
Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga padia në SHBA ndaj biznesmenit izraelit Ron Yeffet, mik i kryeministrit Edi Rama. “Pamfleti” ishte media që zbuloi se ndaj tij ishte ngritur një padi në gjykatë për mashtrim dhe në atë padi përmenden kryeministri Edi Rama dhe Shqipëria. Sot po tregojmë se si Ron Yeffet ka kaluar nga mashtrimi në mashtrim, duke detyruar biznesmenin t’i drejtohet gjykatës.
Zbardhen detaje të reja nga padia e ngritur në Shtetet e Bashkuara ndaj biznesmenit izraelit Ron Yeffet, i cili duket se në këtë skandal ka përfshirë edhe Edi Ramën.
Ishte “Pamfleti” që zbuloi të enjten se ndaj Ron Yeffet ishte bërë një padi, pasi ai akuzohet se i ka marrë një biznesmeni afro 8 milionë dollarë përmes mashtrimit.
Dokumenti përshkruan se gjithçka nis në vitin 2018, kur Mark Faist, pas një karriere të gjatë si tregtar energjie, del në pension dhe vendoset në Miami së bashku me familjen. Në këtë qytet ai njihet me Ron Yeffet, një person që, sipas padisë, do të ndërtonte gradualisht një marrëdhënie të ngushtë me të, përmes një strategjie të qëllimshme dhe të menduar mirë.
Yeffet punoi për të krijuar një imazh të fortë besueshmërie dhe suksesi. Një moment vendimtar në këtë proces ishte organizimi i një udhëtimi në Paris në vitin 2020, në kulmin e kufizimeve të pandemisë. Gjatë këtij udhëtimi me avion privat, Faist dhe bashkëshortja e tij u prezantuan me figura të rëndësishme, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë dhe ambasadorin shqiptar në Francë dhe Monako.
Një nga episodet më të detajuara lidhet me një vizitë në Shqipëri, e përshkruar në dokument si një demonstrim i drejtpërdrejtë i fuqisë dhe ndikimit. Yeffet dhe Faist u shoqëruan me një autokolonë të kompletuar me personel sigurie të armatosur, ndërsa qëndrimi i tyre u organizua në një kompleks privat me shërbim të plotë dhe siguri të vazhdueshme.
Por sipas padisë, duket se miku i Ramës e ka mashtruar dy herë biznesmenin në fjalë. Herën e parë, kur i mori mbi 8 mln dollarë me pretekstin se do t’i investonte dhe nuk i ktheu asgjë. Dhe herën e dytë, pas firmosjes së një marrëveshjeje. Më poshtë po japim sot detaje të reja nga padia.
Mashtrimet e Ron Yeffet
Sipas dokumenteve të padisë, gjithçka arrin në një pikë kritike në shkurt të vitit 2025, kur investitori Mark Faist vendos të tërhiqet nga marrëveshja e investimit për shkak të vonesave të vazhdueshme dhe shmangieve nga ana e Yeffet. Deri në atë moment, Yeffet kishte premtuar në mënyrë të përsëritur kthimin e fondeve, por pa ndërmarrë hapa konkretë.
Vetëm më 1 maj 2025 regjistrohet një lëvizje financiare: një transfertë prej 1 milion dollarësh drejt Faist, e cila përbënte një shlyerje të pjesshme, rreth 12% e shumës totale prej 8,611,676.50 dollarësh. Kjo pagesë, në vend që të zgjidhte situatën, thelloi konfliktin, pasi pjesa dërrmuese e detyrimit mbeti e papaguar.
Pas kësaj, Faist kërkoi zyrtarisht një plan të detajuar shlyerjeje për pjesën e mbetur, duke vendosur edhe një afat maksimal prej tre muajsh. Megjithatë, sipas padisë, Yeffet refuzoi të angazhohej për çdo lloj plani konkret. Kërkesat e mëtejshme, përfshirë një tjetër kërkesë zyrtare më 6 qershor 2025 përmes përfaqësuesve ligjorë, mbetën pa përgjigje.
