Trumpizmit dhe BE-së: ku po e çon Italinë Giorgia Meloni?

Shkruar nga Jean-Pierre Darnis
Midis Trumpizmit dhe BE-së: ku po e çon Italinë Giorgia Meloni?
Donald trump dhe Giorgia Meloni /

Giorgia Meloni, ishte e vetmja udhëheqëse e një qeverie të Bashkimit Evropian në ceremoninë e inaugurimin e dytë si president të Donald Trump...

Marrëdhënia e qeverisë Meloni me presidencën Trump, duket të jetë një çështje vendimtare, si në nivel kombëtar në Itali, ashtu edhe në atë evropian.

Pikëpyetja është nëse, duke iu nënshtruar presionit të Trump, qeveria italiane mund të joshet të ecë e vetme përpara, për të përfituar nga një regjim tregtar i privilegjuar me Shtetet e Bashkuara, apo nëse Italia po synon të veprojë si një ndërmjetëse midis Brukselit dhe Uashingtonit brenda kuadrit të BE-së.

Ky afrim duket se i bindet logjikave të ndryshme. Vlen të kujtojmë se kur demokristianët e mbështetën SHBA-në në fund të Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet transatlantike kanë qenë një nga shtyllat e qeverisjes në Itali. Në fakt, marrëdhënia midis Melonit dhe ish-presidentit amerikan Joe Biden u përshkrua si “shumë e mirë”.

Megjithatë, në panoramën politike italiane, qasja “Amerika e Para” e mishëruar nga Trump ka përfaqësuar një model. Kështu Liga e ekstremit të djathtë të Matteo Salvinit, ka treguar gjithmonë vlerësimin e saj për modelin Trumpian. Gjatë presidencës së parë të Trump, ishte kryeministri Giuseppe Conte, një anëtar i lëvizjes populiste Pesë Yjet, ai që u shfaq si homologu i privilegjuar i Trump në Itali.

Deri në rizgjedhjen e Trump, pozicioni i Giorgia Melonit ishte i kujdesshëm. Një anëtare e partisë së saj mori pjesë në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee korrikun e vitit të kaluar, por jo si një sinjal përkushtimi nga të gjithë anëtarët e saj. Rezultati i zgjedhjeve në SHBA e ndryshoi situatën.

Ashtu si anëtarët e tjerë të BE-së, Italia është e shqetësuar për vendosjen e mundshme të tarifave që mund të dëmtojnë eksportet në SHBA. Për Romën, ruajtja e një suficiti tregtar është një prioritet politik dhe ekonomik. Së dyti, nacionalistja Meloni dëshiron të jetë në gjendje të ketë një dialog të privilegjuar me Trump, gjë që mund të jetë një avantazh në Evropë, për shkak të  dobësisë së kancelarit Olaf Scholz në Gjermani dhe presidencës së Emmanuel Macron në Francë.

Marrëdhëniet Itali-SHBA janë intensifikuar për shkak të dy situatave më të fundit. Pas burgosjes së gazetares italiane Cecilia Sala në Iran më 19 dhjetor, qeveria italiane punoi për të siguruar lirimin e saj. Kjo u arrit në këmbim të premtimit për të liruar Mohammad Abedini, një shtetas iranian i cili ishte arrestuar në Itali pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SHBA-ja.

Vizita e befasishme e Melonit në resortin Mar-a-Lago të Trump më 4 janar, ndihmoi në sigurimin e mbështetjes nga administrata e ardhshme. Suksesi i saj, tregon se Meloni ishte në gjendje të krijonte një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Trump.

Nga ana tjetër, që nga dhjetori i vitit të kaluar, në Itali ka pasur debate mbi një kontratë të mundshme shërbimi publik me Starlink, rrjetin satelitor të krijuar nga mbështetësi i miliarderit Trump, Elon Musk. Vjeshtën e 2024-ës, qeveria ngriti mundësinë e përdorimit të Starlink për të kompensuar dobësitë në komponentin e lidhjes të planit të saj të infrastrukturës.

U diskutua për shtrirjen e kësaj lidhjeje tek përdoruesit publikë në situata emergjente, si forcat e armatosura dhe rrjeti diplomatik, teksa vazhdojnë studimet e fizibilitetit. Por kjo shkaktoi edhe protesta. Qëndrimet e fundit të Musk ndaj udhëheqësve të ndryshëm evropianë, janë perceptuar brenda BE-së si një formë ndërhyrjeje, duke pasur parasysh aftësinë e manjatit amerikan për ta përforcuar ndikimin përmes platformës së tij sociale X.

