Pas hetimeve të gjata të Pamfletit mbi marrëveshjen 1 miliard euro mes "Aktor Group" dhe "BNI Foundation" për shfrytëzimin e nikel-kobaltit në Bilisht, fondacioni amerikan ka folur zyrtarisht. Përgjigja është e qartë: nuk kanë asnjë lidhje.
Më 13 Prill 2026, Shirley Towne, kryetare e BNI Foundation Worldwide, Inc. me seli në Charlotte, Karolina e Veriut, iu përgjigj pyetjeve të Pamfletit. Në email-in e saj ajo shkruan: "BNI Foundation Worldwide, Inc. nuk është e përfshirë, e lidhur apo e afiliuar me asnjë aktivitet minerar apo eksplorimi mineral në Shqipëri apo gjetkë. Fondacioni nuk ka autorizuar asnjë entitet apo individ të përdorë emrin e tij në lidhje me ndërmarrje tregtare. Jemi në dijeni të referencave mediatike dhe po ndërmarrim hapat e duhur për të siguruar që informacioni të korrigjohet."
Kjo përgjigje konfirmon atë që Pamfleti dyshoi që në fillim: "BNI Foundation" që figuron në marrëveshjen e Bilishtit nuk ka asnjë lidhje me fondacionin e regjistruar amerikan. Emri i tij po përdoret pa autorizim për t'i dhënë legjitimitet një marrëveshjeje miliardëshe për të cilën askush nuk mund të thotë me dorë në zemër se kush qëndron vërtet pas saj.
Në njoftimin e "Aktor Group" më 18 Mars 2026, BNI Foundation përshkruhej si "organizatë rajonale e diversifikuar me filiale të konsoliduara në Shqipëri" dhe premtohej se financimi do të vinte "nga kapitali amerikan". Por tani rezulton se fondacioni amerikan me të njëjtin emër nuk ka dijeni për këtë projekt dhe nuk ka dhënë asnjë autorizim. Pra, ose "Aktor Group" është mashtruar nga partneri i saj shqiptar, ose ka mbyllur sytë para një fasade të ndërtuar me qëllim.
Kujtojmë se partneri i "Aktor" në këtë sipërmarrje është Brightnest sh.p.k., një shoqëri e themeluar në tetor 2025 me një kapital prej vetëm 100 lekësh (rreth 1 euro). Pronari i saj është Mirsad Uruçi, i njëjti biznesmen që prej vitesh administrator i degës shqiptare të EFT Group, kompanisë së oligarkut serb të energjisë Vuk Hamoviç. Hamoviç figuron në dosjen e famshme Suisse Secrets të OCCRP-së me tre llogari në Credit Suisse dhe është hetuar për korrupsion nga autoritetet britanike.
Pyetja që ngrihet tani është e thjeshtë: kush e ka përdorur emrin e BNI Foundation pa leje? Pse një fondacion bamirësie për fëmijë në Karolinën e Veriut u gjend në qendër të një marrëveshjeje miliardëshe për minerale strategjike në Shqipëri? Dhe mbi të gjitha: a e dinte "Aktor Group" se partneri i tyre po operonte me një emër të huazuar?
Tani që BNI Foundation amerikan ka mohuar zyrtarisht çdo lidhje, është koha që "Aktor Group" të tregojë dokumentacionin e verifikimit që ka bërë para se të firmoste. Nëse një verifikim i tillë nuk është bërë, atëherë aksionarët e kompanisë greke të listuar në Bursën e Athinës kanë të drejtë të dinë se pse menaxhmenti i tyre hyri në një partneritet me një strukturë që sot rezulton të ketë përdorur një emër të rremë.
Tani që fondacioni amerikan mohon çdo gjë, fakti mbetet: BNI Foundation nuk është amerikan, nuk ka kapital amerikan dhe nuk ka autorizuar asnjë nga palët shqiptare apo greke të përdorin emrin e tij.
Loja me miliarda vazhdon, por tashmë një nga shtyllat e saj ka rënë. /Pamfleti
Amund te hetohete