TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES17 Korrik 2026, 21:26

Minutë pas minute/ 48 ditë protestë dhe marshim, Tirana në këmbë kundër oligarkisë politike

Shkruar nga Pamfleti
1 ORE ME PARE

"Ju erdhi fundi"/ Mbyllet tubimi para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin

Minutë pas minute/ 48 ditë protestë dhe marshim, Tirana në
Nis marshimi

Ka nisur marshimi qytetar në kuadër të ditës së 48-të të protestës që zhvillohet përpara Kryeministrisë. Qindra qytetarë i janë bashkuar edhe këtë të premte tubimit, duke vijuar pa ndërprerje protestën dhe kërkesat e tyre drejtuar qeverisë.

Pas grumbullimit në sheshin "Skënderbej" dhe mbajtjes së fjalimeve përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit, të shoqëruar nga forca të shumta policie.

Gjatë marshimit, nga turma u dëgjuan vazhdimisht thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike. Protestuesit brohoritën slogane si: "Shqipëria kërkon revolucion", "Shqipëri e re", "Ju erdhi fundi", "Pa dhënë dorëheqjen nuk ndalojmë" dhe "Rama, jep dorëheqjen!".

Në kor, pjesëmarrësit përsëritën edhe thirrjen "Rama SPAK you!", ndërsa një tjetër slogan i dëgjuar gjatë marshimit ishte "Parlament i krimit".

Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola në duar, protestuesit përshkuan disa prej akseve kryesore të Tiranës, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve përgjatë itinerarit.

Sipas organizatorëve, në përfundim të marshimit pjesëmarrësit do të rikthehen sërish përpara godinës së Kryeministrisë, ku do të mbyllin protestën e ditës, ndërsa kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

1 ORE ME PARE

Video/ Protestoi para makinës së Ramës, policia merr me forcë qytetarin

Minutë pas minute/ 48 ditë protestë dhe marshim, Tirana në
Incident para Kryeministrisë

Policia arreston me forcë qytetarin, i cili protestoi para eskortës së Ramës

Një incident u regjistrua këtë të premte pak para nisjes së protestës së 48-të para Kryeministrisë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Pak çaste përpara se eskorta e kryeministrit të largohej nga godina e Kryeministrisë, një qytetar pjesëmarrës në protestë u afrua pranë automjetit të kreut të qeverisë, duke protestuar.

Siç shihet edhe në pamje, qytetari u ndalua nga efektivët e Policisë së Shtetit. Protestues të pranishëm në vendngjarje pretenduan se ai u fut me forcë në automjetin e policisë, ndërsa deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me arsyet e shoqërimit.


Pak minuta më vonë, eskorta e kryeministrit Edi Rama u largua nga Kryeministria, ndërsa protesta vijoi normalisht në bulevard, ku prej më shumë se një muaji qytetarë mblidhen çdo ditë duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë.

 

1 ORE ME PARE

Protesta para kryeministrisë, emigranti nga Kanadaja: Karrigia e pushtetit do ia hajë kokën Ramës, do ikë me turp! 

Minutë pas minute/ 48 ditë protestë dhe marshim, Tirana në
Protesta kundër Ramës në Tiranë

Një emigrant shqiptar, i cili udhëtoi nga Kanadaja së bashku me bashkëshorten për t'iu bashkuar protestës qytetare, mori fjalën nga podiumi mbrëmjen e së premtes, duke përcjellë mesazhin e mbështetjes së diasporës për protestuesit.

Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mënyrën e qeverisjes së vendit dhe u shpreh se largimi i tij nga pushteti do të ishte i pashmangshëm. Emigranti falënderoi gjithashtu disa persona për angazhimin e tyre në diasporë dhe kërkoi largimin e qeverisë.

“Kemi ardhur nga Kanadaja bashkë me gruan. Nuk e shohim dot Shqipërinë që vuan për shkak të këtij krimineli këtu pas meje. Ai po shet tokat tona, sikur ia ka lënë babai. Diaspora në Kanada është e gjitha me ju. Dua të falënderoj Nador Bakallin, që drejton diasporën në Kanada. Dua të bëj një falënderim për zotin Osman Stafa, është heroi, djalë i mrekullueshëm, që e do Shqipërinë pa kompromis. Jo si ky pas meje që se ka problem ta shesë vendin. E shoh me sytë e mi tani, nuk ka IA këtu që të mashtrojë njerëzit. T’i shporrim këto mbetje si majtas dhe djathtas në kosh mbeturinash. Ky do iki me turp, i lidhur pas karriges, por karrigia do ia hajë kokën”, tha emigranti.

