TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë21 Korrik 2025, 11:40

Skema e Edi Ramës me pullat fiskale: rrugë e hapur për kontrabandë dhe trafik nga mafia e Dubait

Shkruar nga Pamfleti

Skema e Edi Ramës me pullat fiskale: rrugë e hapur për

Qeveria e Edi Ramës zhbëri shtetëzimin e pullave fiskale për t’ia dhënë një kompanie nga Abu Dhabi, me monopole të reja për kanabisin “mjekësor”. Shqiptarët mbajnë shpenzimet, arabët marrin fitimet; ndërsa Babloku fsheh pistat e kontrabandës nën emrin “gjurmueshmëri fiskale”...

Rikthimi i koncesionit të pullave fiskale po konfirmon edhe një herë se pas çdo vendimi të qeverisë së Edi Ramës, fshihet një skemë interesash klienteliste, e miratuar më pas me vendime qeverie apo ligje në parlament, nën justifikimin se ndihmon zhvillimin ekonomik të vendit. Më 2 maj 2024, qeveria vendosi të shfuqizonte koncesionin privat të pullave fiskale dhe të kalonte këtë shërbim në administrim 100% shtetëror, përmes shoqërisë publike “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, me efekt nga 1 janari 2025. Por në vendim u përfshi një klauzolë që parashikonte ndjekjen e këtij procesi përsëri përmes një partneriteti me kompani private.

Pa garë, u caktua kompania “O&S Security And Solutions”, me qendër në Abu Dhabi, e përbërë nga firma “Oumolat Security Printing Llc” (60%) dhe “Sicpa Middle East Investments Holding Ltd” (40%), kjo e fundit mbajtëse e koncesionit të mëparshëm të pullave fiskale për 14 vite. Më 6 mars 2025, qeveria vendosi t’i heqë shtetit 49% të aksioneve dhe t’ia transferojë kompanisë arabe, ndërsa Ministria e Financave ruajti vetëm 51% përmes “Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë”.

Në vijim, u krijua shoqëria koncesionare “ALBTrace Co Sh.A”, me administratore Jona Suli, ish-këshilltare në Kryeministri dhe ish-drejtore e fondeve të huaja, që zëvendësoi Ilir Beqjan. Dhjetë ditë më parë, Ministri i Financave Petrit Malaj nxori një urdhër të brendshëm, ku sanksionoi se ministria nuk ka më kompetenca mbi kontrollin e pullave fiskale, si për sasinë, ashtu edhe për seritë e prodhimit dhe shpërndarjes. Sipas këtij urdhri, 80% e fitimit nga shitja e pullave fiskale do të shkojë për kompaninë arabe, ndërsa vetëm 20% për qeverinë shqiptare, ndonëse kjo e fundit zotëron 51% të aksioneve dhe mbulon pjesën më të madhe të shpenzimeve.

Përveç monopolizimit të pullave fiskale, “ALBTrace Co” është kontraktuar edhe për shënjimin dhe gjurmueshmërinë e procesit të kultivimit, përpunimit dhe tregtimit të kanabisit për përdorim mjekësor. Kjo pritet të hapë rrugën për një treg të ri të ndjeshëm dhe me potencial për abuzim, ku përmes etiketimit si “produkt mjekësor”, mund të maskohen skema trafiku dhe kontrabande nën kontrollin e grupeve të lidhura me interesat e Dubait.

Për të siguruar kontrollin total mbi këtë sektor, produktet e kanabisit do të trajtohen si produkte akcize dhe do të pajisen me pulla fiskale, të prodhuara ekskluzivisht nga kompania e përbashkët. Ndërkohë, bazuar në urdhrin e Ministrisë së Financave, është vetë pala private që do të kontrollojë shpërndarjen e këtyre pullave, duke lënë shtetin pa asnjë mekanizëm real monitorimi./Pamfleti

skema e edi ramës pulla fiskale kontrabandë trafik mafia e dubait

Lini një Përgjigje