Policia e Sarandës ka identifikuar tre autorët e dyshuar të dhunimit dhe kanosjes së oficerit të Policisë, Mihal Velço, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në lagjen nr. 4 të qytetit.
Sipas burimeve policore, në kërkim janë shpallur Andrea Rubati, 27 vjeç, Antonio Lefteri, 30 vjeç, dhe Engjëll Dalanaj, 30 vjeç, të tre me precedentë penalë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, kur oficeri i Policisë Mihal Velço, 32 vjeç, me detyrë në Komisariatin e Policisë Sarandë, ka njoftuar sallën operative se ishte goditur dhe kanosur me thikë nga tre persona që lëviznin me motomjete.
Sipas Policisë, efektivi u kishte kërkuar të ndalonin manovrat e rrezikshme që po kryenin në qytet, pasi ishte identifikuar si oficer policie. Në këto rrethana, tre të dyshuarit dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht dhe e kanë kanosur me thikë, duke tentuar ta godasin. Më pas, ata janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Falë veprimeve hetimore dhe analizimit të pamjeve filmike, policia ka bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar. Oficeri Velço ka depozituar kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Gjatë natës dhe ditës së sotme, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle në banesat e tre të dyshuarve, si dhe në ambiente ku dyshohej se mund të fshiheshin, por pa mundur t'i lokalizojnë.
Tre shtetasit janë shpallur në kërkim dhe dyshohen për veprat penale "Goditja për shkak të detyrës" dhe "Kanosja", ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Lini një Përgjigje