TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 1 Gusht 2025, 12:10

Kodi Penal i amnistisë së kriminelëve: Si po legalizohet pandëshkueshmëria me ligj

Shkruar nga Pamfleti

 Kodi Penal i amnistisë së kriminelëve: Si po legalizohet

Një nen absurd i draftit të ri penal parashikon përjashtimin nga ndëshkimi për pjesëtarët e organizatave kriminale e terroriste, nëse bashkëpunojnë me drejtësinë, një “amnisti” e kodifikuar për autorët e krimeve më të rënda...

Në projekt-draftin e ri të Kodit Penal, është përfshirë një dispozitë e pazakontë që, në thelb, përjashton nga ndjekja penale autorët e krimeve të rënda, nëse ata bashkëpunojnë me drejtësinë para se të fillojë procedimi penal. Neni 60 i këtij drafti, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, parashikon një sërë lehtësimesh ekstreme për anëtarët e organizatave kriminale, terroriste dhe bandave të armatosura.

Kodi Penal i amnistisë së kriminelëve: Si po legalizohet

Çfarë parashikon neni 60?
Në pikën 1 të tij, thuhet:
“Vlerësohet si heqje dorë nga kryerja e veprës penale edhe rasti kur jemi përpara krijimit të bashkimit për të kryer një vepër penale, nëse personi vepron me vullnet për të kallëzuar bashkëpunëtorët dhe planet e tyre...”

Pra, nëse një person, pjesë e një strukture kriminale, vendos të bashkëpunojë para se krimi të kryhet, ai përjashtohet nga ndëshkimi, pavarësisht pjesëmarrjes në përgatitje.

Pika 2 thellon këtë përjashtim:
“Pjesëtari i organizatës kriminale, terroriste... përfiton përjashtimin nga dënimi ose uljen e tij, kur jep ndihmesë që gjykohet se është vendimtare për njohjen e veprimtarisë...”

Kurse pika 3 e konkretizon skemën e amnistisë me afat:
“Përjashtimi nga dënimi realizohet vetëm nëse kontribuon përpara se ndaj tij të fillojë procedimi penal.”

Çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Kjo dispozitë do të thotë se edhe nëse një anëtar i një organizate kriminale ka qenë pjesëmarrës në vrasje, trafik droge, rrëmbime personash apo terrorizëm, ai mund t’i shpëtojë ndëshkimit nëse vendos të tregojë për të tjerët përpara se të nisë një hetim ndaj tij.

Kjo nuk është thjesht një lehtësim dënimi siç e parashikon aktualisht Kodi Penal, por një amnisti de facto për krime të rënda. Pra, të kryesh një krim, të denoncosh bashkëpunëtorët dhe më pas të përjashtohesh nga ndëshkimi. Një model i paprecedentë në një shtet të së drejtës.

Pasojat?
Kjo dispozitë krijon një precedent të rrezikshëm: nxit krimin, në emër të bashkëpunimit me drejtësinë. Lejon vetë-amnistimin e anëtarëve të grupeve kriminale, ndërkohë që drejtësia nuk garanton më as ndëshkim, as parandalim.

Nëse ky nen miratohet, ai do të legalizojë pandëshkueshmërinë për krimet më të rënda në Shqipëri. Dhe do ta bëjë këtë, jo përmes një amnistie politike, por përmes vetë Kodit Penal./Pamfleti

kodi penal amnistia e kriminelëve

Lini një Përgjigje