TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë14 Prill 2026, 12:11

Porti i Durrësit, hija e një pazari të errët: ku po shkojnë milionat e shitjeve te “kullat në ajër”?

Shkruar nga Pamfleti
Porti i Durrësit, hija e një pazari të errët: ku po
Projekti Alabar /

Në një projekt ku shteti shqiptar rezulton me 33% pjesëmarrje, mungesa e transparencës mbi të ardhurat nga shitjet paraprake ngre dyshime serioze për favorizim të palës private, shmangie të interesit publik dhe deformim të raportit real financiar...

Te projekti i Portit Turistik të Durrësit, pyetja nuk është më se sa kulla do të ngrihen, por ku po shkojnë paratë që po mblidhen nga shitjet dhe pse shteti shqiptar, ndonëse figuron ortak me 33%, nuk ka dhënë ende një pasqyrë të plotë, të detajuar dhe të verifikueshme mbi pjesën që i takon.

Sipas të dhënave dhe informacioneve të publikuara më herët nga “Pamfleti”, në territorin e ish-Portit të Durrësit janë kryer shitje paraprake të apartamenteve, zyrave, njësive tregtare dhe garazheve, edhe pse një pjesë e objekteve nuk ka përfunduar. Sipas informacioneve, deri në mars 2026 vlera e të ardhurave të krijuara nga kontratat paraprake llogaritet në dhjetëra e më pas mbi njëqind milionë euro. Këto shifra, në mungesë të publikimit zyrtar të dokumentacionit të plotë financiar, mbeten pretendime që kërkojnë verifikim institucional, por mjaftojnë për të ngritur një alarm legjitim publik.

Porti i Durrësit, hija e një pazari të errët: ku po

Thelbi i çështjes është i thjeshtë: nëse shteti shqiptar ka 33% pjesëmarrje në këtë sipërmarrje, atëherë duhet të ekzistojë transparencë e plotë mbi mënyrën si po pasqyrohen, administrohen dhe ndahen të ardhurat e krijuara nga shitjet. Nëse këto të ardhura po arkëtohen nga pala private, qoftë drejtpërdrejt apo përmes hallkave të tjera kontraktore, atëherë publiku ka të drejtë të dijë nëse kjo praktikë është në përputhje me kontratën, me marrëdhënien e ortakërisë dhe me interesin ekonomik të shtetit.

Qeveria nuk mund të mjaftohet me justifikimin se të ardhurat po riinvestohen në projekt. Edhe nëse kjo është e lejueshme në aspektin teknik apo kontabël, një fakt i tillë nuk përjashton detyrimin për raportim të qartë ndaj ortakut dhe opinionit publik. Përkundrazi, sa më i madh të jetë projekti dhe sa më e madhe të jetë pasuria publike e vënë në dispozicion, aq më e madhe bëhet barra e transparencës.

Dhe këtu qëndron nyja më e rëndë: shteti shqiptar nuk ka hyrë në këtë projekt si vëzhgues, por si kontribuues me një aset publik me vlerë strategjike. Nëse toka, statusi juridik, lehtësitë procedurale dhe pesha institucionale e shtetit janë përdorur si bazë e kësaj sipërmarrjeje, atëherë çdo mungesë qartësie mbi të ardhurat e realizuara nuk është thjesht problem kontabiliteti. Është çështje e drejtpërdrejtë e mbrojtjes së interesit publik.

Në këto kushte, lindin disa pyetje që qeveria dhe strukturat përgjegjëse nuk mund t’i shmangin më:

Ku janë pasqyruar të ardhurat nga shitjet paraprake?

Në cilat llogari bankare janë administruar?

Cila është shuma e saktë e arkëtuar deri tani?

Çfarë pjese i është njohur ose rezervuar ortakut shtetëror?

A ka auditim të pavarur mbi rrjedhën financiare të projektit?

Dhe mbi të gjitha: a po mbrohet realisht interesi i shtetit shqiptar, apo ai është lënë në hije përballë interesit të palës private?

Këto nuk janë pyetje propagandistike. Janë pyetje ligjore, financiare dhe institucionale. Sepse kur në një projekt me pronë publike dhe ortakëri shtetërore qarkullojnë shuma të mëdha, por shteti nuk jep llogari të plotë mbi përfitimin e tij, krijohet një terren i rrezikshëm për dyshime mbi menaxhim jo transparent, favorizim të padrejtë të palës private, fshehje të të ardhurave ose shmangie të detyrimeve që burojnë nga kontrata dhe ligji. Këto janë çështje që nuk i zgjidh propaganda, por vetëm dokumentet, auditimi dhe hetimi.

Prandaj, në këtë fazë, askush nuk ka nevojë të shpallë fajtorë me gjuhë politike. Mjafton një konstatim i ftohtë: deri tani mungon transparenca e mjaftueshme për një projekt ku janë përfshirë pasuri publike me vlerë të jashtëzakonshme dhe ku pretendohet se janë gjeneruar të ardhura shumë të mëdha nga shitjet. Dhe kur mungon transparenca në një projekt të tillë, dyshimi nuk është ekzagjerim. Është detyrim qytetar.

Nëse qeveria pretendon se çdo procedurë është e rregullt, atëherë zgjidhja është fare e thjeshtë:

të publikojë kontratën e plotë operative, formulën e ndarjes së të ardhurave, bilancet reale të arkëtimeve, lëvizjet financiare dhe raportet e auditimit. Deri atëherë, çdo përpjekje për ta mbyllur debatin me deklarata politike vetëm e thellon bindjen se te Porti i Durrësit nuk kemi të bëjmë thjesht me një projekt ndërtimi, por me një çështje ku interesi publik mund të jetë vënë në rrezik serioz./Pamfleti

 

projekti alabar porti i durrësit

1 Komente

  1. O
    Opionisti

    Te hetohete jane kunder ndetimi durres

    Lini një Përgjigje