Dokumenti zyrtar i datës 20 tetor 2025 provon se kryebashkiakja “bejlereshë” e Durrësit ua dha milionat me negocim, pa garë dhe me kosto 30% më të lartë...
Pas goditjes që SPAK i bëri aferës së inceneratorëve në Fier, Elbasan e Tiranë, dhe arratisjes së pronarëve faktikë Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, u mendua se atyre iu shkëputën fijet financiare me shtetin dhe pushtetin.
Por ndërkohë që SPAK vazhdon proceset penale dhe trumbeton prerjen e çdo lidhjeje ekonomike të tyre, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, u ka dhënë arratisurve një “çek” të ri nga buxheti publik.
Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 20 tetor 2025, Bashkia Durrës ka shpallur fituese kompaninë “Integrated Energy BV SPV Sh.p.k”, për shërbimin e evadimit të mbetjeve të qytetit, me vlerë 7.7 milionë euro me TVSH.
Kompania në fjalë është zotëruese e koncesionit të landfillit të Tiranës dhe në pronësi faktike të Klodian Zotos e Mirel Mërtirit, të cilët vijojnë të administrojnë biznesin përmes kompanisë mëmë “GeoGenix BV”.
Tender pa garë, me negocim dhe me çmim të fryrë
Procedura e shpallur nga Bashkia Durrës është zhvilluar pa shpallje paraprake dhe pa tenderim të hapur, por përmes një negocimi të drejtpërdrejtë mes Emiriana Sakos dhe administratorëve të landfillit.
Në kontratën e publikuar rezulton se oferta është baraz me 100% të fondit limit, pra pa asnjë ulje.
Madje, edhe vetë fondi limit është llogaritur 30% më i lartë se kostoja reale, diferencë që, sipas të njëjtave burime, përbën “pjesën e nënkuptuar” të marrëveshjes.
SPAK e ka sekuestruar kompaninë, por jo koncesionin
Edhe pse kompania “Integrated Energy BV SPV” është në sekuestro nga SPAK, pagesat vijojnë të shkojnë në llogaritë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, për shkak se koncesioni nuk është konfiskuar dhe mbetet 100% në pronësi të “GeoGenix BV”.
Kjo i lejon grupit të kontrollojë fluksin financiar nga bashkitë, përfshirë edhe Durrësin, përmes një zinxhiri kontratash të lidhura me institucione vendore.
Sako, pjesë e skemës së vjetër financiare të inceneratorëve
Vendimi i fundit i Emiriana Sakos konfirmon se rrjeti i inceneratorëve vazhdon të funksionojë nën maskën e kontratave të mbetjeve, me bashkitë që paguajnë miliona euro përmes formave të “ligjshme”.
Ndërsa SPAK përpiqet të tregojë sukses në ndjekjen penale të personave të arratisur, fondet publike vazhdojnë të derdhen në llogaritë e tyre përmes vendimeve të nënshkruara nga përfaqësues të pushtetit vendor të Partisë Socialiste.

Dokumenti që e vërteton
Dokumenti zyrtar i datës 20 tetor 2025, i publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike, mban firmën e kryebashkiakes Emiriana Sako dhe përmban të gjitha elementët që e bëjnë këtë procedurë të paligjshme dhe klienteliste:
mungesë gare dhe transparence;
negocim direkt me një kompani nën hetim penal;
dhe rritje artificiale të kostos me 30% mbi çmimin real.
Në vend që të priste përfundimin e hetimeve dhe të shmangte çdo lidhje me kompanitë e përfshira në aferën e inceneratorëve, kryebashkiakja e Durrësit ka zgjedhur të bëhet pjesë e të njëjtës skemë, duke e mbajtur gjallë një rrjet që vazhdon të thithë miliona nga buxheti i shtetit.
Dosja e re e Durrësit është provë e qartë se inceneratorët nuk ishin një aferë që mbyllej me SPAK-un, por një sistem i tërë financiar që vazhdon të funksionojë përmes institucioneve të pushtetit vendor, me bekimin e heshtur të qeverisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje