TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë16 Korrik 2025, 13:43

Shqipëria në një kaos institucional: Rama i jep Blendi Gonxhes kontrollin e administratës së bashkive

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria në një kaos institucional: Rama i jep Blendi Gonxhes
Blendi Gonxhe dhe Edi Rama /

Në emër të “pastrimit të administratës”, qeveria po ndërhyn drejtpërdrejt në pushtetin vendor, duke e kthyer decentralizimin në farsë dhe Shqipërinë në një republikë drejtorësh, një model që e largon vendin nga Evropa dhe e afron me autokracinë...

Kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i japë ministrit Blendi Gonxhe drejtimin e një procesi që nuk ka lidhje me portofolin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, por që shtrihet thellë në kompetencat e pushtetit vendor: përzgjedhjen dhe vlerësimin e strukturave drejtuese në bashkitë e vendit.

Në emër të një “reformimi” të administratës vendore, Rama ka urdhëruar krijimin e komisioneve vlerësuese për administratorët e njësive, zëvendëskryetarët dhe drejtorët e bashkive që janë dorëhequr në masë. Këto komisione përbëhen nga deputetët e PS-së dhe kryetarët e bashkive, por në krye të gjithë procesit është vendosur ministri Blendi Gonxhe, një nga figurat më të afërta të kryeministrit dhe njeri me ndikim të drejtpërdrejtë në strukturat partiake.

Kjo nuk është vetëm një strategji e zakonshme për të riorganizuar njerëzit në funksione, por një lajthitje serioze institucionale, që shkel ndarjen dhe funksionimin e pushteteve, duke centralizuar çdo gjë në duart e një ministri të qeverisë qendrore, gjë që bie ndesh me vetë frymën e decentralizimit dhe me parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore.

Në thelb, kjo është mbivendosje pushtetesh: ekzekutivi po merr kontroll të drejtpërdrejtë mbi një pushtet tjetër të decentralizuar si ai vendor. Dhe kjo nuk është reformë, por koncentrim politik dhe centralizim i kontrollit administrativ, tipar i qeverisjeve autoritare, jo i demokracive funksionale që pretendojnë integrim në BE.

Dhe nëse kjo quhet “përzgjedhje me meritokraci”, qytetarët e dinë mirë se bëhet fjalë për një rishpërndarje të pozicioneve me emra të vjetër ose emra të rinj, por gjithnjë brenda një rrethi politik të kontrolluar.

Komisionet e krijuara për të rivlerësuar zyrtarët e larguar ose për të emëruar të rinj janë formale, sepse vendimet reale i merr ministri Gonxhe. Ai do të jetë autoriteti për të vendosur kush do të rikthehet në detyrë, kush do të emërohet dhe kush do të transferohet diku tjetër. Ndërkohë, shumë nga të larguarit pritet të riciklohen në administratën qendrore.

Shpalljet për vende të lira pune në bashki janë një fasadë për të krijuar perceptimin se gjithçka po ndodh në përputhje me ligjin. Në fakt, është një manovër për të zhbërë “furtunën” politike të dorëheqjeve të detyruara, që më shumë se sa reformë, ka qenë një manovër për të shmangur goditjen nga SPAK dhe për të rifreskuar administratën me figura të kontrolluara më mirë.

Ky model “reforme” e përjashton krejtësisht vetë pushtetin vendor nga funksioni i tij kushtetues. Si mund të flitet për decentralizim, kur qeveria qendrore cakton drejtorët dhe administratorët e bashkive përmes një ministri? Si mund të kërkohet integrim evropian, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një modeli ku pushteti lokal kthehet në një zgjatim të vullnetit të ekzekutivit?

Nëse qëllimi është të plotësohen standardet e BE-së për një administratë të paanshme dhe funksionale, atëherë reforma duhet të fillojë në nivel qendror: me pastrimin e ministrive, agjencive kombëtare, ndërmarrjeve shtetërore dhe bordeve të tenderëve publikë. Nëse vërtet kërkohet një sistem që funksionon me meritë, duhet të largohen ata që janë sot nën hetim dhe jo të ndërrohen drejtorët nëpër bashki për t'u zëvendësuar me njerëz të tjerë të bindur./Pamfleti

kaos institucional blendi gonxhe administrata e bashkive rama blendi gonxhe

Lini një Përgjigje