TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë15 Prill 2025, 11:27

Argita në gjyq me ‘Pamfleti’-n; i ati, kandidat për Kryeministër premton liri të mediave

Shkruar nga Pamfleti

Argita në gjyq me ‘Pamfleti’-n; i ati, kandidat për

Kjo kastë politike ka plot 34 vite që bashkëpunon ngushtë me njëra-tjetrën, duke mbajtur nën presion të vazhdueshëm këdo që guxon t'i kundërshtojë dhe të denoncojë aferat e saj korruptive dhe klienteliste…

Në një situatë të pazakontë, Argita Berisha, e bija e ish-kryeministrit Sali Berisha, ka paditur në gjykatë "Pamfleti"-n, një media kritike të pushteteve. Kjo lëvizje juridike ndodh ndërsa pjesëtarët e familjes së saj përballen me akuza serioze nga institucionet e drejtësisë në vend.

Babai i saj, Sali Berisha, është në masën e sigurisë "Detyrim paraqitje" në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), i vëllai po hetohet në mënyrë të thelluar nga e njëjta prokurori, ndërsa bashkëshorti i saj është në ‘arrest shtëpie’ me vendim të Gjykatës së Posaçme.

Në këto kushte, pyetja që duhet ngritur me forcë është: çfarë modeli qeverisjeje mund t'i ofrojë vendit familja ‘Berisha’, kur integriteti i saj ligjor dhe moral është në pikëpyetje kaq serioze? Kjo kastë politike ka plot 34 vite që bashkëpunon ngushtë me njëra-tjetrën, duke mbajtur nën presion të vazhdueshëm këdo që guxon t'i kundërshtojë dhe të denoncojë aferat e saj korruptive dhe klienteliste. Nuk duhet të harrojmë se Argita Berisha është denoncuar më parë nga biznesmenë të huaj gjatë periudhës kur i ati ishte kryeministër, për përdorimin e pushtetit të babait të saj për përfitime personale. Gjithashtu, ajo ka qenë bashkëpunëtore në biznes me Damir Fazlliç, i njohur për aferat e tij kontroverse në rajon, si dhe e përfshirë në pretendime për grabitje tokash në jug të vendit dhe në aktivitete të dyshimta biznesi.

Padia ndaj një media kritike, ndërsa familja përballet me akuza të rënda dhe hetime penale, ngre dyshime të mëdha mbi angazhimin real të Sali Berishës ndaj lirisë së shprehjes, transparencës dhe përgjegjshmërisë nëse do t'i jepej përsëri mundësia për të qeverisur Shqipërinë. Ky rast evidenton një shqetësim të thellë për mënyrën se si familjet me pushtet politik i trajtojnë mediat dhe zërat kritikë, sidomos kur këta zëra prekin interesa personale dhe familjare.

Një familje, që ndodhet nën hijen e drejtësisë për akuza dhe hetime serioze, duhet të jetë më e rezervuar dhe më e matur në reagimet e saj publike dhe juridike. Sulmet ndaj mediave dhe përpjekjet për t’i heshtur ato përmes gjyqeve nuk janë vetëm një akt kundër gazetarisë së lirë, por edhe një tregues i mentalitetit autoritar, që nuk mund dhe nuk duhet të ketë vend në një demokraci funksionale.

Zgjedhjet e 11 Majit janë afër, dhe Shqipëria ndodhet përballë një vendimi të rëndësishëm: a duhet të mbështesë një familje dhe një figurë politike që janë në konflikt të hapur me ligjin dhe institucionet e reja të drejtësisë? Apo është koha që qytetarët të kërkojnë një model qeverisjeje të bazuar mbi integritetin moral, përgjegjësinë ligjore dhe respektimin e plotë të lirisë së medias dhe të drejtave të qytetarëve?

Në një kohë kur vendi kërkon të ecë përpara drejt një të ardhmeje europiane, familja Berisha dhe mënyra sesi ajo i përgjigjet akuzave, hetimeve dhe kritikave mediatike, janë një pasqyrë e qartë e rrezikut që paraqet rikthimi i saj në pushtet. Shqipëria meriton një lidership të pastër, transparent dhe që respekton sundimin e ligjit, jo një lidership që përdor gjyqet si mjet për të heshtur të vërtetën dhe për të mbrojtur interesat e veta personale. /Pamfleti

argita berisha sali berisha pamfleti liria e mediave

Lini një Përgjigje