TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Gusht 2024, 17:40

Fantazia e sëmurë e pushtetarëve që rrezikon të na kthejë në diktaturë!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Fantazia e sëmurë e pushtetarëve që rrezikon të na

Ne, si Shqipëri, jemi duke ecur në një inerci të butë të diktaturës tiranike që u rrëzua në vitin 1992. Pushtetarët që kanë kaluar e që po vijnë, janë individë të inercisë diktatoriale që është rrëzuar.

Shpesh, ne, më shume vuajmë nga imagjinata se sa nga realiteti.

Kështu na ka thënë Seneca.

Imagjinata shpesh na deformon realitetin.

I.

Seneca ishte një filozof stoik në Romën e Lashtë, një burrë shteti, filozof dhe statist shumë i këndshëm në letërsinë latine. Si filozof, ai ishte stoik dhe i qëndroi deri në fund strikt parimeve që: e mira supreme është të jetosh një jetë të virtytshme - dhe kjo ishte përmbajtja filozofike e Stoicizmit, që ishte edhe rryma filozofike, të cilën ai përfaqësonte.

Virtyti, sipas stoicizmit, nënkupton inteligjencën e lartë, guximin, por, edhe drejtësinë që ti duhet ta pranosh si vet-disiplinë.

Por, imagjinata na krijon edhe devijimin moral kur ajo, si mendim, e ka një krijim individual të sëmurë dëshirën për sundim: kurse Seneca ishte nga të parët filozofë që na thanë se, vetëm qëndrimi tek realiteti do të na shpëtojë nga imagjinata e sëmurë.

Por çfarë është realiteti dhe çfarë është imagjinata?

Realiteti është cilësia e të qenit e vërtetë ose diçka që ka një ekzistencë aktuale.

Imagjinata është një fakultet mendor ose një prirje mendore që na formon konceptet e objekteve të jashtme që nuk janë prezent nëpër shqisat tona. Me imagjinatë krijohet fantazia, dhe prandaj imagjinimi është një prirje mendore që na shtyn për të na krijuar fantazinë. (English Oxford Dictionary)

Prandaj, nga imagjinimi kalojmë në fantazi, dhe fantazia pastaj është gjithçka që ajo krijon në mendimin tone: ajo krijon edhe letërsinë, edhe artin, por, teksa kthehet në realitetin e prekshëm, ajo e ndihmon edhe mendimin shkencor.

Por edhe diktaturën dhe, edhe tiraninë, po fantazia e sundimit individual e krijon.

Por dihet se, një imagjinatë e sëmurë krijon një fantazi të sëmurë, që nuk i përgjigjet më as moralit dhe as realitetit.

Il

Për të gjitha ato që shprehem, individi duhet të formojmë me drejtësi një ekuilibër të brendshëm.

Dhe, ekuilibri ynë i brendshëm është virtyt, i cili në thelb është domosdoshmëri e nivelit të inteligjencës. Sa më perfekt të jetë ekuilibri i brendshëm i individit, aq më inteligjent është ky në përmbajtjen e vet shoqërore.

Pikërisht kjo veti e ndalon tendencën drejt pushtetit personal të individit sundues, sëmundjen e pushtetarit që priret të kërkojë sundim, për të ecur, nga një grup i vogël shoqëror e deri në një shtet, kur ky vjen e bëhet kryetar i tij si mbret, si kryeministër apo si president.

Ai do pushtet. Dhe kjo shpesh është një imagjinatë e sëmurë që e shtyn atë drejtë sundimit me çdo mjet.

Por, imagjinata e sëmurë e prish dinjitetin e njeriut dhe ai humbet në një fantazi me interes patologjik, që kërkon sundim me anë të një pushteti individual të pacak. Dhe këta, ne fakt, janë diktatorët.

Një gjendje e tillë mendore, për këta tipa, është liria e tyre e brendshme që shprehet si pushtet i pacak, dhe si dhunë e tragjizëm kombëtar: këtë krijojnë këta tipa kur vijnë në krye të një pushteti shtetëror.

Pse, ju nuk e dini që diktatorët mizorë kanë qenë individë të sëmurë që kanë kërkuar pushtet dhe lavdi të rreme e fals, deri në pacak?

Ne e patëm njërin prej tyre këtu në Shqipëri, dyzet vite rresht. E keni harruar?

Por mes mendoni se ka ikur.

III.

Çdo tragjedi shtetërore tiranike, edhe kur ajo rrëzohet, ka inercinë e vet. Dhe kjo inerci ndryshon me tiraninë vetëm në formë, ngaqë në thelb është e njëjta, sepse vjen nga pushteti absolut i atij që drejton shtetin.

Ne, si Shqipëri, jemi duke ecur në një inerci të butë të diktaturës tiranike që u rrëzua në vitin 1992. Pushtetarët që kanë kaluar e që po vijnë, janë individë të inercisë diktatoriale që është rrëzuar.

Por, këta tipa janë të shpërndarë kudo. Dhe frenimi i tyre është detyrë e çdo shoqërie.

Koha e ndryshon në lloj tendencën për të sunduar, por jo pasionin për sundim të atij individi që e ka imagjinatën e sëmurë, dhe ne mendojmë se më lart e përcaktuam qartë çfarë është imagjinata.

Lini një Përgjigje