Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale në fushën e narkotikëve janë arrestuar në qarkun e Durrësit, në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Njëri prej tyre, Enkelet Avduli, 46 vjeç, u lokalizua dhe u arrestua teksa lëvizte me automjet në aksin rrugor “Rrogozhinë–Peqin”. Ai ishte i dënuar nga Gjykata e Apelit e Bolonjës, në Itali, me 7 vjet, 5 muaj dhe 9 ditë burgim për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike, armëmbajtjes pa leje dhe kanosjes.
"Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, me partnerët ndërkombëtarë në Itali dhe në Spanjë, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, për disa vepra penale, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me shërbimet e komisariateve të Policisë Shijak dhe Kavajë, finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”. Në kuadër të operacionit u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin, shtetasit:
-Enkelet Avduli, 46 vjeç, i cili u kap teksa lëvizte me automjet, në aksin rrugor “Rrogozhinë–Peqin”, pasi Gjykata e Apelit e Bolonjës, Itali, e ka dënuar me 7 vjet, 5 muaj dhe 9 ditë burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kanosje", njoftoi policia.
Gjatë të njëjtit operacion u arrestua edhe Sadik Kasa, 38 vjeç, i cili u lokalizua në fshatin Sukth i Ri. Ai kërkohej nga autoritetet gjyqësore spanjolle, të cilat i kanë caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike.
"S. K., 38 vjeç, i cili u kap në fshatin Sukth i Ri, pasi autoritetet gjyqësore në Madrid i kanë caktuar masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale", me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike", thuhet më tej në njoftim.
Policia bën me dije se Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe spanjolle, po vijon procedurat për ekstradimin e dy të arrestuarve drejt vendeve ku kërkohen nga drejtësia.
Lini një Përgjigje