Babloku i krekoset edhe SPAK-ut se nuk u trembet gabimeve, por shkel mbi protokollet dhe vëndimet qeveritare me aq karizëm sa edhe Donald Trumpi, për të thënë se edhe në fshatin e vogël, paqa mund të lind nga forca...
Në fshatin tonë, 2 botët, e perëndimit dhe e lindjes, edhe pse janë pole të kundërta, historikikisht kanë ndërtuar tërheqje të fuqishme në fizikën e spektaklit sipëror.
Supermani Edi Rama, ngelës në gjithë provimet, ngjan si kopjac i keq i moralit shpëtimtar.
Nëse “diktatori” i mirë Donal Trump, armiqtë që nuk i binden, i shkatërron, me ‘Urdhëra Ekzekutivë’; “hajduti” i mirë Edi Rama, viktimat që nuk e shtrijnë vetë kurrizin, nuk i mëshiron, por i bën qesharakë, me propagandë e tallava që shkëlqejnë në gishta të mafies, si gurë të rremë në ndriçim refleksesh.
Kopje e keqe e një nxënësi të keq.
Kapsllëku emocional për flokët e verdha si kalli misri, apo tornadoja nëpër shkretëtirën tullace, ku vera 33 000 dollarëshe gëlltitet me oreks edhe në funerale, të krijon klimë për të zier pasionet e moçaleve të kënetës dhe shkrirë akullnajat maleve të korrupsionit.
Këtej ku marshon egocentrizmi, nuk gjen të dobët me mendim ndryshe.
Amplifikimi në çdo fije dyshimi, si produkt kulturor i kësaj epoke, edhe nëse nuk jetohet lezetshëm, ndjehet në lëvozhgën që mbështjell iluzionet e lavdishme lozonjare.
Motorri i vjetër rus i Edi Ramës, edhe pse ndizet me manivel të Sali Berishës, zhurmën e ka të fortë e gulçon në rrugë paralele, i forti e mund gjithmonë të dobëtin.
Po, sa kohë këtej realiteti stoliset me opiumin se shoqëria vazhdon të jetë e uritur për liderë jo normalë, Babloku kapardiset se është një Trump i vogël.
Babloku i krekoset edhe SPAK-ut se nuk u trembet gabimeve, por shkel mbi protokollet dhe vëndimet qeveritare me aq karizëm sa edhe Donald Trump mbi barin e kopshtit të Shtëpisë së Bardhë, për të thënë se edhe në fshatin e vogël, paqa mund të lind nga forca./Pamfleti
Lini një Përgjigje