
Deklaratat e përsëritura të presidentit të zgjedhur për Grenlandën, Kanalin e Panamasë dhe Kanadanë, të cilën ai dëshiron ta bëjë shtetin e 51-të, shkojnë më tej dhe po i japin presidencës së tij të dytë një dimension perandorak...
Në fillim menduam se ishte thjesht një tjetër nga tekat e shumta të Donald Trumpit. Ai ishte shprehur në këtë mënyrë që gjatë mandatit të tij të parë, mes një lumi deklaratash që ndonjëherë nuk shkonin gjëkundi. Por presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara është shumë serioz këtë herë.
Ai dëshiron të pushtojë Grenlandën dhe ta heqë nga kontrolli Danimarkës. Të martën, ai bëri një hap më tej gjatë një konferencës për shtyp që dha në rezidencën tij në Mar-a-Lago. Madje Trump nuk e përjashtoi as mundësinë e përdorimit të forcës për të marrë Grenlandën, ashtu si edhe Kanalin e Panamasë, të cilin ai kërkon që t’i kthehet Shtetet e Bashkuara.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ai kishte deklaruar se “për sigurinë kombëtare dhe lirinë në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë si një domosdoshmëri absolute pronësinë dhe kontrollin e Grenlandës”. Në këtë kuadër, kush mbërriti të martën në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës?
Donald Trump Jr., djali i madh i presidentit të ardhshëm të Amerikës. Ai zbarkoi si një vizitor i thjeshtë për të regjistruar atje një podcast. Trump e lavdëroi vizitën e djalit të tij, duke shpikur një slogan të ri të përshtatur në platformën e tij të mediave sociale Trush Social: ”Bëjeni Grenlandën Sërish të Madhe”. Trump e përzien gjithmonë seriozitetin me humorin, si një mënyrë për të ngatërruar kundërshtarët e tij.
Nuk është në shitje
Por problemi është se megjithëse ndodhet pranë kontinentit të Amerikës së Veriut, Grenlanda i përket Danimarkës që nga viti 1814, pasi u kolonizua nga Norvegjia mbi 1.000 vjet më parë. Aktualisht ajo ka statusin e një “rajoni autonom të Mbretërisë së Danimarkës”, që menaxhon punët e veta, me përjashtim të marrëdhënieve me jashtë dhe mbrojtjes.
Këto të fundit mbeten prerogativë e Kopenhagës. Për ta nënvizuar më mirë këtë qasje, vetë Mbreti i Danimarkës e modifikoi më 1 janar stemën e mbretërisë, për të theksuar më mirë zotërimet e saj, pra Grenlandën dhe Ishujt Faroe. Kryeministrja daneze, socialdemokratja Mette Fredriksen, i ka thënë kujtdo që do të dëgjojë se “Grenlanda nuk është në shitje”.
Kjo çështje, është një tjetër shenjë se si Donald Trump i trajton aleatët e tij. Të njëjtës ndjenjë i bën jehonë edhe kryeministri i Grenlandës, Múte Egede, një anëtar i popullit Inuit dhe një mbështetës i pavarësisë së territorit. “Grenlanda u përket grenlandezëve, e ardhmja jonë dhe pavarësia jonë janë një çështje e jona!”- ka thënë ai. Me fjalë të tjera, banorët autoktonë të Grenlandës nuk duan të shkëputen nga Danimarka, vetëm për të rënë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara .
Një dimension imperialist
Po cilat janë motivet e Donald Trump pas kësaj sjelljeje? Sigurisht, nën sipërfaqen e Grenlandës ka sasi të mëdha mineralesh, të cilat janë shumë të nevojshme për fazën e tranzicionit të ekonomisë nga karburantet ndotëse tek ato më ekologjike. Ndryshimet klimatike, po i bëjnë më të aksesueshme.
Pastaj është çështja strategjike e kontrollit të Arktikut, nën dritën e ambicieve të mëdha të Kinës dhe duke rikujtuar se që nga Lufta e Ftohtë, Shtetet e Bashkuara kanë pasur gjithmonë një bazë ushtarake në Grenlandë. Por deklaratat e përsëritura të presidentit të zgjedhur për Grenlandën, Kanalin e Panamasë dhe Kanadanë, të cilën ai dëshiron ta bëjë shtetin e 51-të, shkojnë më tej dhe po i japin presidencës së tij të dytë një dimension perandorak.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë synuar kurrë që të jenë një perandori, edhe pse zgjerimi i saj gradual ka një pamje të tillë. Megjithatë, një krah i Trumpizmit e ka këtë ëndërr, përtej asaj që shpreh në publikisht presidenti i zgjedhur. Duke dashur që të blejë Grenlandën, Trump nuk po shpik në fakt ndonjë gjë të re.
Shtetet e Bashkuara e blenë Luizianën nga Franca në vitin 1803, Alaskën nga Rusia në vitin 1867, madje edhe Ishujt e Virgjër në Paqësor nga Danimarka në vitin 1917. Ajo epokë ka përfunduar, edhe sepse në rastin e Grenlandës, banorët indigjenët e kanë thënë fjalën e tyre.
Kjo çështje është një shenjë tjetër se si Trump i trajton aleatët e tij, të cilët tani kanë gjithnjë e më shumë arsye për t’u shqetësuar.
Lini një Përgjigje