TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë20 Tetor 2025, 13:06

Mallkimi i Drejtësisë, Gjin Gjoni dhe qarkullimi i rremë i elitave në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti
Mallkimi i Drejtësisë, Gjin Gjoni dhe qarkullimi i rremë i
Gjin Gjoni, gjyqtari i flakur nga Vettingu, sot deputet i Shqipërisë /

Deputeti i PD-së, ish-gjyqtari i plepave dhe simboli i korrupsionit në drejtësi, i kërkon llogari SPAK-ut për hetimet ndaj grupeve kriminale, ndërsa nipi i tij është në burg si pjesë e një bande droge dhe vrasjesh...

Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, deputeti i PD-së, Gjin Gjoni, ish-gjyqtari i plepave, simbol i korrupsionit dhe pastrimit të parave, i tërhoqi vëmendjen drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, që të mos “abuzojë” me krijimin e grupeve të strukturuara kriminale.
Një deklaratë ironike që do të kishte qenë e drejtë, po të mos ishte një provokim i pastër ndaj drejtësisë nga një njeri me dosje të errëta në çdo hallkë të sistemit ku ka shërbyer.

Në fakt, SPAK ka hetuar dhe çuar në pranga disa grupe kriminale brenda dhe jashtë vendit, duke provuar akuzat ndaj tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Por është po aq e vërtetë se SPAK nuk ka guxuar të prekë disa grupe të tjera të fuqishme, që mbrohen nga kupola e politikës, pushtetit dhe drejtësisë, një fakt që duhej ta kishte theksuar çdo deputet me integritet, por jo Gjin Gjoni, që është vetë pjesë e problemit.

Arsyeja e ndërhyrjes së tij nuk lidhej me “drejtësi abuzive”, por me konflikt interesi të pastër. Në një nga grupet kriminale të goditura nga SPAK-u, bënte pjesë Dedan Gjoni, nipi i tij, djali i vëllait.
Ky i fundit, me detyrë Shef i Krimeve në Komisariatin nr. 6 në Tiranë, u arrestua më 21 nëntor 2023 si një nga drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal “Breçani–Mata”, i akuzuar për trafik droge, dekonspirim aksionesh dhe sigurim mjetesh për vrasje me pagesë.
Emri i tij doli sërish në një tjetër grup të goditur në Elbasan më 25 nëntor 2024, për të cilin u dha masa e dytë e arrestit me burg.

Përtej lidhjes familjare, Gjin Gjoni e ka fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit, megjithëse ligji e detyron të deklarojë çdo lidhje deri në shkallën e katërt familjare, përfshirë bashkëshort, fëmijë, vëllezër, motra, nipa, mbesa apo krushqi.
Kështu, ish-gjyqtari që ka ndërtuar pasuri marramendëse në Shqipëri dhe jashtë saj, ka kryer edhe një tjetër vijimësi të shpërdorimit të ligjit; këtë herë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

As KQZ dhe as Prokuroria e Përgjithshme nuk kanë hapur hetim për këtë shkelje flagrante, megjithëse përbën vepër penale.
Ndërkohë, ky person i diskredituar publikisht, që ka qenë vetë objekt hetimesh për korrupsion, sot mban statusin e ligjbërësit dhe kërkon t’i japë leksione drejtësisë.

Kjo është pamja më e qartë e degradimit të Parlamentit shqiptar, që ka arritur pikën ku Gjin Gjoni, ish-gjyqtari i plepave dhe simbol i aferave të drejtësisë së vjetër, bën moral për integritet, ligje europiane dhe luftë kundër korrupsionit.
Një absurditet politik dhe moral që tregon se në këtë vend, krimi nuk është më në rrugë, është ulur në Kuvend./Pamfleti

gjin gjoni mallkimi i drejtësisë qarkullimi i rremë i elitave

Lini një Përgjigje