Babloku ka në dorë “gurin e arrën”, por ka dhe “ushtar” Celibashin; dhe shpërfillin Kodin Zgjedhor e do bëjnë fshehurazi, kalimin e zarfeve të votave të diasporës te Posta Shtetërore, duke bërë pazar dhe me postën private që do marrë tenderin nga Celibashi i partisë...
PS-ja nuk mund t’i sigurojë dot votat e humbura, as me tallavatë e Edi Ramës nëpër qytete e fshatra, por sa të mundet, shpreson t’i vjedhë me çdo mënyrë e mjet dhe nga shqiptarët e diasporës.
Në nenin 25/1 të Kodit Zgjedhor, thuhet se shqiptarët jashtë vendit, qofshin apo jo rezidentë në çdo shtet, por që paraqesin një adresë qëndrimi atje e janë akoma me shtetësi shqiptare, kanë të drejtë të votojnë me zarfe nëpërmjet shërbimit postar privat që do ta përzgjedh KQZ-ja.
Por në shkelje të Kodit Zgjedhor, Babloku ka nisur të krijojë një zyrë të posaçme, të quajtur “Qendra e Votës së Diasporës” brenda Postës Shqiptare, kompani 100% në pronësi e vartësi shtetërore e me drejtor që emërohet nga qeveria.
Siç duket, kryeministri Edi Rama ka bërë pazar e ka rënë në ujdi, me ish-ministrin e tij Kryetar KQZ-je, Ilirjan Celibashi, i pozicionuar hapur në shërbim të PS; që zarfet me votat e shqiptarëve të diasporës, të kalojnë fillimisht te zyra e posaçme në Postën Shtetërore, pastaj të dërgohen te zyrat e KQZ-së për numërim.
Te zyra e përpunimit paraprak në Postën Shqiptare, do grumbullohen të gjithë zarfet e votave që do dërgojnë shqiptarët e diasporës dhe emigrantët, nëpërmjet shërbimeve postare.
Këto zarfe, punonjësit e Postës do t’i përpunojnë, do t’i regjistrojnë sipas emrave të dërguesve e shteteve dhe do t’i paketojnë e dërgojnë në KQZ, ku do ndahen sipas partive e kandidatëve.
Sipas informacionit, kupola e PS në bashkëpunim me Drejtorin e Postës Shqiptare, patronazhistin Ardit Demiri, ka krijuar grupin e punonjësve “specialistë zarfesh” që do shërbejnë në zyrën e votave të diasporës.
Ndërsa shef i kësaj zyre, thuhet se është emëruar djali i deputetit Pandeli Majko, i cili është transferuar si shef sektori në Postën Shqiptare, nga drejtoria e “Qytetit Studenti” ku ishte specialist kontratash.
Para disa ditësh, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, deklaroi se votat e shqiptarëve të diasporës, nuk do kalojnë te Posta Shtetërore, por nëpërmjet shërbimit postar privat do çohen direkt në KQZ.
Po përse qeveria, krijon zyrë të posaçme te Posta Shtetërore, për grumbullimin e zarfeve të votave?!
Apo, mes Ilirjan Celibashit e Edi Ramës, është bërë marrëveshje, që para se zarfet të çohen në KQZ, të kalojnë te zyra postare e qeverisë?
Kujtojmë, që para ndryshimit të Kodit Zgjedhor, Qeveria e KQZ bënë propozimin e përbashkët, që zarfet me votat e diasporës të dorëzoheshin në konsullatat shqiptare, ndërsa ato t’i dërgonin në Postën Shtetërore në Tiranë e prej andej në KQZ.
Siç duket, Babloku që ka në dorë “gurin e arrën”, ka dhe “ushtar” Celibashin; dhe shpërfillin Kodin Zgjedhor e do bëjnë fshehurazi, kalimin e zarfeve të votave të diasporës te Posta Shtetërore, duke bërë pazar dhe me postën private që do marrë tenderin nga Celibashi i partisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje