TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë18 Korrik 2025, 10:42

“Akademia e Hajdutëve”: Reforma e Ramës që centralizon korrupsionin lokal

Shkruar nga Pamfleti

  “Akademia e Hajdutëve”: Reforma e Ramës që

Edi Rama shpik “shkollën e re të pushtetit vendor”, ku në vend të pastrimit të administratës, certifikon dhe riciklon drejtuesit e bashkive nën hetim; një farsë autoritare që shemb autonominë lokale dhe legjitimon patronazhin politik...

Pas “Shkollës së Partisë” për deputetët e rinj të PS-së, kryeministri Edi Rama ka vendosur të krijojë edhe “Akademinë e Pushtetit Vendor”, një platformë trajnimi për drejtuesit dhe zyrtarët e bashkive, e cila në fakt përfaqëson një tjetër formë centralizimi dhe ndërhyrjeje të qeverisë në pushtetin lokal.

Kjo akademi do të funksionojë nën drejtimin e një komiteti “lektorësh” të përzgjedhur nga bashkitë dhe Ministria e Pushtetit Vendor, ndërsa drejtimin ekzekutiv do ta ketë një organizatë e shoqërisë civile që, sipas vendimit të qeverisë, do të caktohet nga vetë kryeministri. Edhe pse prezantohet si mekanizëm për rritjen e performancës së administratës vendore, me synim përmbushjen e detyrimeve për integrimin europian, në realitet ky është një instrument kontrolli politik nga qeveria qendrore.

Trajnimi i zyrtarëve vendorë është një proces ligjor që i takon vetëm Departamentit të Administratës Publike dhe duhet të zhvillohet para emërimeve, bazuar në procedura konkurruese. Mirëpo, në shumicën e rasteve, zv/kryetarët e bashkive, drejtuesit e njësive dhe drejtorët aktualë janë emëruar përmes ndërhyrjeve politike, klientelizmit dhe ndikimit të drejtpërdrejtë të kryeministrit apo deputetëve dhe eksponentëve të zonave.

Pjesa më e madhe e kësaj administrate lokale është përfshirë në një sërë abuzimesh, duke firmosur tenderë, kontrata dhe vendime që kanë çuar në keqpërdorim fondesh publike, shpesh në dëm të interesit qytetar. Megjithatë, asnjë masë ligjore nuk është ndërmarrë kundër tyre. Kjo tregon se vetë qeveria ka ruajtur këtë rrjet patronazhi për të mbajtur nën kontroll vendimmarrjen në territor.

Në vend që të pastrojë realisht strukturat e bashkive nga individë të përfshirë në afera, qeveria po ndërton një “akademi” që synon rikualifikimin dhe “certifikimin” e tyre për t’i rikthyer në të njëjtat pozita. Në këtë proces, figura si Blendi Gonxhe, një prej emrave më të ekspozuar politikisht për lidhje me kontrollin e administratës dhe praktikat e emërimeve të diskutueshme, është vendosur në krye të kësaj “reforme”. Ironikisht, drejtuesit e përfshirë në abuzime po bëhen pjesë e një trajnimi që në letër synon luftën ndaj korrupsionit.

Shumë nga drejtuesit e bashkive që pritet të përfshihen në këtë proces janë aktualisht nën hetim nga SPAK apo të përmendur në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për parregullsi të rënda financiare, përfshirë rastet në Durrës, Fier, Elbasan, Lushnjë, Roskovec, Pogradec, Kamëz, Rrogozhinë, Sarandë, Tepelenë etj.

Në këtë kontekst, themelimi i “Akademisë së Bashkive” përbën një akt me pasoja të drejtpërdrejta kushtetuese dhe administrative. Është një përpjekje për të justifikuar një ndërhyrje të hapur të qeverisë qendrore në kompetencat e vetëqeverisjes vendore, përmes një strukture që tejkalon çdo kufi ligjor të ndarjes së pushteteve.

Kjo nuk është reformë. Është një strategji për të rivendosur kontrollin në një territor që nuk i garanton më bindje politike. Është një përpjekje për të “rebranduar” besnikët, për t’i rikthyer ata në skenë me një logjikë të re, por me të njëjtat qëllime: kontroll total mbi burimet publike dhe territorin administrativ të vendit.

Nëse kjo ndërhyrje do të ishte legjitime, ajo do të përfshinte konsultim me bashkitë opozitare dhe institucionet e pavarura. Por realiteti është i kundërt: vetë kryetarët e PS-së që guxuan të kundërshtojnë këtë linjë, janë vendosur nën presion të fortë politik.

Ky është një tjetër akt i zhveshjes së pushtetit vendor nga autonomia e garantuar në Kushtetutë, dhe për pasojë, edhe një sinjal alarmi për gjithë partnerët ndërkombëtarë që kërkojnë forcimin e decentralizimit në Shqipëri./Pamfleti

akademia e hajdutëve reforma e ramës korrupsioni lokal

Lini një Përgjigje