TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Korrik 2026, 18:03

Ktheu banesën në laborator droge, arrestohet 19-vjeçari shqiptar në Itali

Shkruar nga Pamfleti
Ktheu banesën në laborator droge, arrestohet 19-vjeçari
Foto Ilustruese

Një 19-vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e Policisë së Savonës, në Itali pas një operacioni antidrogë që çoi në zbulimin e mbi 3 kilogramëve lëndë narkotike. Sipas autoriteteve italiane, i riu ishte i njohur më parë për precedentë penalë.

Hetimi nisi në kuadër të luftës kundër trafikut të drogës mes të rinjve. Gjatë vëzhgimeve, efektivët vunë re se 19-vjeçari bënte një jetë luksoze, të papërputhshme me mungesën e një burimi të ligjshëm të ardhurash, çka shtoi dyshimet ndaj tij.

Policia e lokalizoi pranë një qendre tregtare në Savona. Fillimisht, ai deklaroi se përdorte vetëm banesën e familjes, por hetuesit kishin konstatuar se frekuentonte edhe një tjetër apartament në të njëjtën zonë, i cili nuk rezultonte i regjistruar në emrin e tij.

Dyshimet i çuan autoritetet në kontrollin e banesës së dytë, ku, me ndihmën e qenit antidrogë Rey, u zbulua një sasi e konsiderueshme narkotikësh. Në total u sekuestruan 1.03 kilogramë hashash, 2.145 kilogramë marijuanë dhe rreth 280 gramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur në tregun me pakicë mbi 50 mijë euro.

Sipas policisë, droga ishte fshehur në vende të ndryshme të banesës, përfshirë një depo dhe kuzhinën, ku një pjesë e saj ishte vendosur brenda enëve të ushqimit, në dollapë dhe frigorifer.

Gjatë kontrollit u sekuestruan gjithashtu materiale që dyshohet se përdoreshin për ndarjen dhe paketimin e lëndëve narkotike, dy telefona celularë dhe 1.400 euro cash në prerje të ndryshme. Sipas autoriteteve italiane, kjo shumë nuk përputhej me të ardhurat e ligjshme të të riut, i cili rezulton i papunë.

Në përfundim të procedurave, 19-vjeçari u dërgua në burgun "Marassi" në Genova, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.

ktheu banesen ne laborator droge arretsohet 19-vjecari shqiptar ne itali

Lini një Përgjigje