TAGS-AT E JAVËS

Editorial 8 Gusht 2024, 11:09

Kur Kryeministri e trajton popullin si klient të tij

Shkruar nga Pamfleti
Kur Kryeministri e trajton popullin si klient të tij
Vangjel Tavo dhe Edi Rama /

Konflikti i interesit është një nga të këqijat më të mëdha që i ndodhë një populli e vendi të vogël...

Investimet multimilionëshe në jug të vendit, me një tunel që kushtoi sa ‘qimet e kokës’, si dhe mbajtja me çdo mjet e bashkisë së Himarës, po zbardhin ditë për ditë synimin e strategjinë e qeverisjes së Edi Ramës, në vitin e 12 të pushtetit të tij.

Rasti tipik që e tregon këtë, është skandali që erdhi nga akuzat e opozitës në drejtim të deputetit Vullnet Sinaj. Ku doli se kompania e tij, më e madhja e shitjes me pakicë në vend, përfitonte direkt nga buxheti i shtetit, paratë e shpërndara për policët si bonus ushqimor.

Ky koflikt interesi, (që ka kohë që është bërë publik nga ‘Pamfleti’ por që u kthye në kauzë shumë vonë nga opozita, e cila për të thënë të vërtetën, është kthyer në një mekanizëm përplasjeje brenda PS), është treguesi më i qartë i funksionimit të pushtetit të Edi Ramës.

Mjaft të shohësh plazhet në Jug të vendit, që janë uzorpuar këto ditë prej pushuesve familjarë, kupton se për çfarë i duhej vendit tuneli i Llogarasë.

Një pushues elitar, nuk kishte problem të kalonte rrugën panoramike të Llogarasë, ndërsa e pret një strukturë turistike me kosto të lartë e komoditet. Por këta janë pak, e paratë i çojnë në një drejtim.

Thesi i madh vjen prej popullit, pushuesit familjarë që janë ‘derdhur’ nëpër plazhe si pasojë e tunelit.

Paguan shezlonin duke filluar nga 20 euro dhe shpenzon në strukturat që kanë mbirë si kërpurdhat pas shiut, e nuk dihet se kush i merr paratë. Ndërkaq, banorët e zonës përmendin emra shumë lart në pushtet që i kanë baret e menaxhojnë edhe territorin e çadrave, duke futur miliona para përditë në xhep. Mendo kur të nisë pagesa e traut, se çfarë do të luhet.

Konflikti i interesit është një nga të këqijat më të mëdha që i ndodhë një populli e vendi të vogël. Pasi financon shefa principatash që bëhen aq të kamur sa mund të blejnë gjithkënd. Të lobojnë e të ngrenë milici e financojnë media e ushtri. Sali Berishës sapo i skadoi 10 vjeçari i konçensioneve të pullave fiskale e ngjyrimit të karburanteve, para që derdheshin vazhdimisht për të financuar qëndresën e tij me forcë edhe kundër kohës e botës në pushtet.

Tani të gjitha këto i ka Babloku, i cili nga ana tjetër llaston me kulla e bakshishe njerëz të opozitës.

Po nuk u rrëzua konflikti i interesit dhe klientelizmi si e keqe e madhe, vendi do të mbetet peng dhe populli klient. Këtë duhet ta bëjë opozita, me një betejë parimore, ku të përfshijë të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Duke larguar nga vetja të gjithë ata që e kanë ushqyer këtë të keqe, e të nisë një betejë, e vetmja që mund ta rrëzojë Edi Ramën në vitin ‘2025.

Duhet propozuar një model i kundërt me klasën politike që i ka shpërndarë paratë e pasuritë në adresa të tjera, e që tani po bëhen qesharakë si Vullnet Sina që thotë se ‘paratë nuk i kam marrë unë, po gruaja…/Pamfleti

kryeministri populli klienti

Lini një Përgjigje