Sali Berisha, e do Belindin, për ta përdorur si një ‘vegël’ negociate në distancë me Edi Ramën për hallet e tij. Dhe jo vetëm me Edi Ramën, por edhe me klanet e tjera të PS, që janë dukshëm të shqetësuar nga e ardhmja politike e Erion Veliajt...

Pamjet e Belind Këlliçit, duke shijuar pushime të shtrenjta në resortin e Green Coast, sipas të gjitha gjasave, kanë ardhur nga qarqe politike të atyre që ka sulmuar prej kohësh. Pasi në politikë, por edhe në jetë, çfarë i bën tjetrit do ta bëjnë edhe ty. Një politikan i rëndësishëm as nuk forcohet, e as nuk dobësohet nga masa dhe sasia e sulmeve ndaj tij.
Balta, akuzat e sulmi, sidomos në Shqipëri, por jo vetëm, duket se përfaqësojnë substraktin më të zakonshëm të jetës politike.
Megjithatë, një politikan forcohet, apo e formon profilin e tij, duke krijuar një identitet të ideve, koherencës në jetën publike, por mbi të gjitha në autonominë dhe seriozitetin e krijimit të një profili gjatë jetës publike, në krijimin dhe mbrojtjen e kauzave.
Belind Këlliçi, kishte të gjitha mundësitë që të bëhej një politikan me një profil që rritet çdo ditë, sidomos kur mundi të fitojë garën me Ervin Saljanjin për kryetar i FRPD disa vite më parë, e më pas në zgjedhjet e 2021-shit, kur mori preferencat personale më të mëdha në qarkun Tiranë.
Por, Beloja, siç e thërrasin njerëzit pranë tij, zgjodhi të kthehej në një top ping- pongu, të cilin e lëshojnë ‘pezzonovantët e politikës’, për të goditur objektivët e tyre të ditës.
Gara e Belind Këlliçit si kandidat për kryetar bashkie i Tiranës, në majin e 2023-shit, dukej që në fillim si një betejë që nuk mund të fitohej.
Megjithatë, një betejë jo gjithmonë të forcon nëse fiton. Pasi mund edhe të humbësh, por të vësh bazat apo piketat për një të ardhshme, apo për të ngulur më shumë themelet e profilit tënd politik.
Me fjalë të tjera, një betejë edhe mund ta humbësh, por rëndësi ka se çfarë forme apo mase ka humbja.
Në rastin aktual, beteja në 14 maj 2023 me Erion Veliajn, kishte rëndësi, pasi Lali është në mandatin e tretë e të fundit si kryetar i bashkisë së Tiranës. Veliaj me logjikë, do të mundohej me të gjitha forcat, që beteja e fundit si kryebashkiak, të mos i ulë aksionet e tij, por të rrisë pozicionin për t’u ngjitur më lart në politikë.
Sa për analogji, Edi Rama, në herën e tretë kur garoi, fitoi me avokat Ngjelën që nuk ishte kandidat shumë i fortë, me një numër jo shumë të madh votash krahasuar me herën e parë e të dytë. Pasi në politikë janë numrat e votave që përbëjnë objektivin final.
Ndërkaq, në herën e fundit, pra të katërtën, Edi Rama e humbi bashkinë mbi Lulzim Bashën, një riosh në politikë me 10 vota më shumë.
Kjo diferencë e vogël, e rriti Lulzim Bashën, pavarësisht se ai nuk diti ta konsolidojë profilin publik, ama e bëri shef opozite për 10 vjet.
Në rastin e Belind Këlliçit, beteja e 14 majit 2023 do të ishte pozitive për të, nëse do të kishte pasur mundësinë të merrte më shumë vota si kandidat, duke e kaluar kuotën e votave të opozitës, si dhe të ulte diferencën që Lali ka krijuar në 2 garat e tij të mëparshme. Në fakt vetëm garën e parë me Halim Kosovën në 2015, pasi në 2019, në sajë të bojkotit të opozitës, Veliaj ishte i vetëm në lojë.
Megjithatë, Veliaj, e këtu ka arsye, ka përdorur pro tij edhe votat që zgjedhësit e Tiranës kanë dhënë për mazhorancën në zgjedhjet parlamentare.