Anëtarët e opozitës në parlamentin italian, shprehën kritika të forta ndaj një nisme, e cila edhe pse teknikisht dhe operativisht logjike, mund të jetë një formë kontrolli nga kompania e Musk, dhe për rrjedhojë nga administrata amerikane, mbi të dhënat që konsiderohen të ndjeshme dhe sovrane.

Për më tepër, çështja e sovranitetit teknologjik, del në pah në një kohë kur industria kombëtare e Italisë, e udhëhequr nga Grupi Leonardo, është e përfshirë në programet e Komunikimeve Satelitore Qeveritare të BE-së (GOVSATCOM) dhe IRIS2. Meloni kishte krijuar tashmë një marrëdhënie të përzemërt me Musk.

Ai ishte ftuar në Atreju, një mbledhje e forumit rinor të partisë së saj Fratelli D’Italia në fund të vitit 2023. Por në mesin e alarmit midis palëve, përfshirë komunitetin italian të mbrojtjes dhe presidencën e saj, ka pasur një rritje të politizimi të kontratës së mundshme me Starlink.

Madje kjo çështje mund të bëhet një pikë kthese në marrëdhëniet midis qeverisë Meloni dhe administratës së dytë Trump. Nga njëra anë, brenda Bashkimit Evropian ekziston një aspekt i federalizmit, i cili ka një grup legjislacioni, veçanërisht Aktin e Shërbimit Dixhital, që zbatohet për platformat globale që synon të rregullojë.

Nga ana tjetër, disa në Itali, si kudo tjetër, mund të tundohen nga kthesa djathtas e teknologjisë së madhe që i parapriu mandatit të dytë të Trump, me një vizion të zhvillimit ekonomik të papenguar nga rregulloret. Prandaj kemi një qëndrim paradoksal nga qeveria italiane: lirimi nga Irani i gazetares Cecilia Sala, dëshmon krijimin e një kanali të mirë diplomatik me Trump dhe ekipet e tij, ndërsa marrëveshja me kompaninë e Elon Musk, Starlink, ngre pikëpyetje rreth sovranitetit në fushën e teknologjisë.

Roma duhet të shqyrtojë më tej pasojat kombëtare dhe evropiane, përpara se të luajë një lojë të madhe transatlantike. Italia është e ankoruar fort brenda BE-së, një pozicion në të cilin Meloni ka treguar deri më tani një ortodoksi të jashtëzakonshme. Për shembull, duke shfaqur mbështetje të palëkundur për Ukrainën përballë agresionit rus.

Çdo përllogaritje që favorizon interesat kombëtare në dëm të bllokut, i motivuar ndoshta nga mendimi se Uashingtoni mund të jetë një lloj alternativë ndaj Brukselit, do të hynte në një spirale të lojës me shumën negative, ndërsa thelbi i BE-së është me shumën pozitive.

Pikëpamja e Trump ndaj Evropës, tashmë shumë përçarëse, mund të përkeqësohet më tej nëse do të ketë valë arrestimesh të emigrantëve të paligjshëm në SHBA. Mund të jetë e dobishme që kryeministrja  Meloni të ketë kapacitetin e saj për dialog me Uashingtonin. Por vetëm nëse ai zhvillohet edhe brenda një kuadri ndërmjetësues pan-evropian.

Dhe veçanërisht duke mbajtur marrëdhënie të ngushta me Francën dhe Gjermaninë. Ecja e vetme përpara, jo vetëm që do të izolonte Romën në një periudhë afatmesme, por do të dobësonte potencialisht edhe vetë Evropën. Në Itali, Meloni ka arritur të krijojë një narrativë nacionaliste, pa e vënë në dyshim bazën e saj socialdemokrate.

Për shembull, kjo mund të shihet në politikën e migracionit, ku opinioni publik u përqendrua mbi qendrat e paraburgimit në Shqipëri. Por që nga 24 nëntori, atje janë dërguar vetëm 24 emigrantë. Mandati i dytë i Trump, mund të ndihmojë në zgjerimin e pushtetit të së djathtës në Itali. Partnerët evropianë, do të këshilloheshin që të mos e përjashtonin qeverinë italiane në kontekstin aktual, por të angazhoheshin në një dialog bazuar tek fatet e tyre të ndërlidhura.

evropa trumpizmi giorgia meloni italia

Lini një Përgjigje

Editorial