TAGS-AT E JAVËS

Editorial23 Prill 2026, 12:50

Deputetët e Turpit!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Deputetët e Turpit!
Foto Ilustruese /

Heshtja që rëndon më shumë se 17 kilometrat e Milot–Balldrenit...

Heshtja e deputetëve të Shkodrës dhe Lezhës për segmentin Milot–Balldren nuk është rastësi, është dëshmi e lidhjeve të ndyra politike si dhe interesave okulte që kanë lënë veriun në harresë.

Ka raste kur mungesa e një rruge nuk është thjesht problem infrastrukture. Është diagnozë politike. Segmenti Milot–Balldren është sot më shumë se një projekt i dështuar; është një provë publike e dështimit të përfaqësimit.

Sepse në këtë histori nuk mungon vetëm rruga. Mungojnë deputetët...

Deputetët e Qarkut të Shkodrës dhe të Lezhës, të gjithë pa përjashtim, kanë zgjedhur rrugën më të lehtë: heshtjen! Një heshtje që nuk është as rastësi, as neglizhencë.

Është zgjedhje!

Nga mazhoranca, heshtja është e pritshme. Ata janë pjesë e një sistemi ku linja politike diktohet nga qendra, dhe ku kundërshtimi përkthehet në përjashtim. Në këtë kuptim, deputetët e shumicës janë thjesht zgjatim i vullnetit të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.

Por problemi real nis te opozita.

Sepse nëse mazhoranca hesht nga frika, opozita hesht nga kompromisi.

Si shpjegohet që asnjë deputet opozitar nga këto qarqe nuk e ka ngritur zërin për një nga plagët më të mëdha ekonomike të zonës së tyre? Si shpjegohet që një aks rrugor që pengon zhvillimin, rrit kostot e biznesit dhe izolon një rajon të tërë, nuk është kthyer në kauzë politike?

Përgjigjja është e hidhur, por gjithnjë e më e dukshme: sepse kufiri mes pushtetit dhe opozitës është bërë i mjegullt aty ku fillojnë interesat.

Milot–Balldren është sot një “kangrenë ekonomike” për veriun. Çdo ditë vonesë përkthehet në kosto për qytetarët, bizneset dhe turizmin. Por për deputetët, kjo gangrenë nuk është problem; është pjesë e një ekuilibri të heshtur interesash okulte.

Në këtë realitet, deputeti nuk është më përfaqësues i qytetarëve, por menaxher i marrëdhënieve me pushtetin. Nuk flet sepse nuk duhet të flasë. Nuk reagon sepse nuk mundet të reagojë.

Kjo është arsyeja pse sot kemi një paradoks të rëndë: një rajon i tërë vuan pasojat e izolimit ekonomik, ndërsa përfaqësuesit e tij politikë sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Dhe kjo është pika ku debati nuk është më për një rrugë.

Është për moralin e përfaqësimit.

Nëse deputetët nuk flasin për problemet më evidente të zonave që përfaqësojnë, atëherë çfarë përfaqësojnë realisht?

Nëse opozita nuk e përdor një dështim kaq flagrant si armë politike, atëherë a është ende opozitë?

Milot–Balldren do ndërtohet një ditë. Me vonesë, me kosto shumë të lartë, ndoshta edhe me të njëjtat hije dyshimi.

Por dëmi më i madh nuk është ky.

Dëmi më i madh është ky brez deputetësh që, përballë një padrejtësie të qartë publike, zgjodhën të mos thonë asnjë fjalë.

Dhe për këtë, ata kanë fituar një titull që nuk ua jep as partia, as pushteti, por vetë realiteti: Deputetët e Turpit!/Pamfleti

 

deputetët e turpit gjergj zefi

6 Komente

  1. A
    Analisti

    Do shpallet shume shpejt fituesi. E ka marre Salillari. Dhe ky eshte lajm i mire, se ata e bejne.

    1. T
      Tiranë

      Jane sabotator! Eshte diskriminim i qellimshem!

      1. S
        Sefer Daja

        E ke gabim I dashur Gjergj Zefi . ATA deputete jane deputetet servile e frikacake te komunistit tuaj non grata, plakut te rrjedhur Sali Berisha. Te lutem beje etiketimin sic eshte realisht. ATA nuk kane asnje lidhje me titullin e shkrimit.

        1. P
          Pompa

          Ne lidhje me pjesen e deputeteve te opozites jam dakort me seferin e dajes, por ajo qe me ben pershtypje i nderuar gazetar eshte fakti qe ti è quan normale sjelljen ne teresi te mazhorances. Ne kete rast duhej qe shkrimi te fillonte me qeverine, deputetet e mazhorances dhe oligarkun qe vjedh shqiptaret nga mengjesi ne darke, dhe opoziten ta kishe kene ne fund pasi koha ka treguar qe vetem celsat e kashtes ka ne dore. Por ju vetem kryeministrit mos i bini ne qafe

          1. F
            Feti Dema

            Deputetët qoftë të mazhorancës qoftë të opozitës, nuk janë të rrjedhur nga mëntë e kokës që të sfidojnë babën që i bën deputet, duke i futur në listë të sigurtë. Kush flet me mënd e bazës , ka pjerdhur mënd e 'babës'. Ndaj arbitrat mbajnë dy kartona në xhep. Një të verdhë e një të kuq. Po nuk u përplas lojtari me lojtarin, nuk ka se si të marë karton.

            1. G
              Gjuha shqipe

              JO "Kangrenë" por "gangrenë" gangrén/ë,-a emër i gjinisë femërore; kalbëzim i indeve të një plage; plagë e kalbëzuar. 2. kuptim i figurshëm; diçka që të bren e të shkatërron dalëngadalë; plagë e pashërueshme.

              Lini një Përgjigje

              Editorial