Kjo është lloji i botës në të cilën Donald Trump dëshiron që të kthehemi, duke mohuar vlerat liberale, institucionet ndërkombëtare, nismat mjedisore dhe zërat e kombeve të vogla. Dhe në këtë qasje, ai duket se është dakord me Putinin...
Në pamje të parë, fjalimi i Donald Trump mbi marrjen e Grenlandës tingëllon aq i vjetëruar sa edhe dialogu midis adoleshentëve të Nju Jorkut në filmin “Just Before the War With The Eskimos” të J.D.Salinger. Megjithatë, fiksimi i Trump ka rrënjë të thella.
Ai bëri një propozim të ngjashëm në fund të presidencës së tij të parë në gusht 2019, duke kërkuar që Danimarka t’ia shesë ishullin Shteteve të Bashkuara. Mediat cituan shumën 600 milionë dollarë. Kur kryeministri danez refuzoi të negociojë, presidenti amerikan e anuloi vizitën e tij të planifikuar në Kopenhagë.
Më shumë se 7 dekada përpara se Trump të merrte detyrën për herë të parë, Harry Truman u bëri danezëve të njëjtën ofertë, por me çmimin 100 milionë dollarë. Edhe ajo u refuzua. Trump synon që ta vendosë emrin e tij në librat e historisë së bashku me atë të Thomas Jefferson, i cili në vitin 1803 i pagoi Francës 15 milionë dollarë për të blerë një sipërfaqe të madhe territori në perëndim të lumit Misisipi, duke e dyfishuar madhësinë e Shteteve të Bashkuara.
Në vitin 1867 Andrew Johnson, i pagoi Rusisë 7 milionë dollarë për të blerë Alaskën. Blerja e Grenlandës dhe Kanadasë - të cilën Trump ka propozuar ta bëjë shtetin e 51- do ta bënte SHBA-në vendin më të madh në botë për nga sipërfaqja. Por në lojë janë faktorë më të rëndësishëm.
Një zhvillues i pasurive të paluajtshme i kthyer në aktor gjeopolitik, Trump duket se po zbaton një maksimë të vjetër në profesionin e tij të ri: vendndodhjen, vendndodhjen, vendndodhjen.
Grenlanda ka një pozicion strategjik unik në gjysmë të rrugës midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, duke kontrolluar rrugët e transportit, peshkimin dhe komunikimet strategjike në Atlantikun e Veriut.
Për të mos harruar rezervat e saj minerale, më së shumti elemente të rralla të tokës dhe depozitat e naftës në det të hapur, me një vëllim total prej mbi 50 miliardë fuçi.
Si biznesmen, Trump e sheh para së gjithash këtë çështje në aspektin e çmimit.
“The Economist” vlerëson se një ofertë e drejtë do të ishte 50 miliardë dollarë, vetëm 5 për qind e buxhetit ushtarak të SHBA-së, dhe madje edhe më pak se pagesat e sigurimit për dëmet e zjarreve në Kaliforni. Për Grenlandën, kjo pagesë do të ishte rreth 1 milion dollarë për çdo banor.
Por në fund, kjo çështje nuk ka të bëjë me çmimin, apo edhe me fiksimin e Trump për ujditë. Fakti më i habitshëm në lidhje me debatin rreth Grenlandës është ligjërimi i rishikimit të kufijve në shekullin XXI-të. Ai që e hapi Kutinë e Pandorës, nuk ishte Putin por Vladimir Putin me aneksimin e Krimesë në mars 2014.
Miratimi i menjëhershëm i tij nga parlamenti rus dhe përgjigja e dobët globale - Rusia pësoi sanksione dhe një izolim ndërkombëtar relavitisht modest - vetëm sa e nxitën oreksin e agresorit. Pas vitit 2022, ai pushtoi pjesërisht 4 rajone të tjera të Ukrainës, dhe njoftoi përfshirjen e tyre të plotë në Federatën Ruse.
Aktualisht, Rusia ka pushtuar afro 20 për qind të territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, dhe bisedimet e paqes që kanë nisur në prapaskenë mund ta ngrijnë këtë statuskuo për një kohë të pacaktuar. Rezultati përfundimtar i luftës Rusi-Ukrainë mbetet i panjohur, por deri në fund të vitit të tretë, Putini e ka arritur objektivin kryesor: ai e ka minuar ligjin ndërkombëtar, ka delegjitimuar rendin botëror dhe i ka shtyrë më tej kufijtë e të mundshmes, duke rifilluar një epokë të grabitjeve territoriale.
Tani analistët po vlerësojnë mundësinë e një sulmi të Kinës ndaj Tajvanit, një konflikt Indi-Pakistan mbi rajonin e Kashmirit, një pushtim turk të Kurdistanit sirian dhe një aneksim rus të Bjellorusisë. Ndërkohë Izraeli, po zgjeron më tej zonën e tij të sigurisë në Lartësitë Golan në Liban, ndërsa për të dytin vit radhazi, Venezuela është duke u përpjekur të aneksojë Guajanën.
