Kur urrejtja vret dhe empatia bëhet selektive: Rasti Charlie Kirk dhe mësimi për ne të gjithë...

Vrasja e aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk, një nga figurat më të zëshme të lëvizjes së djathtë “MAGA” dhe themelues i organizatës “Turning Point USA”, është ngjarja e fundit që dëshmon se retorika politike e mbushur me urrejtje, cinizëm dhe demonizim nuk mbetet më në fjalë. Ajo po përkthehet gjithnjë e më shpesh në gjak, dhunë dhe vdekje.
I dyshuari për vrasjen, një i ri 22-vjeçar me qëndrime të theksuara armiqësore ndaj Kirk-ut, u arrestua pas një ndjekjeje intensive nga autoritetet. Motivet ende nuk janë zyrtarisht të konfirmuara, por sinjalet janë të qarta: ky nuk është thjesht një akt i izoluar, por një pasojë e drejtpërdrejtë e klimës gjithnjë e më helmuese politike në Shtetet e Bashkuara.
Charlie Kirk ishte një figurë që nxiste polemika. Ai përfaqësonte një të djathtë agresive, e cila në retorikën e saj shpesh fuste në shënjestër pakicat, emigrantët dhe çdo mendim ndryshe nga ai konservator.
Por të mos jesh dakord me një njeri dhe të luftosh ideologjinë e tij nuk do të thotë të mohosh dinjitetin e tij si qenie njerëzore. Pikërisht këtu qëndron rreziku i “empatisë selektive”, një koncept që po bëhet normë: të ndjejmë dhimbje vetëm për ata që na përngjajnë politikisht dhe të heshtim ose të justifikojmë vuajtjen e “kundërshtarëve”.
Edhe kur Donald Trump iu mbijetoi një atentati vitin e kaluar, shumë prej kritikëve të tij u dukën të zhgënjyer që nuk vdiq. Komentet tallëse dhe urrejtëse online përfaqësojnë jo thjesht një krizë etike, por një kërcënim të drejtpërdrejtë për rendin demokratik. Sepse nëse pranojmë që “tjetri” e meriton dhunën vetëm sepse mendon ndryshe, atëherë e kemi humbur të drejtën për të kërkuar drejtësi edhe për veten tonë.
Problemi nuk qëndron vetëm në ekstremet politike. Edhe ne që i kundërvihemi retorikës toksike të Trumpit apo Kirk-ut, shpesh bie në të njëjtën grackë: heshtim kur dhuna prek palën tjetër, gëzohemi në mënyrë të fshehtë kur “armiku” pëson një goditje fatale, e madje bëjmë humor me fatkeqësitë e tyre.
Nëse nuk jemi të gatshëm të mbrojmë parimet tona edhe kur bëhet fjalë për njerëz që i përçmojmë, atëherë nuk jemi më idealistë, por oportunistë moralë.
Në fund të ditës, kjo nuk është vetëm një çështje amerikane. Është një mësim universal. Edhe në Shqipëri e në Ballkan, urrejtja politike po thellohet, polarizimi po bëhet standard dhe retorika e përjashtimit është në modë.
Le ta mësojmë nga tragjeditë e të tjerëve se në çfarë humnerash mund të na çojë kjo logjikë. Sepse nëse nuk jemi në gjendje të ndjejmë dhimbje për vuajtjen e “kundërshtarit”, atëherë nuk jemi më qytetarë të një shoqërie demokratike, jemi thjesht pjesëtarë të një turme që mezi pret të shohë gjak./Pamfleti
Lini një Përgjigje