Në përfundim të fjalës së tij, ai bëri apel për largimin e klasës politike, ndërsa kritikoi edhe Akademinë e Shkencave.

“Na sillni shumë kosha mbeturina, se janë shumë të tillë. Akademia e Shkencës, për mua është Akademia e turpshme, që drejtohet nga komunistë”, tha ai.

1 ORE ME PARE

Më 23 korrik protesta zhvendoset te Kuvendi, aktivisti: Do të jetë seanca e fundit për ta

Minutë pas minute/ 48 ditë protestë dhe marshim, Tirana në
Vijon protesta

Një prej organizatorëve të protestës para Kryeministrisë, Edison Lika, u bëri thirrje qytetarëve të mobilizohen për vijimin e protestave, ndërsa deklaroi se seanca plenare e 23 korrikut do të jetë e fundit për deputetët aktualë.

Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Lika tha se seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar nuk do të jetë vetëm mbyllja e punimeve të Kuvendit, por, sipas tij, edhe fundi i mandatit politik të deputetëve aktualë.

Ai theksoi se vendimi për këtë nuk i takon klasës politike, por qytetarëve që, sipas tij, përmes protestës mund të imponojnë ndryshimin.

"Në datën 23 korrik do të jetë seanca e fundit plenare. Por ajo seancë do të jetë seanca e fundit për ata. Pasi nuk do të kthehen më në Kuvend. Po kush e vendos? Unë ju them; e vendosni ju! Këtu vendosim ne!", deklaroi Lika.

Në fjalën e tij, organizatori i protestës u bëri apel qytetarëve të bashkohen në tubimet e organizuara, duke argumentuar se vetëm përmes pjesëmarrjes dhe presionit qytetar mund të arrihet ndryshimi i kërkuar nga protestuesit.

Protesta para Kryeministrisë po zhvillohet për të 48-ën ditë radhazi. Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës politike dhe ndryshime në sistemin e qeverisjes, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

2 ORE ME PARE

Protestuesit 'rrethojnë' sërish deputetët, më 23 korrik tubimi zhvendoset para Parlamentit

Minutë pas minute/ 48 ditë protestë dhe marshim, Tirana në
Protestë para Parlamentit më 23 korrik

Organizatorët njoftuan se tubimi do të zhvillohet paraditen e 23 korrikut, në të njëjtën kohë me seancën e fundit plenare para pushimeve verore.

Protesta qytetare, e cila prej 48 ditësh zhvillohet para godinës së Kryeministrisë, do të zhvendoset të enjten, më 23 korrik, përpara Kuvendit të Shqipërisë. Ndryshe nga ditët e tjera, tubimi nuk do të mbahet pasdite, por paradite, në të njëjtën kohë me zhvillimin e seancës së fundit plenare të këtij sesioni parlamentar.

Njoftimi u bë nga podiumi i protestës para Kryeministrisë, ku organizatorët u bënë thirrje qytetarëve të jenë të pranishëm gjatë paradites së 23 korrikut, duke argumentuar se prania e protestuesve gjatë zhvillimit të seancës plenare do të ketë më shumë efekt.

Një prej të rinjve që mori fjalën tha se ndryshimi i orarit është vendosur pas konsultimit me pjesëmarrësit në protestë dhe se synimi është që tubimi të zhvillohet në momentin kur deputetët do të jenë në Kuvend për seancën e fundit, përpara pushimeve verore.

“Doja të sqaroja thirrjen për datën 23 korrik. Është shumë e rëndësishme prezenca jonë gjatë ditës, pasi kemi efikasitet të lartë me prezencën tonë. Pjesëmarrja çdo ditë gjatë ditës nuk ishte e mundur, ndaj dola me propozimin që të kemi një datë dhe të dalim paradite atë ditë. Përgjigjja që mora në sondazh ishte vetëm për një ditë të dalim paradite. Është seanca e fundit atë ditë dhe ne do t’ju urojmë pushime të mbara”, u shpreh ai.

Kjo nuk është hera e parë që protesta qytetare zhvendoset para Parlamentit. Më 2 korrik, gjatë një tjetër seance plenare, protestuesit u mblodhën jashtë godinës së Kuvendit, ku pati tensione dhe përplasje me forcat e policisë. Pas incidenteve, policia arrestoi 23 persona.

Protesta e 23 korrikut pritet të zhvillohet në ditën e fundit të punimeve të Kuvendit për këtë sesion parlamentar, ndërsa organizatorët synojnë të rikthejnë qytetarët përpara Parlamentit në një nga seancat më të rëndësishme përpara ndërprerjes së aktivitetit parlamentar për pushimet verore.

