Zbulohen deklarimet pasurore të krerëve të KLGJ, KLP dhe ILD
Deklarimet e pasurisë të krerëve të drejtësisë nxjerrin një model të qartë funksionimi ku paga zyrtare është vetëm baza, ndërsa pjesa tjetër mbushet me dieta, borde dhe të ardhura të shpërndara në disa kanale.
Sipas deklarimeve në ILDKP për vitin 2024, Mirela Bogdani, në krye të KLP, shfaq një strukturë të fragmentuar të ardhurash dhe llogarish. Ajo deklaron një apartament 172.30 m2 me shtim vlere pa specifikuar shumën, ndërsa paralelisht mban disa llogari bankare në lekë dhe euro, që shkojnë nga rreth 1.6 milionë lekë deri në mbi 9 mijë euro. Një tjetër llogari prej 1.8 milionë lekësh rezulton e mbyllur, ndërsa figuron edhe një depozitë e mbyllur në paund.
Pjesa që bie në sy nuk janë vetëm këto, por rrjeti i të ardhurave shtesë. Bogdani ka marrë dieta nga OSBE, Expertise France dhe Këshilli i Europës, si dhe pagesa nga vetë KLP. Këtyre u shtohen honorare, të ardhura nga borde si Qendra e Teknologjisë së Informacionit në Drejtësi dhe Shkolla e Magjistraturës, si dhe pagesa të tjera të shpërndara në disa zëra. Vetëm nga paga në KLP ajo deklaron mbi 3.8 milionë lekë, ndërsa me shtesat e tjera shuma totale rritet ndjeshëm.
Modeli që del nga deklarimi i saj është i qartë: shumë burime të ardhurash të vogla dhe të mesme që krijojnë një total të konsiderueshëm, me dietat që përsëriten si një mekanizëm i vazhdueshëm përfitimi.
Edhe Artur Metani paraqet një profil të ngjashëm, por me një komponent tjetër të fortë, lëvizjen e pasurive. Ai ka shitur një apartament 72 m2 për 13.1 milionë lekë dhe deklaron të ardhura prej 57,290 euro nga shitja e pasurive të paluajtshme. Në të njëjtën kohë, një llogari e tij rritet me 50,800 euro, e lidhur pikërisht me këto transaksione.
Nga ana tjetër, Metani deklaron pagë mbi 3.2 milionë lekë, dieta mbi 362 mijë lekë, të ardhura të tjera mbi 1.4 milionë lekë, si dhe përfitime nga borde dhe qira. Ndërkohë mban edhe një kredi bankare me detyrim të mbetur mbi 2.6 milionë lekë.
Edhe në këtë rast, struktura është e njëjtë: paga shoqërohet me një seri përfitimesh të tjera, ku dietat dhe pagesat nga borde shfaqen si shtesë e rregullt.
Në kontrast me këtë tablo, Ilir Rusi paraqet një deklarim më të thjeshtë dhe linear. Ai deklaron dy llogari bankare me burim nga paga, të ardhura nga mësimdhënia, disa të ardhura shtesë dhe dieta, ndërsa paga vjetore arrin rreth 3.5 milionë lekë. Nuk shfaqen lëvizje të mëdha pasurie apo një rrjet i gjerë burimesh të tjera.
Deklarimet e vitit 2024 tregojnë një dallim të qartë mes profileve. Në njërën anë kemi një model me shumë burime të ardhurash dhe dieta të përsëritura, në anën tjetër një deklarim më të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë. Në të gjitha rastet, të dhënat janë ato të deklaruara në ILDKPKI dhe pasqyrojnë mënyrën si ndërtohen të ardhurat në nivelet më të larta të drejtësisë.
Pasuria e krerëve të drejtësisë
Mirela Bogdani, kryetare e KLP
-Apartament, 172.30 m2, (shtim të vlerës, por nuk thuhet sa)
-Llogari bankare, Pakësuar (Nuk e zotëroj - Mbyllur llogaria), Vlera: 1,813,612.66 ALL
-Llogari bankare, 2,709.90 EUR
-Llogari bankare, 1,888.27 EUR
-Llogari bankare,7,746.74 EUR
-Llogari bankare, 1,693,225.40 ALL
-Llogari bankare, 9,484.87 EUR
-Depozitë bankare, mbyllur, -5,209.96 GBP
-Te ardhura nga Dieta, Emërtimi: OSCE Albania, Shuma Neto: 246.61 EUR
-Te ardhura nga Dieta, Emërtimi: Expertise France, 887.00 EUR
-Te ardhura nga Dieta, Emërtimi: Këshilli i Europes, Shuma Neto: 600.00 EUR
-Honorare, Shuma Neto: 1,000.00 EUR
-Te ardhura nga Dieta, Emërtimi: Keshilli i Larte i Prokurorise: 133,606.00 ALL
-Të ardhura nga pjesëmarrja në borde dhe/ose këshilla drejtues, Qendra e Teknologjise se Informacionit ne Drejtësi: 38,250.00 ALL
-Të ardhura të tjera, Shuma Neto: 102,000.00 ALL + 85,000.00 ALL
-Të ardhura nga pjesëmarrja në borde dhe/ose këshilla drejtues, Shkolla e Magjistratures, Shuma Neto: 8,500.00 ALL
-Të ardhura nga paga, Shkolla e Magjistraturës, Shuma Neto: 272,559.00 ALL
Të ardhura nga paga, Këshilli i Larte i Prokurorisë, Shuma Neto: 426,083.00 ALL
Të ardhura nga paga, Këshilli i Larte i Prokurorisë, Shuma Neto: 3,833,557.00 ALL
Artur Metani, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë
-Apartament, 72.00 m2, (Nuk e zotëroj - Shitur ), Vlera: 13,154,400.00 ALL
-Llogari bankare, pakësuar, vlera: 213,599.00 ALL
-Llogari bankare, pakësuar -439.00 EUR
-Llogari bankare shtuar me 50,800.00 EUR, Burimi i Krijimit: Te ardhura nga shitja e aseteve
-Të ardhura të tjera, Shuma Neto: 1,447,208.00 ALL
-Të ardhura nga pjesëmarrja në borde dhe/ose këshilla drejtues: Shkolla e Magjistraturës, Shuma Neto: 17,325.00 ALL
-Te ardhura nga Dieta, Shuma Neto: 362,152.00 ALL
-Të ardhura nga pjesëmarrja në borde dhe/ose këshilla drejtues: Qendra e Teknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë, Shuma Neto: 51,000.00 ALL
-Të ardhura nga shitja e pasurive të paluajtshme: 57,290.00 EUR
-Të ardhura nga qeraja, shuma Neto: 56,950.00 ALL
-Të ardhura nga paga, Shuma Neto: 3,286,200.00 ALL
-Kredi bankare, 1,195,000.00 ALL, Shuma e pashlyer: 2,647,289.00 ALL
Ilir Rusi, kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor
-Llogari bankare, Vlera: 121,810.00 ALL; Te ardhura nga paga
-Llogari bankare, Vlera: 246,383.00 ALL; Te ardhura nga paga
-Të ardhura nga mësimdhënia: Zoja e Këshillit të Mirë, 551.00 EUR
-Të ardhura të tjera: Shuma Neto: 207,441.00 ALL
-Të ardhura nga pjesëmarrja në borde dhe/ose këshilla drejtues: Qendra e teknologjise se Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, shuma Neto: 12,750.00 ALL;
-Te ardhura nga Dieta: Shuma Neto: 223,601.00 ALL
-Të ardhura nga paga: Shuma Neto: 3,506,715.00 ALL /Pamfleti
Lini një Përgjigje