
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, përmes të cilave ai kundërshton akuzën e ngritur ndaj tij, si edhe një sërë veprimesh procedurale të kryera gjatë hetimit.
Në seancë, prokurori Edvin Kondili u shpreh se të gjitha pretendimet e Beqajt janë të pabazuara në ligj dhe se shumica e tyre kanë marrë përgjigje gjatë fazës hetimore, në seancën paraprake, si edhe në vendimin e gjykatës që pranoi kërkesën për kalimin e çështjes në gjykim.
Lidhur me pretendimin e Beqajt se akuza për vjedhje nuk provohet, Prokuroria e Posaçme vlerësoi se i pandehuri nuk ka paraqitur kërkesa konkrete, por ka ngritur pyetje që, sipas saj, janë sqaruar më parë dhe do të trajtohen edhe gjatë konkluzioneve përfundimtare të palëve.
Sa i përket kërkesës për përjashtimin e të dhënave elektronike të sekuestruara nga një kompjuter dhe pavlefshmërinë e akteve përkatëse, SPAK argumentoi se të gjitha veprimet procedurale janë kryer në përputhje me ligjin.
Prokuroria kundërshtoi edhe kërkesën e Beqajt për pavlefshmërinë e kontratës së prokurimit, me argumentin se mungesa e dokumentit origjinal në Ministrinë e Shëndetësisë nuk e bën të pavlefshme provën.
Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës të mos pranojë asnjërën prej 23 kërkesave të paraqitura nga Ilir Beqaj, duke këmbëngulur se ato nuk gjejnë mbështetje në ligj dhe se çështjet e ngritura prej tij janë trajtuar tashmë në fazat e mëparshme të procedimit penal.
"Kërkesa e Ilir Beqajt për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës e duhet të rrëzohet pasi nuk është bazuar në ligj. Veprimet janë aprovuar nga gjyqtari paraprak, pranimi i kërkesës për gjykim. Pretendimi i Beqajt se akuza e vjedhjes nuk provohet, konstatojmë se i pandehuri nuk shtron kërkesa por bëjnë pyetje, që janë sqaruar, dhe do trajtohen gjatë konkluzioneve përfundimtare të palëve. Për kërkesën e përshjashtimit të të dhënave elektronike nga një kompjuter dhe pavlefshmëri të akteve vlerësojmë se janë veprime procedurale në konform me Ligjin. Kërkesa 19, akuza për vjedhje duke shpërdoruar detyrën e pavlefshme, vlerësojmë se vendimi është i bazuar në ligj. Sa i takon burime të provës dhe fakteve, në vendimin paraprak theksohen saktësisht dhe gjerësisht, ku theksohet edhe vlera e dëmit që të pandehurit i kanë shkaktuar shtetit. Kërkesa 20, mungesa e kontratës origjinale të prokurimit. Kontrata origjinale nuk është gjetur në MSH, dhe kjo përbën një shkelje, por është gjrtur kontrëta e njësuar në FSDKSH, por fakti i mos gjetjes së kopjes origjinale të kontratës në MSH, dhe mbi këtë pretendim që nuk duhet të vlerësohet provë e vlefshme, e kundërshtojmë dhe kërkojmë rrëzimin e kërkesës së të pandehurit.", njofton SPAK.
Lini një Përgjigje