2 ORE ME PARE

48 ditë revoltë, aktivisti: Protesta do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave

Minutë pas minute/ 48 ditë protestë dhe marshim, Tirana në

Aktivisti Edison Lika deklaroi nga podiumi i ngritur përpara Kryeministrisë se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të ngritura nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim.

Në fjalën e tij para protestuesve, Lika tha se lëvizja protestuese ka qenë e qartë në qëndrimet e saj përgjatë 48 ditëve të fundit dhe se nuk do të tërhiqet derisa të realizohen objektivat e shpallura. Ai renditi edhe një herë kërkesat kryesore të protestës, duke nisur nga anulimi i ligjit 21/2024, dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, krijimi i një qeverie tranzitore, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira.

Sipas Likës, protestuesit synojnë gjithashtu garantimin e kushteve dhe lirive të barabarta për të gjithë qytetarët, duke theksuar se protesta do të vijojë deri në përmbushjen e këtyre kërkesave.

Jemi shumë të qartë për kërkesat tona, për 48 ditë me radhë, ne do të jemi këtu derisa anulimi i ligjit 21/2024 të jetë fakt, derisa dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë të jetë fakt, derisa qeveria tranzitore ta çojë vendin në zgjedhje të lira pas 36 vitesh, deri kur të garantojmë kushte dhe liri të barabarta për secilin prej nesh”, u shpreh aktivisti Edison Lika gjatë fjalës së tij para Kryeministrisë.

 

2 ORE ME PARE

Qytetarët 48 ditë në shesh, asgjë nuk e ndal revoltën kundër kastës që mban peng vendin

Minutë pas minute/ 48 ditë protestë dhe marshim, Tirana në
Qytetarët në shesh

Në ditën e 48-të të protestës, qindra qytetarë marshuan sërish drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, largimin e gjithë klasës politike dhe ndryshim të mënyrës së qeverisjes.

Qytetarët janë mbledhur edhe këtë të premte përpara Kryeministrisë, në ditën e 48-të të protestës së tyre, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit është shndërruar në një lëvizje me kërkesa më të gjera, ku protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe keqqeverisje.

Qindra qytetarë u grumbulluan fillimisht në sheshin "Skënderbej", dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë tubimit, aktivistë dhe qytetarë do të mbajnë fjalime dhe do të shprehin pakënaqësitë për mënyrën e qeverisjes, situatën ekonomike dhe standardin e jetesës në vend.

Protestuesit deklarojnë se nuk do të tërhiqen derisa kryeministri Rama të japë dorëheqjen. Njëkohësisht, ata kërkojnë edhe largimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe të gjithë klasës politike.

Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, tubimi do të shoqërohet me brohoritje, këngë patriotike dhe pankarta me mesazhe ironizuese ndaj qeverisë dhe politikës.

Gjatë marshimit drejt Kryeministrisë u dëgjuan thirrjet: "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!", "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!", "Qeveria dhe politika janë kthyer në harem!", "Jep dorëheqjen!", "Ju erdhi fundi!".

Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit kërkojnë ndryshim të sistemit politik dhe rikthimin e demokracisë përfaqësuese.

Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Gjatë marshimit në bulevardin para Kryeministrisë pati brohoritje të vazhdueshme, këngë patriotike dhe pankarta ironizuese drejtuar qeverisë dhe gjithë klasës politike.

2 ORE ME PARE

Protesta e 48 në Tiranë, qytetarët: Rama ose të përballet me burgun, ose të kërkojë azil politik

Minutë pas minute/ 48 ditë protestë dhe marshim, Tirana në

Ka nisur protesta e 48 në Tiranë, ku kërkohet dorëheqjen e Ramës.

Nga sheshi “Skënderbej”, ku ka nisur grumbullimi i protestuesve, një qytetar i moshuar ka dhënë një deklaratë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë.

“Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë të mirë për vendin. E ka çuar vendin në humnerë”, u shpreh ai. I moshuari tha se kërkon largimin e qeverisë dhe përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit.

“Duhet të ikë përmes dhunës”, deklaroi ai, duke shtuar se sipas tij, drejtësia ose qytetarët duhet të veprojnë.

“Atë ose do ta kapë drejtësia, ta fusin në burg, ose do të kërkojë azil politik. Ose do ta kapë populli”, tha qytetari për News24.

protesta kunder rames ne tirane revolucioni flamingo

Lini një Përgjigje