TAGS-AT E JAVËS

Editorial13 Shtator 2025, 15:00

“Roda”* e urrejtjes

Shkruar nga Gjergj Zefi
“Roda”* e urrejtjes
"Roda" (Lejleku) i Urrejtjes /

Gjuha shqipe vazhdon të përballet me histerinë nacionaliste në Mal të Zi...

Në një natë që duhej të ishte festë e kinemasë, arti u përball me censurën. Në Džada Film Fest në Podgoricë, filmi “Roda” i regjisorit të mirënjohur Isa Çosja u ndërpre në zonën Zabjelo për arsye që nuk kanë asnjë lidhje me estetikën apo përmbajtjen artistike.

Filmi u quajt “i papërshtatshëm” nga një grup qytetarësh thjesht sepse përmbante dialog në gjuhën shqipe dhe përmendte Kosovën si shtet.

Ky nuk është një rast i izoluar, por simptomë e një tensioni të vazhdueshëm në Ballkan: gjuha shqipe, në disa qarqe, perceptohet si kërcënim, jo si pasuri. Edhe pse shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë së Malit të Zi, edhe pse ligji e njeh shqipen si gjuhë zyrtare në disa komuna, prania e saj publike ende shkakton reagime histerike.

Autori dhe intelektuali malazez Balša Brković, në një editorial të fuqishëm në Vijesti, e cilësoi ngjarjen si “fashizëm kulturor”. Ai shkroi:

“Kur gjuhën time përdorin për të shprehur një realitet që ekziston, ata që duan ta ndalojnë nuk po kundërshtojnë vetëm një film, po sfidojnë të drejtën e ekzistencës sime kulturore.”

Ky është thelbi i problemit: një film që ekspozon të vërtetën e bashkëjetesës shumëetnike, të një Mali të Zi me shumë zëra dhe shumë kultura, shihet si kërcënim. Pse? Sepse për disa qarqe, ekzistenca e një “tjetri”, qoftë shqiptar, boshnjak apo rom, është e padurueshme në skenën publike.

Në vend që ky incident të shërbente si mundësi reflektimi për shoqërinë malazeze, institucionet heshtën. Nuk pati reagim nga Ministria e Kulturës, as nga komuna e Podgoricës. Kjo heshtje nuk është vetëm frikë nga reagimi public, është edhe një mënyrë për të mos pranuar realitetin që një pjesë e vendit dëshiron ta fshijë.

Në vitin 2020, ish-presidenti malazez Milo Đukanović deklaronte në një forum ndërkombëtar:

“Mali i Zi është model i bashkëjetesës dhe i harmonisë ndërfetare dhe ndërnacionale.”
Ngjarje si kjo me “Rodën” tregojnë se ky model është ende në fazë embrionale dhe mund të shembet në çdo moment nga një pakicë që jeton ende me narrativat e shekullit të kaluar.

Për shqiptarët në Mal të Zi, kjo është më shumë se një fyerje. Është një kujtesë e ashpër se integrimi kulturor nuk arrihet vetëm me ligje dhe dokumente zyrtare, por me qëndrime publike dhe guxim institucional. Përdorimi i shqipes nuk duhet të jetë akt politik, është një realitet gjuhësor dhe kulturor që nuk mund të ndalohet me britma as me censurë.

Kinemaja është një nga artet më të ndjeshme ndaj lirisë së shprehjes. Kur një film përndiqet për gjuhën që përdor, atëherë shoqëria në të cilën shfaqet ka nevojë për një diagnozë të thellë.

Në këtë kontekst, Shqipëria, si shtet që mbron të drejtat e bashkëkombësve të saj në rajon, ka të drejtën dhe detyrën të ndjekë me vëmendje këto zhvillime. Jo për të ndërhyrë, por për të kujtuar se gjuha shqipe nuk është vetëm një çështje kulturore, është pjesë e pazgjidhshme e sovranitetit të secilit qytetar që e flet, kudo që ndodhet./Pamfleti

*"Roda" është filmi i Regjisorit Isa Qosja

roda lejleku gjergj zefi filmi i isa qosjes podgorica gjuha shqipe

Lini një Përgjigje

Editorial