
Në vend të decentralizimit që e kërkon BE, Edi Rama po krijon një shtet me pushtet absolut qendror, ku bashkitë drejtohen nga ministra dhe deputetë, dhe reformat menaxhohen nga patronazhistë…
Në emër të reformës, Edi Rama ka vendosur të zhdukë edhe atë pak autonomi që i kishte mbetur pushtetit vendor. Nuk është fjala për një ristrukturim funksional, për përmirësim të shërbimeve apo për ndonjë pastrim real nga korrupsioni, jo! Bëhet fjalë për një mbivendosje brutale pushtetesh, një grusht simbolik kundër decentralizimit, një akt që flet më shumë për panikun politik të qeverisë sesa për ndonjë projekt rilindjeje të administratës.
Në një vend që pretendon të hyjë në Bashkimin Europian, Edi Rama ka shpikur një model krejt origjinal për të “rilindur” administratën vendore: ta dorëzojë atë në dorë të një ministri a deputeti.
Kjo lëvizje është absurde në formë, e rrezikshme në përmbajtje dhe fyese në thelb. Si mund të përzihen zyrtarisht deputetët e PS-së, kryetarët e bashkive dhe ministri në vlerësimin, shkarkimin dhe rikthimin e drejtorëve lokalë?
A nuk jemi një republikë që, të paktën në letër, e ka ndarë pushtetin ekzekutiv nga ai vendor?
Si mund të quhet kjo “reformë”, kur në thelb nuk është gjë tjetër veçse një centralizim i egër dhe një akt i pastër kapjeje politike?
Në thelb, kjo është një lajthitje institucionale me pasoja të rënda kushtetuese, që minon themelet e vetë sistemit të qeverisjes vendore në Shqipëri.
Përmes një “komisioni vlerësimi” që e drejton një ministër i ekzekutivit, dhe në të cilin deputetët, që sipas Kushtetutës nuk kanë asnjë funksion ekzekutiv, vendosin për fatin e administratës së bashkive, Rama po shemb çdo iluzion për ndarje pushtetesh në këtë vend.
Por, ajo që e bën më cinike këtë histori, është aktori i zgjedhur për ta menaxhuar farsën: Blendi Gonxhe; një njeri i njohur për lehtësinë me të cilën i jep emër secilës formë patronazhi dhe për cinizmin me të cilin e përfaqëson partinë në pushtet. Të vendosësh Gonxhen në krye të një reforme kundër korrupsionit në pushtetin vendor, është si të vendosësh një pirroman të menaxhojë shuarjen e zjarrit.
Nëse Babloku do të ndërtonte një strukturë teknokratike për të audituar dhe reformuar administratën vendore, ndoshta do të kishte kuptim. Por kjo që po ndodh nuk është auditim, është pastrim i pamerituar, me qëllim për të ricikluar të njëjtët njerëz, thjesht me një vulë tjetër. Të dorëhequrit mund të rikthehen, nëse “komisioni” i Gonxhes i gjen të denjë. Asnjë kriter ligjor, asnjë standard transparent. Vetëm “besimi” i partisë dhe aprovimi i shefit.
Ky model i republikës së drejtorëve të emëruar nga qeveria qendrore është përtej autoritarizmit të butë: është autokraci me skenografi evropiane. Sepse nuk ka asnjë reformë në Europë që fillon me shkeljen e parimit themelor të subsidiaritetit, idesë që pushteti duhet të ushtrohet nga nivelet më të afërta me qytetarët, jo të përqendrohet si në kohët e një partie të vetme.
Për më tepër, kjo “reformë” po ndërmerret në mënyrë tinëzare, në mes të verës, pa asnjë konsultim publik, pa një raport zyrtar, pa transparencë. Po ndodh një zhbërje e heshtur e pushtetit vendor, ndërkohë që BE kërkon nga Shqipëria pikërisht forcimin e decentralizimit dhe garantimin e autonomisë vendore. Rama, në vend që të afrohet me Evropën, po fut modelin erdoganist në bashkitë e vendit.
Kjo nuk është reformë. Është rigrupim kontrolli për zgjedhjet që vijnë, një spastrim i butë i strukturave që nuk japin më garanci, një rikalibrim i “ushtrisë së territorit”. Dhe në këtë kontekst, të mos harrojmë: sa herë Rama flet për pastrim, do të thotë që po përgatitet për mbjellje. Dhe zakonisht mbjell vetëm një gjë; pushtet!/Pamfleti
Lini një Përgjigje