Policia e Elbasanit ka nisur procedim penal ndaj dy personave të dyshuar për kanosjen e gazetarit Osman Stafa gjatë ushtrimit të detyrës, teksa ai po dokumentonte nxjerrjen e inerteve në lumin Shkumbin, në zonën e Hotolishtit, Librazhd.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e para hetimore dhe nisën procedimin penal për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës" ndaj shtetasve me iniciale R. T., 33 vjeç, banues në Tiranë, dhe A. B., 31 vjeç, banues në Librazhd.
Referuar Policisë, më 17 korrik 2026, rreth orës 14:00, gazetari Osman Stafa ka njoftuar Sallën Operative se gjatë lëvizjes në aksin rrugor Librazhd–Elbasan ishte ndjerë i kanosur nga dy persona që udhëtonin me një automjet.
Sipas kallëzimit të gazetarit, pas përfundimit të filmimeve në lumin Shkumbin, automjeti e ka ndjekur përgjatë aksit Librazhd–Elbasan, duke i prerë disa herë rrugën dhe më pas duke i bllokuar kalimin, çka ai e ka konsideruar një akt intimidimi për shkak të punës së tij.
"Për këtë ngjarje kam depozituar kallëzim në Policinë e Elbasanit", deklaroi Stafa, i cili e cilësoi ndalimin në mes të rrugës si një "akt mafioz".
Ngjarja është denoncuar edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili dënoi çdo formë intimidimi ndaj gazetarëve dhe kërkoi nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit hetim të plotë e të paanshëm, si dhe marrjen e masave për garantimin e sigurisë së gazetarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Lini një Përgjigje