Ndërkaq, Belind Këlliçi, nuk arriti ndonjë objektiv të rëndësishëm më 14 maj 2023 për të çarë më pas në politikë. Madje humbi edhe mandatin e deputetit që e la të kandidonte në Tiranë.
Megjithatë, koha për Belon nuk ishte e volitshme, pasi opozita ishte në ditën më të zezë të saj, edhe si pasojë e përçarjes së madhe. Por kjo nuk i hiqte mundësinë që edhe pas kësaj disfate, ai të ngulitej fort si shef i opozitës në bashkinë e Tiranës. Duke rritur kështu profilin e tij si një alterego i Erion Veliajt.
Jo më në betejën për bashkinë Tiranë, pasi në 2027 Veliaj nuk kandidon më, por në kupolën e politikës shqiptare.
Dhe kështu ky çift i ri i politikës shqiptare, do të profilizohej në të ardhmen e afërt si dy anët e medaljes së elitës së re politike, që ka larguar kastën e vjetër që përfaqësohet nga Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama.
Por Beloja, fatkeqësisht zgjodhi, me një takticizëm jo të studiuar, të bëhet mashë e disa politikanëve, që luftën me Veliajn, e kanë jo vetëm një betejë kundër mazhorancës, por më shumë si rrugë politike për të shpëtuar veten.
Ilir Meta, i cili ishte njeriu që loboi më shumë që Këlliçi të kandidojë për bashkinë e Tiranës, e donte si çadër për të krijuar një grup këshilltarësh në bashki. Gjë që e arriti, duke përdorur votat e PD-së dhe Këlliçit. Ndryshe Ilir Meta- gjegjësisht Partia e Lirisë nuk do të kishte pasur mundësi që të hynte në Këshillin Bashkiak.
Ndërkaq, Sali Berisha, e do Belindin, për të pasur një mundësi sulmi dhe negociate në distancë me Edi Ramën për hallet e tij. Dhe jo vetëm me Edi Ramën, por edhe me klanet e tjera të PS-së, që janë dukshëm të shqetësuar nga e ardhmja politike e Erion Veliajt.
Nga ana tjetër, edhe këto klane të PS-së, e kanë përdorur fort Belindin për të hapur një gropë politike para bashkisë së Tiranës, e cila nuk synon të dëmtojë kryebashkiakun që është në mandatin e fundit, por Erion Veliajn për në krye të PS-së.
Lulzim Basha, deklaroi para pak kohësh, madje, se Këlliçi është sponsorizuar nga qarqe brenda partisë socialiste për të sulmuar Veliajn. Basha theksoi ndër të tjera, se pikërisht protesta e Këlliçit, vetëm në bashki, e jo në godinën ngjitur, e tregon këtë.
Kështu, në analizë të përgjithshme, Belo u përdor nga Berisha, Meta, por edhe nga Edi Rama që po kërkon të bëhet sulltan i përjetshëm, e vetë nuk ka fituar asgjë. Madje ka ulur kuotat e tij krahasuar me vitin 2021 apo 2023.
Në politikë nuk ka asgjë të keqe që të bësh aleanca, madje aleancat janë edhe thelbi i politikës. Por në këtë rast, Belind Këlliçi, duhet të kishte një marrëveshje marr-jap me elitën e vjetër, madje duke përfituar nga situata e tyre problematike në popullaritet, duhej të përfitonte më shumë nga ata. Që kanë para, trafik influence dhe infrastrukturë për të mbetur në politikë.
Por Belindi u tregua më së paku axhami politik, duke mos llogaritur drejt dhe me zgjuarsi pozicionin e tij. Edhe Lulzim Basha, që nuk shquhet për talent apo elokuencë në politikë, nuk e ka lënë veten të keqpërdorej pa marrë asgjë.
Dikush madje mund të thotë se Belo u tregua naiv e këtu sërish ka logjikë ku të mbështetet. Pasi duket se Këlliçi e ka përdorur urën private që ka me një pjesë të rëndësishme të PS-së, thjesht duke i shërbyer kasnecëve dhe shefave të tij.
E kjo nuk të bën politikan, por thjesht një top ping-pongu që hidhet nga raketat e lojtarëve kryesorë./Pamfleti
Lini një Përgjigje