TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë16 Nëntor 2024, 18:42

Një tjetër Yuri Kim? Kë do të dërgojë Trump në Tiranë dhe ankthi në radhët e të korruptuarve

Shkruar nga Pamfleti

Një tjetër Yuri Kim? Kë do të dërgojë Trump

Nëse kthehemi pak vite pas, Yuri Kim, ishte një ambasadore e ardhur në Tiranë me firmën e Donald Trump. Siç e tregon dhe dokumenti më poshtë, më 28 qershor 2019, Trump propozoi Kim për ambasadore në vendin tonë...

Rizgjedhja e Donald Trump është pritur me shumë gëzim nga politika shqiptare. Si ata në qeveri, ashtu dhe ata në opozitë hapën shishet e shampanjës një ditë pas zgjedhjeve. Por me kalimin e orëve buzëqeshja nisi të venitej pak e nga pak.

Trump pati telefonata thuajse me pjesën më të madhe të liderëve botërorë, përfshirë dhe ata në Ballkan. Por të vetmin që nuk përfilli është Edi Rama. Sipas informacioneve nuk ka pasur asnjë bisedë mes tyre. (Nëse do kishte pasur, Rama do e deklaronte me të madhe).

Ndërkohë Berishës i ngriu buzëqeshja, pasi pa se Richard Grenell nuk u zgjodh në asnjë post në administratën e re. Berisha priste të ishte Sekretar Shteti dhe t’i hiqte “non gratën”. Grenell gjatë vizitave në Tiranë i kishte premtuar Berishës, por nuk mori asnjë post.

Por se çfarë politike do të ndjekë Trump ndaj Shqipërisë, do ta shohim në fillimet e vitit që vjen. Aktualisht ambasada e SHBA nuk ka  një ambasador. Emri i David Kostelancik u bllokua nga Republikanët në Senat dhe ambasadori i ri pritet të jetë një propozim i vetë Trump. Pyetja që shtrohet është: Do të kemi një tjetër Yuri Kim? Apo presidenti i SHBA do të sjellë një ambasador më të butë.

Pse e themi këtë? Nëse kthehemi pak vite pas, Yuri Kim, ishte një ambasadore e ardhur në Tiranë me firmën e Donald Trump. Siç e tregon dhe dokumenti më poshtë, më 28 qershor 2019, Trump propozoi Kim për ambasadore në vendin tonë. Procedurat zgjatën dhe ajo erdhi në Tiranë në janar të vitit 2020. Pra në vitin e fundit të administratës së Trump.

Një tjetër Yuri Kim? Kë do të dërgojë Trump

Të gjithë e dimë se çfarë bëri Kim. Ajo u kthye në armiken më të madhe të Sali Berishës. Falë presionit të saj ai u shpall i padëshiruar në SHBA dhe u përjashtua nga grupi parlamentar i PD. Po ashtu në shumë raste ishte shumë e ashpër me Edi Ramën. Të gjithë mezi e pritën largimin e saj.

Atëherë kë do të sjellë Trump? Se mos kushedi ua ngrin fare buzëqeshjet të korruptuarve tanë me të zgjedhurin e tij. Nëse shohim se kë futi në kabinet, e mira është që pushtetarët të mos presin qiqra në hell se gjithë ai gëzim mund t'u kthehet në vajtim. /Pamfleti

Lini një Përgjigje