TAGS-AT E JAVËS

Editorial13 Shtator 2023, 15:29

Fabula e Edi Ramës, një 'masturbim' patetik!

Shkruar nga Pamfleti

Fabula e Edi Ramës, një 'masturbim' patetik!

Me sulmin ndaj Ahmetajt, Edi Rama u bëri të ditur të tjerëve që deri ku është kufiri. Pra ose bëni burg për mua, ose do të keni mbi shpinë rrufetë më të forta të pushtetit.

Edi Rama ka kohë që luan me fabulën sipas së cilës ai është mbi palët, e nuk ka ndikuar në hetimet e SPAK. Në fjalën e fundit që mbajti në Asamblenë e PS-së, apologjia e gjatë, shumë e gjatë për këtë çështje ishte qartë një 'masturbim' patetik, ku faktet tregojnë krejt të kundërtën.

Mjafton të krahasohen fjalimet e Edi Ramës pak javë më parë, apo edhe ai i para një viti, po nga foltorja e Partisë Socialiste. Pikërisht atëherë kur foli për “kapjen për veshi” të njerëzve të tij, që do i çonte në SPAK edhe me forcë. Ndërsa, këtë herë jo vetëm që nuk e tha një gjë të tillë, por brenda sallës, regjia e komanduar shfaqte fytyrat famëkeqe të njerëzve që kanë dosje të mëdha në SPAK, por që bëjnë të gjitha përpjekjet për të treguar se janë ende afër të Gjatit.

Një vit më parë, të gjithë e mbajnë mend fushatën e gjatë dhe të egër në mediat pranë qeverisë kundër Arben Ahmetajt.

Njeriu që kishte qenë krahu më i afërt i Edi Ramës për shumë vite, nuk është sot një i hetuar nga SPAK, prej hetimeve të Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Por sepse ka qenë vullneti invaziv i Edi Ramës, që ka nxitur lobet mediatike e politike të tij, për ta quajtur Arben Ahmetajn të hetuar e të pandehur, përpara se SPAK të niste procesin ndaj tij.

Në hetimin ndaj Ilir Beqajt, Manastirliut, Olta Xhaçkës, Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos, paditë në SPAK i ka çuar opozita; ose PD, ose LSI, ose Nisma Thurje apo parti e shoqata të tjera.

Ndërkaq, ndaj njeriut që Rama e ka pasur zv.kryeministër, ministër Financash, të Ekonomisë, të Rindërtimit, deputet etj, hetimet kanë nisur vetëm se ato i ka kërkuar Edi Rama, i cili me mediat pranë tij sulmoi edhe prokurorë të SPAK me emër e mbiemër, të cilët kishin anashkaluar detyrën.

Nuk ka ndodhur në asnjë rast tjetër analog, që qeveria, mazhoranca, kryeministri apo mediat pranë tij të vepronin në këtë mënyrë.

Po të krahasosh rastin e Beqajt, Xhaçkës, apo edhe Krifcës, ndaj së cilës ka edhe hetim nga BE, nuk ka asnjë reagim qoftë nga qeveria, qoftë nga mediat pranë saj.

Kjo ka ndodhur sepse, Rama ka qenë i sigurt që njerëz si Xhaçka, Beqaj, apo të tjerë, nuk do flasin asnjëherë për aferën, edhe pse mund të burgosen. Rama ka sulmuar Arben Ahmetajn, pikërisht sepse ka pasur dhe ka makthin se Tigri do të rrëfehet. E gjithë kjo epope shantazhi i rëndë në publik por edhe në qarqe private ka pasur si bazë këtë makth.

Si ka mundësi që deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive etj, të cilët kanë qenë deri servil të "Tigrit" ndër vite, nuk i flisnin, i shmangeshin, e s’i jepnin as dorën apo e shihnin me sy? Sepse këtë ua kërkoi Edi Rama! Me urdhër. Kjo performancë, kjo sjellje nga njeriu më i pushtetshëm në vend, është tregues se ai ka ndjekur një standard të dyfishtë, e aspak të vërtetë me atë që thotë. Ai ka lëshuar disa e ka mbajtur afër disa të tjerë.

Saimir Tahirin, Edi Rama e lëshoi si ushqim për opozitën e egërsuar, duke e ofruar si një çedim të madh të pushtetit të tij.

Pra, unë po ju jap Tahirin, po as mos e çoni ndërmend kokën time.

Kurse me Ahmetajn, loja ishte e shumëfishtë, edhe për të shantazhuar njeriun e tij më të afërt, edhe për të dhënë mesazhin se kush nuk do të tregohet 'lake' ndaj tij, do të ketë fatin e "Tigrit".

E kjo është jo vetëm shantazh, por kurdisje hapur e hetimeve të SPAK, i cili i ka nisur hetimet ndaj Arben Ahmetajt, jo kryesisht por nga denoncimet apo “provat” e stisura nga njerëzit e Edi Ramës. Me sulmin ndaj Ahmetajt, Edi Rama u bëri të ditur të tjerëve që deri ku është kufiri. Pra ose bëni burg për mua, ose do të keni mbi shpinë rrufetë më të forta të pushtetit./ Pamfleti

Lini një Përgjigje

Editorial