Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë rezulton me pagesa dhe rol vendimmarrës në një rrjet të gjerë bordesh, këshillash mbikëqyrës dhe komisionesh shtetërore në sektorë që vetë i mbikëqyr si ministër...
Para se të emërohej ministër, Enea Karakaçi ka qenë dhe mbetet i përfshirë në një numër të madh bordesh dhe komisionesh shtetërore, përtej kufijve që parashikon ligji për zyrtarët publikë. Sipas të dhënave, ai ka ushtruar paralelisht role mbikëqyrëse dhe vendimmarrëse në institucione që lidhen drejtpërdrejt me sektorët që kontrollon Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Situata ngre pikëpyetje të forta për konflikt interesi, përfitime të shumëfishta financiare dhe për mënyrën si janë ndërtuar lidhjet e pushtetit brenda enteve publike.
Ministrat e rinj krijojnë përshtypjen sikur janë “qelibar” në aktivitetin dhe punët e tyre, por faktikisht kanë “njolla” korrupsioni dhe lidhje të shumëfishta interesash e përfitimesh nga postet e mëparshme brenda institucioneve dhe enteve publike.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, është një prej të përkëdhelurve të kullës së pushtetit, që në çdo detyrë ka “ngrënë me disa lugë” njëkohësisht. Pra, përveç pagës kryesore si drejtor, ka marrë edhe disa pagesa paralele në borde e komisione.
Sipas ligjit për pjesëmarrjen në bordet publike, zyrtarëve të shtetit u lejohet të emërohen paralelisht vetëm në dy borde apo këshilla mbikëqyrës, sidomos në sektorët që varen nga institucionet ku ata janë drejtues, pasi përbëjnë konflikt interesi.

Ndërsa ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deri para 3 javësh kur u emërua në këtë detyrë, e madje edhe tani, vazhdon të jetë anëtar me pagesë në 8 borde, këshilla mbikëqyrës e komisione shtetërore.
Bordet shtetërore ku është anëtar
Prej 9 vitesh, qysh prej kohës kur ishte jurist në Entin Rregullator të Energjisë dhe në Avokaturën e Shtetit, ministri Enea Karakaçi është anëtar në këto 8 borde shtetërore:
1. Anëtar bordi në agjencinë shtetërore “Albanian Gas Service Company”.
2. Anëtar bordi në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
3. Anëtar bordi në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
4. Anëtar bordi në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
5. Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në shoqërinë shtetërore “Prodhim Kabllo sh.a.”.
6. Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në shoqërinë shtetërore “Petrol Alba sh.a.”.
7. Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Masave Disiplinore, të marra nga Njësia Operacionale Speciale e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE.
8. Anëtar i komisioneve të posaçme të përhershme pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për dhënien e licencave të projektimeve e zbatimit të investimeve, për vlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe dhënien e statusit të naftëtarit.
Aktiviteti i bordeve dhe këshillave mbikëqyrës në këto institucione dhe ente shtetërore ka pasur dhe ka lidhje vartësie, kontrolli e vendimmarrjeje me Enea Karakaçin, në detyrat e tij si Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pra, në konflikt interesi, Enea Karakaçi ka qenë kontrollues dhe urdhërues si zyrtar i lartë në ministri, dhe njëkohësisht anëtar bordi që ka miratuar buxhetin, të ardhurat, investimet, shpenzimet, fitimet, humbjet, tenderët dhe masat ndëshkimore në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Drejtorinë e Transportit Rrugor, Agjencinë e Burimeve Natyrore, Albanian Gas etj.
Ndërsa tani, këto ente shtetërore dhe bordet e tyre, Enea Karakaçi i ka në vartësi si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ku urdhrat për çdo vendim dhe pazar i jep kryeministri Edi Rama, ndërsa ai firmos formalisht./Pamfleti
Perkthej edhe ne leke te lutem? Sa shoojne keto 8 borde ne muaj!