TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë23 Korrik 2025, 10:26

SHBA u mbyll dyert Ramës dhe Berishës: Trump i injoron, DASH i distancon!

Shkruar nga Pamfleti

SHBA u mbyll dyert Ramës dhe Berishës: Trump i injoron, DASH i

Diplomacia amerikane nuk përzihet më në lojërat e vjetra të politikës shqiptare...

Dy figurat dominante të politikës shqiptare, Edi Rama dhe Sali Berisha; njëri kryeministër në detyrë prej 12 vitesh dhe tjetri lider i Partisë Demokratike në opozitë, janë braktisur nga diplomacia zyrtare amerikane. Ndonëse në pozita të ndryshme, të dy e ndajnë të njëjtin fat: njëri është i shpërfillur, tjetri i shpallur “non grata”.

Përveç Ilir Metës, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, Rama dhe Berisha kanë muaj që presin një sinjal nga administrata e presidentit Donald Trump, të zgjedhur në nëntor 2024. Secili prej tyre shpreson të marrë një shenjë mbështetjeje nga Shtëpia e Bardhë. Megjithatë, siç konfirmohet nga zhvillimet e deritanishme, edhe kjo pritje ka rezultuar një iluzion.

Të dy liderët janë përfshirë në lobime aktive: Edi Rama përmes lidhjeve të errëta për të siguruar një fotografi apo takim me presidentin Trump, ndërsa Sali Berisha përmes një kontrate lobimi prej 6 milionë dollarësh për të shfuqizuar sanksionin e vendosur ndaj tij nga DASH. Megjithatë, asnjë përpjekje nuk ka dhënë rezultat konkret.

Së fundmi, një udhëzim i Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ka përjashtuar ambasadën amerikane në Tiranë nga çdo përfshirje në qëndrime politike ndaj partive apo drejtuesve të tyre. Ky vendim përbën një refuzim të qartë ndaj të dyve dhe neutralizon çdo ndikim që mund të kërkojnë në emër të afërsisë me Uashingtonin.

Administrata amerikane nuk ka zhvilluar asnjë kontakt formal me qeverinë shqiptare që nga zgjedhja e Trump. Madje, as për fitoren e zgjedhjeve të 11 majit, SHBA nuk përmendi fare Edi Ramën në urimin zyrtar, duke u mjaftuar me një deklaratë për procesin zgjedhor.

Nga ana tjetër, lobimi i Sali Berishës përmes kompanisë “Continental Strategy LLC”, financuar nga fondacioni “Make Albania Great Again” i Nuredin Secit, ka dështuar gjithashtu. Berisha vazhdon të jetë në listën e zezë të DASH, pavarësisht propagandës se emri i tij do të pastrohej me ardhjen e administratës së re.

Kryeministri Rama ka tentuar ta paraqesë situatën ndryshe. Në një deklaratë të bërë pak pas zgjedhjes së Trump, ai paralajmëroi një “lajm të madh” që do të zhbënte çdo dyshim për marrëdhëniet me SHBA. Në vend të këtij lajmi, shqiptarët panë vetëm një vendim të qeverisë për ta shpallur dhëndrin e Trump “Investitor Strategjik” në projektin e resortit në ishullin e Sazanit. Ky akt, më shumë se çdo tjetër, u perceptua si një përpjekje për të blerë një favor politik në Shtëpinë e Bardhë përmes rrugëve të biznesit familjar.

Lobimi i dështuar u konfirmua edhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt 2025, ku Rama nuk arriti të shkëmbente asnjë përshëndetje me zv/presidentin JD Vance. Madje, zyrtarë të administratës Trump u udhëzuan të shmangnin çdo kontakt me të. E njëjta situatë u përsërit në samitin e NATO-s në qershor, ku kërkesa e Ramës për një foto apo takim me presidentin Trump u refuzua sërish.

Për Sali Berishën, propaganda për “heqjen e non gratës” ka marrë fund. Statusi i tij mbetet i pandryshuar, pavarësisht kontratës milionëshe të lobimit. Zyrtarisht, Berisha është ende person i padëshiruar për SHBA-në dhe nuk ka asnjë sinjal nga Uashingtoni për një rishikim të vendimit.

Në thelb, profili ndërkombëtar i dy “sunduesve” politikë të Shqipërisë, është aq i njollosur, sa as miliardat e lobimeve, as dhurimet e ishujve dhe as lejet e luksit për resortet familjare nuk janë në gjendje ta pastrojnë. Politika amerikane e ka mbyllur ciklin me ta; e ka lënë Shqipërinë në duart e qytetarëve të saj që të gjykojnë vetë për të ardhmen./Pamfleti

shba u mbyll dyert ramës dhe berishës trump i injoron dashi distancon

Lini një Përgjigje