Gjatë muajve gusht dhe shtator 2025, përpjekjet për të rikuperuar fondet vijuan, ndërsa paralelisht u paralajmërua hapur nisja e procedurave gjyqësore, përfshirë pretendime për mashtrim dhe përvetësim fondesh. Sipas padisë, në këtë fazë ishte bërë e qartë se fondet nuk ishin përdorur për qëllimin për të cilin ishin dhënë fillimisht.
Përballë këtij presioni, palët ranë dakord të shmangnin përkohësisht përplasjen gjyqësore dhe më 29 shtator 2025 nënshkruan një Marrëveshje Zgjidhjeje. Ky dokument përbën një pikë kyçe në çështje, pasi në të Yeffet dhe kompania e tij R&I Trading pranojnë shprehimisht detyrimin financiar dhe përgjegjësinë e tyre të plotë.
Në marrëveshje konfirmohet se Faist kishte transferuar gjithsej 8,611,676.50 dollarë në kuadër të një investimi në pasuri të paluajtshme në Nju Jork. Gjithashtu pranohet se vetëm 1 milion dollarë ishin kthyer deri në maj 2025, duke lënë një balancë të papaguar prej 7,611,676.50 dollarësh.
Sipas kushteve të marrëveshjes, kjo shumë duhej të shlyhej brenda 90 ditëve nga data e nënshkrimit, me një interes vjetor prej 5%, i cili do të llogaritej çdo ditë deri në shlyerjen e plotë. Dokumenti përcaktonte qartë se Yeffet dhe R&I Trading mbanin përgjegjësi të përbashkët dhe individuale për të gjithë shumën.
Një element tjetër i rëndësishëm ishte klauzola që parashikonte se, në rast mosrespektimi të afatit, e gjithë shuma së bashku me interesin do të bëhej menjëherë e detyrueshme dhe e pagueshme, duke i hapur rrugë ndjekjes së të gjitha mjeteve ligjore.
Marrëveshja lejonte gjithashtu vetëm një zgjatje të vetme prej 60 ditësh, me kusht njoftimi me shkrim. Nuk parashikohej asnjë zgjatje tjetër pa dakordësi të re mes palëve.
Megjithatë, sipas padisë, edhe kjo marrëveshje e nënshkruar dhe e pranuar nuk u respektua. Fillimisht, nuk u krye asnjë pagesë brenda afatit 90-ditor. Më pas, të paditurit përdorën të drejtën për zgjatje, duke e shtyrë afatin përfundimtar në 26 shkurt 2026.
Por edhe pas kësaj periudhe shtesë, nuk u realizua asnjë pagesë tjetër ndaj shumës së mbetur prej mbi 7.6 milionë dollarësh. Dokumentet theksojnë se deri në momentin e depozitimit të padisë, detyrimi mbetet i paprekur, ndërsa interesi vijon të rritet.
Në padi argumentohet se kjo sjellje përfaqëson jo vetëm një shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes së zgjidhjes, por edhe një vazhdimësi të një modeli veprimi të karakterizuar nga premtime të pambajtura, vonesa dhe shmangie të qëllimshme të detyrimeve.
Si rrjedhojë, paditësi Mark Faist i është drejtuar gjykatës duke kërkuar dëmshpërblim për shumën e plotë prej 7,611,676.50 dollarësh, interesin e akumuluar me normë 5% në vit, si dhe kostot ligjore dhe çdo lehtësim tjetër që mund të konsiderohet i drejtë nga gjykata.
Pra, nuk ka shumë për koment. Ron Yeffet ka hyrë në Shqipëri si biznesmen i “fuqishëm”, ku Rama e ka bërë pjesë të KAYO, kompanisë së prodhimit të armëve. Ai ka marrë miliona euro tenderë. Ndërkohë, në SHBA ai vijon mashtrimet muaj pas muaji dhe vit pas viti. /Pamfleti
Lini një Përgjigje