TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 9 Gusht 2025, 11:34

Ka prekur fundin....

Shkruar nga Pamfleti

Me reprezaljen e sotme ndaj News 24, po i kujtojmë Edi Ramës një thënie të vjetër të Napoleon Bonapartit: Më të frikshme janë dy-tri gazeta se mijëra bajoneta...

Ka prekur fundin....

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Edi Rama vendosi të shfaqet ashtu siç është në thelb: një politikan frikacak që nuk e duron dot fjalën e lirë dhe që e përdor policinë si tufë zaptuesish për të mbyllur çdo hapësirë ku nuk kontrollon dot mesazhin. Ky ishte një plan i bërë në errësirë dhe zbatuar me shpejtësinë e një aksioni mafioz.

Urdhri për të rrethuar godinën e News24, Panorama, BalkanWeb dhe Gazeta Shqiptare nuk është thjesht një veprim administrativ. Është një deklaratë politike nga Rama: “Në këtë vend, fjala e lirë varet nga humori im”. Ai nuk po merret me ndonjë gang kriminal, se atyre i rri gatitu, por me një grup mediash. 

Në terren ishte Ardi Veliu; një emër që nuk ka nevojë për prezantim në listën e gjatë të figurave të përdorura për punët e pista të Edi Ramës. Nga kryepolic, zv.ministër dhe në kryetar të AMP-së, e tani në drejtim të një kompanie shtetërore armësh, Veliu është shembulli i njeriut që ka shërbyer gjithmonë pa pyetur për ligj, mjafton që të zbatojë urdhrin. Me 564 mijë lekë rrogë mujore, Veliu sot nuk prodhoi armë, por e përdori policinë si armë kundër medias.

Por le të mos gabojmë: Veliu është thjesht zbatuesi. Kjo është vepër e Edi Ramës. Në Shqipërinë e tij, nuk ka kufi mes pushtetit ekzekutiv dhe policisë; policia është degë e pushtetit personal të kryeministrit. Ai vendos, ata zbatojnë. Ligji nuk hyn fare në këtë ekuacion.

Duke dërguar policinë për të marrë një godinë mediatike, Rama ka kaluar në fazën e hapur të kontrollit autoritar. Kjo nuk është më presion i fshehur, nuk është më kapje e reklamave apo bllokim tenderësh. Kjo është forcë e zhveshur, e bërë për të treguar se kush është pronari i territorit. Sot është News24. Nesër mund të jetë çdo media tjetër që nuk i këndon himnin në kor.

Ai e di mirë se askush nuk e fiton dot luftën me median, por gjithsesi e nis këtë luftë. E nis sepse frika nga e vërteta është më e madhe se frika nga humbja. Çdo kryeministër që ka hyrë në konflikt të hapur me median ka dalë i humbur në fund. Historia është e qartë. Por kur pushteti është mësuar të shkelë ligjin për të mbajtur kontrollin, arroganca bëhet më e fortë se arsyeja.

Edi Rama mund të bëjë teatër me shqiptarët, mund të pikturojë mure e të flasë për reforma, por realiteti i sotëm është ky: ai ka dërguar policinë për të mbyllur dyert e një nga mediave më të mëdha informative. Nuk ka më alibi. Ky është një sulm i hapur ndaj fjalës së lirë.

Në fund, kryeministri duhet ta kuptojë se pushteti nuk zgjat përgjithmonë dhe policia që sot e përdor si trupë private do t’i kthehet një ditë në akuzë. Fjala e lirë nuk mund të fshihet me kordone policie. Çdo derë që mbyll sot, do t’i hapë nesër dhjetë të tjera. Dhe atë ditë, as uniformat, as Veliu, aq më tepër Ilir Proda me bandat e tij nuk do ta mbrojnë dot.

Për ta mbyllur po i kujtojmë Edi Ramës një thënie të vjetër nga Napoleon Bonaparti: Më të frikshme janë dy-tri gazeta se mijëra bajoneta. Këtë nuk duhet ta harrojë as kryeministri as 'zagarët' e tij të bindur. 

edi rama ka prekur fundin

Lini një Përgjigje