Një oficer i Komisariatit të Policisë Sarandë është përfshirë në një konflikt fizik mbrëmjen e së enjtes në qytet, ndërsa policia ka ndërmarrë kontrolle të shumta dhe ka shoqëruar disa persona në kuadër të hetimeve.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të Sarandës. Sipas informacioneve paraprake, oficeri i krimeve Mihal Velço po lëvizte me motor kur është përballur me një grup personash.
Burimet bëjnë me dije se fillimisht mes palëve ka pasur fyerje dhe kanosje verbale, ndërsa më pas situata ka degraduar në përplasje fizike.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt të çastit dhe jo për një sulm të planifikuar ndaj efektivit të policisë. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende objekt hetimi.
Menjëherë pas incidentit, forca të shumta të Policisë së Shtetit zhvilluan kontrolle në zona të ndryshme të Sarandës, të cilat vijuan deri në orët e para të mëngjesit. Gjatë operacionit janë kontrolluar banesa, lokale dhe ambiente publike, ndërsa disa persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.
Deri në këtë fazë nuk ka një njoftim zyrtar për identifikimin apo arrestimin e autorëve të dyshuar, ndërsa grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën e plotë të konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Lini një Përgjigje