Hija e “Jaltës së Re” mbi Ukrainë dhe tundimi i fuqive të mëdha për të negociuar sovranitetin në emër të stabilitetit...
Historia botërore ka një prirje cinike: ajo i ndryshon emrat, por jo mekanizmat. Jalta e vitit 1945 nuk ishte thjesht një konferencë diplomatike; ishte një akt i pastër inxhinierie gjeopolitike, ku parimi i vetëvendosjes u flijua në emër të stabilitetit të përkohshëm. Sot, ndërsa bota përballet me luftën në Ukrainë dhe ambicien revanshiste të Rusisë, hija e asaj Jalte po rikthehet; më e heshtur, më teknokrate, por po aq e rrezikshme.
Ideja e një “zgjidhjeje të madhe” përmes kompromisit territorial, që po qarkullon në disa qarqe perëndimore, është në thelb një rikthim i logjikës së sferave të influencës. Ajo presupozon se paqja arrihet duke pranuar faktin e kryer, duke legalizuar agresionin dhe duke sakrifikuar sovranitetin e një shteti në altarin e “realpolitikës”. Kjo nuk është maturi strategjike; është një dorëzim i kamufluar me gjuhë diplomatike.
Krimea nuk është thjesht një gadishull i aneksuar. Ajo është precedenti. Një test për rendin ndërkombëtar dhe për gatishmërinë e Perëndimit për të mbrojtur parimet mbi të cilat ka ndërtuar legjitimitetin e vet moral që prej Luftës së Dytë Botërore. Çdo tolerim i status quo-së ruse në Ukrainë do të përkthehej automatikisht në një mesazh global: kufijtë janë të negociueshëm dhe ligji ndërkombëtar vlen vetëm për të dobëtit.
Në këtë kuptim, rreziku i një “Jalte të Re” nuk qëndron vetëm në tryezat e mundshme të negociatave, por në mendësinë që po normalizohet; se demokracitë e vogla janë monedha këmbimi dhe se stabiliteti afatshkurtër është më i rëndësishëm se drejtësia afatgjatë. Kjo logjikë gjithmonë ka dështuar. Ajo prodhon paqe të rreme dhe konflikte të ardhshme më të dhunshme.
Për vende si Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit, kjo nuk është një debat abstrakt. Historia jonë është e mbushur me Jalta të vogla, me vendime të marra larg nesh dhe mbi ne. Prandaj, çdo relativizim i agresionit në Ukrainë duhet parë si një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë dhe rendit evropian në tërësi.
Jalta nuk vdiq në 1945. Ajo thjesht ndryshon forma sa herë që parimet zëvendësohen nga frika dhe lodhja strategjike. Pyetja sot nuk është nëse Perëndimi mund të negociojë me Rusinë, por nëse është gati të paguajë çmimin moral dhe historik të një kompromisi që e di se është i gabuar./Pamfleti
Kohet ndryshojne e gjithashtu situatat ndryshojne, sot ne nuk kemi nje Rusi si BRSS e Stalinit qe pushtoi gjysmen e Evropes dhe ju imponua si SHBA e Anglise ne teritoret qe deshironte ti merte. Gjithashtu kemi nje SHBA qe po rikthehet ne Izolicionin e saj historik ne kontinetin e Amerikes. Gjithashtu kemi nje Evrope qe e bashkuar siç eshte sot eshte shume ma e forte se Evropa e vitit 1945 Kohe te reja faktore te rinj!