Këto gllabërime tokash nuk do të ndodhin domosdoshmërisht - edhe nëse ndodhin, njohja e tyre e gjerë është e pamundur të imagjinohet - por një gjë është e sigurt: sistemi ndërkombëtar ka hyrë në një gjendje, në të cilën kufijtë nuk janë më të shenjtë, dhe fuqia e ligjit po i nënshtrohet logjikës së fuqive të mëdha.
Në këtë fushë dhe me këto pritshmëri po luan edhe Trump. Ashtu si Putin, edhe Trump shpreson në shkatërrimin e sistemit aktual - si brenda vendit (duke çmontuar të ashtuquajturin Deep State) ashtu edhe ndërkombëtarisht (duke minuar institucionet ndërkombëtare, nga OKB-ja tek NATO).
Ashtu si Putini, edhe Trump po nxit enkas kaosin për të përfituar sa më shumë prej tij. Propozimi i tij mbi Grenlandën, i përshtatet skemës së një “riorganizimi të madh” të botës, që shqetësohet shumë pak gjëra si ligjet dhe zërat e pakicave.
Trump i sheh veprimet e tij si një hap simbolik, i krijuar për të shkatërruar rendin e vjetër botëror liberal. Prandaj Kremlini po e ndjek me shumë interes aventurën e Trumpit në Grenlandë. Më 9 janar, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov tha seduhet të merret parasysh “opinioni i popullit të Grenlandës”, ashtu si “opinioni i njerëzve të 4 rajoneve të reja të Rusisë”.
Për më tepër, siç shkruan gjermania Bild , sipas shërbimit danez të inteligjencës PET, deklarata e Trump mund të jetë e frymëzuar nga Moska. PET beson se agjentët rusë fabrikuan një letër në vitin 2019 në emër të Ministres së Jashtme të Grenlandës, Ane Lone Bagger, drejtuar senatorit amerikan Tom Cotton.
Dhe ishte diskutimi i letrës nga Cotton, ai që nxiti në mendjen e Trump idenë për të blerë Grenlandën. Megjithatë, edhe nëse nuk konfirmohet kjo, interesi i Moskës për të lobuar në çështjen e Groenlandës është shumë i dukshëm.
Sepse “vendos në kontekst” aneksimin e një pjese të Ukrainës nga Rusia, dhe e zhvendos fokusin nga lufta e vazhdueshme në shkallë e plotë e Moskës ndaj Ukrainës. Njëkohësisht e godet NATO-n, minon solidaritetin transatlantik dhe e dobëson BE-në si një lojtare në skenën globale.
Kjo çështje, është shumë më e gjerë në aspektin politik dhe gjeografik. Ajo nuk ka të bëjë me atë se kush do të zotërojë Grenlandën, por me fatin e Arktikut, dhe më në përgjithësi të parimeve themelore të sistemit të ardhshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Oferta e Trump për Grenlandën ka qenë e motivuar nga interesat ekonomike dhe ushtarake: minierat, transporti tregtar, ndërtimi i bazave ajrore dhe aeroportet civile, krijimi i më shumë bazave ushtarake, dhe në përgjithësi militarizimi i Arktikut.
Lista e dëshirave të Rusisë së Putinit është e ngjashme: më shumë baza ushtarake, zhvillimi i shelfit kontinental dhe zgjerimi i transportit detar përgjatë Rrugës së Detit të Veriut. Sipërfaqja totale ujore që Rusia dëshiron të shohë si zonën e saj ekskluzive ekonomike arrin në 1.2 milion km2, dhe në tetor 2024, OKB-ja regjistroi aplikimin e Rusisë (dhe tani është duke pritur për aplikimet e konkurrentëve).
Kinës nuk i pëlqen parimi aktual i ndarjes sektoriale në rajonin e Arktikut, ndaj mund t’i bashkohet garës. Pekini pret të ndryshojë rendin aktual, dhe është i gatshëm të përdorë edhe forcën, nëse do të duhet. Ndërsa Trump e ka mendjen te Grenlanda, Kina po bashkëpunon tashmë me Islandën.
Kjo axhendë na rikthen prapa në shekuj, në një botë të forcës brutale, shfrytëzimit të burimeve dhe kolonizimit të Arktikut, ku popujt vendas janë si gurë në një lojë shahu të fuqive të mëdha. Kjo është lloji i botës në të cilën Donald Trump dëshiron që të kthehemi, duke mohuar vlerat liberale, institucionet ndërkombëtare, nismat mjedisore dhe zërat e kombeve të vogla. Dhe në këtë qasje, ai duket se është dakord me Putinin./Përshtati Pamfleti nga “The “Insider”
Lini një Përgjigje