TAGS-AT E JAVËS

Editorial18 Shtator 2025, 10:56

Frikacaku ynë!

Shkruar nga Gjergj Zefi

Frikacaku ynë!

Tre minuta heshtje për një vend që nuk qeveriset më nga ligji, por nga frika që e ka pushtuar kryeministrin dhe gjithë shtetin…

Tre minuta! Mjaftuan vetëm tre minuta që një parlament i tërë, i kthyer në një sallon kukullash politike, të miratonte programin e një qeverie që pretendon të drejtojë fatin e shqiptarëve për katër vitet e ardhshme.

Tre minuta heshtje, servilizëm dhe lëpirje; një fotografi e qartë e degradimit institucional që po ndodh në Shqipëri, nën regjimin personal të Edi Ramës. Ky nuk është votim. Kjo është frikë. Dhe nuk është frika e deputetëve, as frikë e qytetarëve, është frika e vetë Edi Ramës.

Frika se çdo debat do të shpërfaqë dështimet e mbuluara nën propagandë. Frika se çdo pyetje do të zbulojë plagët e thella që ai i ka hapur këtij vendi me 12 vite abuzim, arrogancë dhe zhvatje. Frika se çdo mikrofon që nuk është i kontrolluar do të flasë për inceneratorët, për koncesionet mafioze, për ndarjen e tenderëve mes miqve dhe bandave. Sepse Rama nuk po qeveris më, ai po mbijeton. Dhe mbijeton duke kontrolluar gjithçka: parlamentin, median, drejtësinë, ekonominë dhe mbi të gjitha, narrativën.

Arroganca e Edi Ramës nuk është më shenjë force, por maskë e trashë e një frike që po e gërryen nga brenda. Sa më shumë flet me përçmim për kundërshtarët, sa më shumë i injoron institucionet, sa më shumë e kthen parlamentin në teatër njëpersonazhësh, aq më shumë bëhet e qartë se nuk kemi të bëjmë me një udhëheqës të sigurt, por me një njeri që ka frikë të përballet me të vërtetën. Frikë nga e shkuara që po i vjen pas, frikë nga drejtësia që po afrohet, frikë nga kontrolli që po i rrëshqet. Arroganca është thjesht zhurma që ai krijon për të mbuluar dridhjen.

Një votim në 3 minuta është simboli më i qartë se sa i madh është paniku që ka përfshirë kupolën.

Edi Rama është peng. Jo vetëm i të kaluarës së tij të errët, por edhe i grupeve që e kanë mbajtur në pushtet me dhunë, terror, blerje votash dhe trafiqe. Është një njeri i zhveshur nga çdo legjitimitet moral, që kërkon të mbulojë dobësinë me arrogancë, të fshehë panikun me spektakël, dhe të shmangë përballjen me drejtësinë përmes kontrollit të skajshëm.

Kur Rama flet për program qeverisës, flet si një monark që lexon dekretin e tij, jo si një kryeministër që i jep llogari Kuvendit. Ai nuk sheh më institucione; sheh pengesa. Nuk sheh më qytetarë; sheh telashe. Nuk sheh më gazetarë; sheh rrezik. Dhe kur frika e një lideri kthehet në frikë sistemike, atëherë vendi nuk drejtohet më, por komandohet. Sepse ai nuk qeveris për të ndërtuar, por për të shpëtuar vetveten.

Tre minuta nuk janë votim. Janë alibi. Janë prova se demokracia shqiptare nuk është në krizë; është në koma. Dhe sa kohë që frika e Ramës do të vazhdojë të komandojë institucionet, çdo votim, çdo reformë, çdo deklaratë do të jetë vetëm një fasadë. Shqipëria ka nevojë për liri, jo për spektakël. Ka nevojë për drejtësi, jo për monologje. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për përballje; jo për frikë. /Pamfleti

frikacaku ynë gjergj zefi edi rama

Lini një Përgjigje

Editorial