
Unë iu them nga përvoja ime: Mos u shqetësoni. Dhe mbi të gjitha pyes veten: çfarë mendon për këto gjëra Edi Rama?
Shkova në Shqipëri gati 10 vjet më parë. “Në rast se dëshiron të punosh me ne, duhet të vish në Tiranë...”. Në Tiranë? Gjërat shkojnë pak a shumë kështu. Për punë shkon atje ku ajo është, dhe në rastin tim në Shqipëri. Por, përtej vendndodhjes së papritur, nuk e mendova asnjëherë: ”Tani më duhet manuali i orientimit!”.
Megjithatë, 10 vjet pas përvojës sime në Shqipëri, vend që ndërkohë ka arritur një ndryshim të madh social, ekonomik dhe kulturor, qeveria jonë, apo cilido qoftë në emër të saj, mendoi se duhej një dekalog për policët italianë, që duhet të shkojnë të punojnë në Qendrat për Riatdhesimin e Emigrantëve, fryt i marrëveshjes Meloni- Rama.
E vërtetë është njëra nga të dyja: ose besohet se Shqipëria i ngjan pak a shumë kontinentit afrikan, të evokuar nga revistat popullore të viteve 1950, ose supozohet se bashkatdhetarët tanë të zgjedhur për misionin historike, nuk e kanë lënë kurrë Gralin e Shenjtë.
Shqipëria që unë njoha në vitin 2015, ishte tashmë në një zhvillim të vrullshëm. Taksistët ishin larguar prej disa vitesh nga Italia për t’u rikthyer në atdhe (filmi i Gianni Amelio L’america rrëfente me mjeshtëri epopenë dramatike të arratisjes nga vendi), kishte kudo kantiere të hapura, klube plot me të rinj, supermarkete të mbushura me produkte.
Edhe aeroporti i Tiranës që mban emrin e Nënë Terezës, ishte modern dhe mikpritëse. Në vitin 2015, të rinjtë shqiptarë dinin tashmë tre gjuhë pas shkollës së mesme dhe ëndërronin shumë. Dhe unë supozoj se ata ëndërrojnë ende për një të ardhme me të mirë.
Në atë kohë, nuk ndjeva asnjëherë ndonjë hendek të madh kulturor apo njerëzor. Ndaj sot më vjen për të qeshur, teksa lexoj udhëzimet për policët tanë, që ndoshta do të zbarkojnë në këto qendra më 15 gusht. U thuhet që të kenë kujdes sepse shqiptarët janë “një popull i rezervuar, prandaj lakuriqësia dhe veshjet ekstravagante në publik, nuk janë të mirëpritura”, a thua se po dërgojnë jo policë por bodybuilder.
Apo sikur shqiptarëve t’u kenë ecur ora me personazhe si Asunta apo Konçeta nga filmat italianë të neorealizmit. Por ka më shumë se kaq madje dhe më keq.
“Shmangni vardisjen ndaj grave shqiptare në kontekste të ndryshme dhe në mënyrë të çuditshme...Burri që mëson nga të tjerët apo e sheh vetë gruan e tij duke u ngacmuar nga një burrë tjetër, mund të reagojë keq”.
Sipas kësaj logjike kjo gjë në Itali nuk ndodh. Pra ne këtej jemi aq të përparuar, sa nëse shohim skena të tilla me gratë tona u themi “Ju lutem mos u shqetësoni, vazhdoni punën...”. Por problemi qëndron tek “gruaja e dikujt”, që thotë gjithçka për kulturën tonë ende konservatore, dhe jo të tyren.
Por le të vazhdojmë më tej. ”Pirja e kafes nuk kryhet në banak, por vetëm ulur në tavolina. Kjo është një traditë e fortë që duhet respektuar”. Në këtë pikë po e përsëris pyetjen: Cilët po dërgojmë në Shqipëri? Jo, sepse nëse banaku nuk është aty, nuk mund të prisni që ta keni.
Sepse tanët do të shkojnë jo në Tiranë, por në Gjadër. Por unë ju paralajmëroj: bota është globalizuar edhe në Shqipëri. Jo shumë, por mjaftueshëm. Prej 20 e ca vitesh, sipërmarrës të vegjël dhe të mëdhenj italianë kanë ardhur e kanë ikur: ka kafe dhe kafene italiane në disa vende. Pica është një produkt universal, makaronat e kështu me radhë, dhe tani për tani me çmime ende të pranueshme (por pas vajtje-ardhjeve tona si turistë, nuk e di nëse do të mbeten të tilla).
“Gatimet shqiptare janë shumë pikante”, paralajmëron autori i manualit. E çfarë pastaj? Kemi edhe në Itali gjellë të tilla si pene all’arrabiata, rigatoni alla puttanesca etj. Në Shqipëri, ashtu si tek ne, ka një meny: merre ose mos e merr diçka, dhe nëse nuk e di pyet dhe do të ta shpjegojnë, duke qenë se këtu gati të gjithë flasin italisht (“kini kujdes si flisni”, thuhet më tej në manual).
Në fund rekomandohet: ”Kini shumë kujdes kur përdorni makina private dhe të kompanisë, për shkak të kushteve të pasigurta të rrugëve”. Sepse në fakt këtu në Itali e kemi gjithçka të përsosur...
Por kush e shkroi vallë këtë manual?
Përreth aeroportit të Tiranës ka dhjetëra kompani që japin makina me qira, dhe që janë përdorur nga bashkatdhetarët tanë që shkojnë në bregdet për pushime. Dhe në rrugë, që as më shumë e as më pak se rrugët që mund t’i gjeni në Greqi, Turqi dhe në disa raste edhe në Kroaci.
Shumë shpejt, gjurmët e rrugëve të rrënuara, nuk do të ekzistojnë më në Shqipëri, madje as për të shkuar në mal.
Së fundmi, në manual sugjerohet që të merren me vete solucione, sepse zona ku ndodhen 2 qendrat është e infektuar me mushkonja dhe insekte.
Njëlloj si në parqet e qyteteve tona, nga prilli në nëntor. Por për Shqipërinë disa mendojnë se duhet shkruar. Unë iu them nga përvoja ime: Mos u shqetësoni. Dhe mbi të gjitha pyes veten: çfarë mendon për këto gjëra Edi Rama?/Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje