TAGS-AT E JAVËS

Editorial 7 Shkurt 2026, 11:45

E vërteta e “takimit europian”, si mekanizëm presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese

Shkruar nga Pamfleti
E vërteta e “takimit europian”, si mekanizëm presioni ndaj
Gjykata Kushtetuese /

Pretendimi për një paralajmërim të BE-së ndaj Edi Ramës për çështjen Balluku rezulton i pavërtetë, axhendat zyrtare tregojnë se Shqipëria nuk ishte fare në rend dite...

Prej disa ditësh në mediat e Tiranës po qarkullon një “lajm” se ministrat e Bashkimit Europian, përmes COELA-s, kanë diskutuar Shqipërinë dhe kanë dërguar një sinjal paralajmërues ndaj Edi Ramës për çështjen Balluku. Dokumentet zyrtare të Këshillit të BE-së e rrëzojnë këtë pretendim, duke treguar se Shqipëria nuk ka qenë fare në axhendën e mbledhjeve të 30 janarit, 4 apo 6 shkurtit. Burime diplomatike konfirmojnë se, ndonëse ekziston shqetësim për gjuhën e ashpër të mazhorancës ndaj drejtësisë, BE dhe SHBA kanë zgjedhur të mbështesin pavarësinë e SPAK dhe Gjykatës Kushtetuese, pa u përfshirë në padi konkrete. “Lajmi” për COELA-n rezulton një spin politik i nxitur nga qarqe opozitare për të ushtruar presion mbi Kushtetuesen, jo një qëndrim zyrtar i Bashkimit Europian.

Ka mbi tre ditë që në mediat e Tiranës është shfaqur një “lajm” për një mbledhje të ministrave të BE-së lidhur me Shqipërinë, si një paralajmërim ndaj Edi Ramës për çështjen Balluku.

E vërteta është se e gjithë kjo është një lajm i spinuar nga qarqe politike opozitare, i përhapur në media pranë tyre, për një të ashtuquajtur vendim të ministrave të BE-së për rastin Balluku.

COELA, pra ministrat e Jashtëm, të Brendshëm apo të Drejtësisë së BE-së, nuk kanë diskutuar në asnjë mbledhje për Shqipërinë. Mjafton të shihet axhenda e portalit zyrtar të BE-së:
https://data.consilium.europa.eu/doc/document/CM-1517-2026-INIT/en/pdf

Nga kjo axhendë bëhet e ditur se Shqipëria nuk ka qenë fare në rendin e ditës së mbledhjeve të 30 janarit, 4 shkurtit apo 6 shkurtit.

Ndoshta ka sinjale nga qarqe të caktuara brenda BE-së që nuk e shohin mirë përplasjen e Edi Ramës me drejtësinë, dhe kjo është e njohur edhe në mjedise diplomatike. Madje, një ambasador i njohur i një vendi shumë të fuqishëm të BE-së, në një diskutim informal, e ka ngritur këtë shqetësim, por kjo nuk ka pasur lidhje me çështjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Edhe qarqet diplomatike janë të vetëdijshme dhe e kanë shprehur hapur se si PS, ashtu edhe PD, po ushtrojnë presion mbi Gjykatën Kushtetuese për vendimin e pezullimit.

BE-ja, por edhe SHBA-ja, kanë bërë presionin e tyre jo për rastin Balluku si padi, por thjesht kanë deklaruar se do të mbështesin si SPAK-un, ashtu edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, padinë e Edi Ramës për të rrëzuar vendimin e GJKKO-së e kanë konsideruar si një çështje të brendshme të Shqipërisë.

Kjo do të thotë se e drejta e një gjykate për të pezulluar një ministër nuk është objekt diskutimi në BE. Nga ana tjetër, ambasadorët nuk e kanë mirëpritur gjuhën e përdorur nga Edi Rama, sidomos sulmet ndaj gjyqtarëve.

Këto sulme, sipas diplomatëve europianë, nuk lidhen drejtpërdrejt me çështjen Balluku, por me rastin e AKSHI-t, pasi vlerësohet se Rama nuk dëshiron të lejojë hetuesit të afrohen drejt Sekretarit të tij të Përgjithshëm apo ndihmësve të tij.

Madje ekziston edhe një material nga një mbledhje e ambasadorëve që e ilustron këtë shqetësim, të cilin e ka publikuar më herët Pamfleti.

Por kjo “broçkull” për COELA-n është vetëm një spin politik, i nxitur nga numri dy i PD-së, për të ushtruar presion mbi Gjykatën Kushtetuese dhe asgjë më tepër.

COELA e BE-së ka diskutuar vetëm për Ukrainën dhe Moldavinë në mbledhjet e 6 dhe 4 shkurtit, për shkak të zhvillimeve të rëndësishme atje. Ndërsa në mbledhjen e 30 janarit është diskutuar për Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi, por jo për Shqipërinë.

Nuk është aspak enigmë që BE-ja, veçanërisht Gjermania si financuesi më i madh i operacionit të ONM-së, por edhe shtetet e tjera, kërkojnë një qasje jo sulmuese të mazhorancës ndaj drejtësisë dhe institucioneve të pavarura. Këtë e kanë thënë hapur.

Në rastin konkret, ata nuk janë futur drejtpërdrejt, sepse duan të përkrahin pavarësinë e institucioneve. Është e vërtetë gjithashtu se diplomatë të BE-së kanë takuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm për t’u thënë se i mbështesin në pavarësinë e tyre.

Lajmi i shpërndarë së fundmi nga Gazment Bardhi, i cili dukshëm ka një inat politik me Belinda Ballukun, që e ka mundur rëndë në Fier, nuk ka asnjë konfirmim nga institucionet e BE-së apo nga kancelaritë e vendeve anëtare. Është thjesht një spin për të ushtruar presion mbi Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, ka një të vërtetë në lojën e dyfishtë të eksponentëve të opozitës me qeverinë: betejën politike e koordinojnë sipas interesave të klaneve dhe lobeve, jo mbi bazën e argumenteve apo kauzave reale opozitare./Pamfleti

 

takimi europian presioni ndaj kushtetueses

2 Komente

  1. I
    Ino

    Mbaroi Rama, ky vit eshte viti i fundit te tij dhe rrezimi i regjimit patronazhist…

    1. F
      Feti Dema

      Patjetër, SHBA , Brukseli dhe SPAK kanë ushtruar ndikim siç dinë Ata, që vendimarrja e Gjykatë Kushtetuese të delte 5 me 3 në favor të kërkesës së Kryeministrit. Sali Berisha e dëshirinte një rezultat 5 me 3, 'vdiq' për të na mbush mëndjen që aq, do delte votimi. Ai votim në favor të kërkesës së Edi Ramës rrëzonte "Reformën në Drejtësi". Dhe një vënd me sistem drejtësie i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese legjitimonte Sali Berishën dhe homologun e tij në të majtë që ti përbashkonin kontigjentet respektive në domosdoshmërinë për përmbysjen me çdo mjet të regjimit. Regjimi i ri me protagonist Sali Berishën me grup negociator do rithemelonin shtetin e ri demokratik shqiptar. Fatmirësisht diktati funksionoi dhe Sandër Beci votoi për së mbari. 'Kryengritja e të revoltuarëve' të PD dhe PS do katandiset në hiç. Nuk kanë legjimitet. Legjitimitein e ka Reforma në Drejtësi. SPAK-BKH dhe GJKKO. Në sontazhet e sotme deri tani mbështetja për Të është 85%. Kalofshi të gjithë një fund javë të qetë.

      Lini një Përgjigje

      Editorial